UBT

Dy ministra “shkojnë në shtëpi” ?

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Dy ministra të Qeverisë së Kosovës, anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës së shpejti mund të mbesin “pa punë”, meqenëse shefi i qeverisë, Hashim Thaçi është i pakënaqur me performancën e tyre të deritanishme dhe me përfoljet për skandale të ndryshme.

Burime të afërta me partinë e kryeministrit i kanë thënë “Zërit” se brenda një kohe jo shumë të gjatë kabineti qeveritar do të pësojë ndryshime, porse Thaçi është duke e përgatitur terrenin që këto ndryshime të mos ia “tronditin” partinë.

“Në plan janë dy ministra, por mund të ketë edhe ndryshime tjera. Kryeministrit nuk po i pëlqen që kohën e fundit përditë e më shumë po përflitet për keqpërdorime dhe shkelje të ligjit. Kryeministri i ka dy opsione para vetes, ose do t’i largojë këta dy ministra këto ditë, pasi të kthehet nga Japonia, ose do t’i largojë kah fundi i verës, pasi të përfundojnë pushimet”, thotë ai.

Kryeministri Thaçi para disa ditësh kishte paralajmëruar ministrat që t’i “grahin më shumë punës”, ose në të kundërtën do të mbesin pa punë. Këtë paralajmërim i pari i ekzekutivit, ministrave ua kishte bërë në një mbledhje që kishte pasur me ta dhe me sekretarët e përgjithshëm pas marrjes së pyetësorit nga BE-ja për studimin e fizibilitetit.

Nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa i ka thënë “Zërit” nëpërmjet telefonit se para tre ditëve është mbajtur mbledhja e kryesisë së kësaj partie, por nuk është trajtuar kjo çështje.

Eco Higjiena

Mirëpo, mundësinë që të ndërrohet përbërja e kabinetit qeveritar nuk e ka mohuar dhe nuk e ka pohuar nënkryetari tjetër i PDK-së, Hajredin Kuçi.

Analisti Nexhmendin Spahiu thotë se nëse kryeministri e ndërmerr një hap të këtillë, ai këtë nuk e bën për shkak të përmirësimit të qeverisjes, por për t’i “larë hesapet” me persona të caktuar brenda partisë së tij.

Nga ana tjetër, për partitë opozitare asnjë ndryshim në kabinetin qeveritar nuk sjell qeverisje të mirë, por vetëm shpërblim të figurave të caktuara të PDK-së me pozita të caktuara në ekzekutiv.

“Çdo riformatim i Qeverisë Thaçi, para se t’i rregullojë marrëdhëniet me publikun është që ta balancojë pushtetin e brendshëm. Thaçi është njëri prej personave që ka balancuar pakënaqësitë e brendshme përmes riformatizimeve të qeverive dhe ndërrimit të pozicioneve të ndryshme”, ka thënë sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj. /Telegrafi/