Fundamenti

Dy çmime evropiane për piktorin Ali Sinani

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Puna dhjetëvjeçare e piktorit shqiptaro-zviceran me origjinë nga Maqedonia, Ali Sinani, është shpërblyer këtë fillim viti me dy çmime nga Komisioni Evropian “Art Net”.

Bëhet fjalë për çmimin SIK ISEA (Swiss Institut for Art Research) dhe KUNST BULLETIN për aktivitetet dhe projektet që ka realizuar piktori shqiptar gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit nëpër metropolet e Evropës.

Për piktorin Sinani, i cili në pikturat e tij paraqet një qasje të re të artit figurativ, ishte befasi e këndshme.

“Nuk kam pritur që do të më nderojnë me dy çmime. Me këtë lajm më ka befasuar menaxherja ime, Irene Varga. Ajo nëpërmjet sms më ka uruar për këto dy çmime nga SIK ISEA, tha piktori Sinani.

Ne bashkëpunim me Muzeun e St.Gallenit të Zvicrës Sinani është shpërblyer edhe me disa çmime të tjera ndërkombëtare.

Eco Higjiena

Ai synon këtë vit të përfundojë edhe doktoraturën në Universitetin Internacional të Novi Pazarit nën udhëheqjen e Dr.Prof.Fehim Huskoviq, ku pastaj mendon përsëri të kthehet Universitetin e Freiburgut të Zvicrës.

“Kur njeriu lëviz nga vendlindja e tij, nuk është se ka ndërmend ta tradhtojë kauzën jetike, por e bën këtë i nxitur nga nevoja për t’u zhvendosur dhe për të parë se cili është realiteti jashtë nesh. Kjo pra është arsyeja që njeriu dëshiron të provojë dhe të jetë në kontakt me kultura të ndryshme, por dhe të realizojë një ëndërr”, tha në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch piktori Ali Sinani.

Artisti, sipas tij, duhet të njohë dy të vërteta: të vërtetën e jetës dhe realitetin e veprës, pra të mos jetë indiferent në zhvillimin e kulturës dhe duke sjellë lidhshmërinë komplete të elementeve artistike.

Shqiptaro-zvicerani Ali Sinani ka lindur më 1977 në Doberdoll të Maqedonisë. Gjatë vitit 2009 mori titullin e magjistrit të shkencave të artit në Akademinë Universitare të Arteve në Shkup. Është anëtar i asociacioneve të ndryshme të artistëve zviceranë, austriakë, gjermanë dhe të Maqedonisë. Deri tani ka realizuar mbi njëzet ekspozita personale dhe kolektive në Maqedoni, Zvicër dhe së fundi në Gjermani.

Jeton dhe punon në St. Gallen të Zvicrës, ku edhe mban kurse në studion e tij “Arte”.(albinfo)