KKVITI

Dy autorë ndajnë çmimin “Ymer Elshani”

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Prishtinë – Kur ka qenë në shkollë fillore, saktësisht në klasën e gjashtë, Jonuz Fetahaj e ka pasur numrin 13 në ditarin e klasës. Atë kohë ai kishte nisur të shkruante. Shumë dekada më vonë kur Fetahaj është bërë shkrimtar për fëmijë, diçka e bukur e ka lidhur me numrin 13.

Në edicionin e trembëdhjetë të karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” libri i tij me tregime “Zogjtë ikin nga çerdhja” ka qenë njëri nga dy fituesit e çmimit “Ymer Elshani” që ndahet për veprën më të mirë për fëmijë të botuar midis dy edicioneve të Karvanit.

“Jam i lumtur për këtë nderim”, ka thënë Fetahaj. Ai e ka ndarë çmimin bashkë me kolegun e tij, shkrimtarin Islam Balaj, që është shpërblyer për romanin për fëmijë dhe të rinj “Vajza dhe Ylli”.

“Ky çmim ka domethënie të madhe për mua”, ka thënë Balaj. Çmimi “Ymer Elshani” është ndarë në kuadër të përmbylljes së Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë i cili ka nisur aktivitetet e tij që më 7 mars të këtij viti. Për çmime ka vendosur juria në përbërje të Xhevat Sylës, Ramadan Musliut e Prend Buzhalës. Sipas arsyetimit të jurisë, libri me tregime për fëmijë “Zogjtë ikin nga çerdhja” respekton prirjet e fëmijës, ndërton poetikën e efekteve edukative dhe imagjinare.

“Tregimet shquhen për unitet të brendshëm artistik, realizojnë mesazhin e përbashkët artistik por edhe strukturën e përbashkët tematike”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Ndërsa romani i Balajt, sipas jurisë, ka mjeshtëri të hapësirës së imagjinatës duke e gërshetuar temën e trishtimit dhe të vetmisë së fëmijës në familjen me kriza sociale dhe urbane.

Uji Dea

Këto çmime janë ndarë të enjten në një konferencë për media që organizatorët e Karvanit e kanë mbajtur në mbyllje të aktiviteteve. Ani pse në një temperaturë të nxehtë në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, koordinatori i Karvanit, Xhevat Syla, ka lexuar një raport të gjerë në lidhje me aktivitetet e ndryshme. Ai ka përmendur mungesën e mjeteve financiare që sipas tij kanë vështirësuar mbajtjen normale të aktiviteteve të Karvanit.

“Përkundër zvogëlimit të përkrahjes materiale, anëtarët e karvanit me vullnet iu përgjigjën shumicës së ftesave që arritën nga mjediset e ndryshme shkollore në Kosovë”, ka thënë Syla. Sipas tij, gjatë këtyre muajve janë mbajtur 27 takime letrare në të cilat janë angazhuar mbi 30 shkrimtarë.

Në këto takime, sipas Sylës, Karvani ka vazhduar traditën e dhurimit të librave për bibliotekat shkollore.

“Me qëllim që t’ua ofrojmë sa më shumë librin fëmijëve, ne organizuam përurime të librave më të rinj të shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë”, ka thënë Syla.

Karvani i shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva”, tanimë ka shpallur konkursin letrar për poezi, tregim dhe ese në temën “100 vjet të Pavarësisë së Shqipërisë”. Organizatorët kanë thënë se punimet për këtë konkurs mund t’i dërgojnë të gjithë nxënësit deri më 1 tetor të këtij viti. Punimet më të suksesshme do të botohen në një libër të veçantë.