UBT

Duka i bindur: Fitojmë ndaj Çekisë, e meritojmë një vend në Evropian

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Më lër të flas” në televizionin në “Top Channel” ku komentoi disa nga çështjet më të diskutuara të momentit, duke nisur nga zgjedhja e tij si Zv.President i UEFA-s e për të vijuar me synimet në kualifikueset e Euro 2024.

Gjithashtu, Presidenti Duka ka folur për kryesisht për kombëtaren, marrëdhëniet me trajnerin kuqezi apo me drejtuesit e UEFA-s, interesimin e madh të shqiptarëve për ndeshjen me Çekinë, shanset për t’u kualifikuar në “Euro 2024”, por edhe infrastrukturën, kampionatin shqiptar dhe momentet më të bukura në karrierën e tij.

ZGJEDHJA ZV.PRESIDENT I UEFA-s – “Zgjedhja ime Zëvendëspresident i UEFA-S, ndodhi siç ndodh natyrshëm. Kam shumë kohë në futboll, shumë kohë anëtar i UEFA-s dhe një nga anëtarët duhet të bëhej Zëvendëspresident dhe këtë herë ishte radha ime. Gjithçka është me zgjedhje në Komitetin Ekzekutiv, me votim dhe normalisht duhet të kesh edhe disa kontribute dhe për këtë të vlerësojnë”.

A ËSHTË ÇEKIA VENDIMTARE? – “ Është një nga ndeshjet më të rëndësishme, pasi Çekia ka një formë dhe gjendje të mirë. Ka pasur edhe paraqitje të mira në kualifikuese dhe për pozicionin që ka në renditje, pasi ndodhet në vendin e dytë pas Shqipërisë. Për ne është akoma shumë e rëndësishme, pasi nëse marrim një rezultat pozitiv me Çekinë pothuajse arrijmë në ‘Euro Gjermani 2024’. Është le të themi një kryqëzim shumë i rëndësishëm për të marrë rrugën për në Gjermani, por nuk është kryqëzim fatal për ne, për çekët po”.

KUALIFIKIMI NË EURO 2024 – “Në fakt kemi bërë shumë mirë, ekipi ka bërë shumë mirë, çdo gjë është bërë mirë deri në këtë moment dhe jemi në vendin e parë. Kemi hedhur një hap të rëndësishëm, por që të arrijmë objektivin duhet t’i bëjmë akoma më mirë këto tre ndeshjet e mbetura. Nuk mund të mendojmë që kemi shkuar në Europian pa mbyllur ndeshjet. Ndjesia ime është që do të arrijmë kualifikimin dhe meritojmë të kualifikohemi”.

PUNA E TRAJNERIT SYLVINHO – “Sylvinho padyshim që është drejtuesi, regjisori, organizatori i kësaj skuadre, ai që i bashkon dhe krijon frymën e grupit në skuadër. Një ekip kombëtar ka specifikat e veta, ku trajneri ka shumë pak kohë në dispozicion, ka shumë pak mundësi për të ndryshuar gjendjen fizike, qoftë edhe përgatitjen e tyre. E rëndësishme është të krijosh frymën e grupit, dhe të zgjedhësh lojtarët e duhur në momentin e duhur dhe në vendin e duhur, këtë gjë Sylvinho e ka bërë shumë mirë. Përkushtimi i tij është realisht i jashtëzakonshëm, puna e tij profesionale dhe në grup me stafin e tij është e niveleve të larta dhe kjo ka bërë që të jemi mirë. Në fund të fundit edhe fati e ka shpërblyer”.

MARRËDHËNIA ME TRAJNERIN – “Padyshim që kam marrëdhënien që duhet të ketë një president me trajnerin, por përveç kësaj kam edhe marrëdhënie shumë të mira miqësore. Shumë shpesh kalojmë dreka apo darka së bashku, por edhe gjatë kësaj kohe flasim vetëm për futbollin, skuadrën dhe për mbarëvajtjen e ekipit. Kështu që edhe drekat dhe darkat, janë dreka dhe darka pune për t’i shërbyer qëllimit që kemi bashkërisht”.

DE BIASI APO SYLVINHO? – “Njerëzit nuk janë lehtësisht të krahasueshëm, gjithsekush ka karakteristikat e veta. Të dy kanë kontribute shumë të mira në ekipin kombëtar, por rezultatet deri tani i ka më të mira De Biasi, sepse e ka realizuar objektivin për të shkuar në Europian, ndërsa Sylvinhon duhet ta shohim. Sylvinho ka filluar duke kuptuar shqip, sepse jeton në Tiranë, punon gjithë kohën në Tiranë dhe lëviz vetëm në momentet që duhet të kontaktojë apo takojë futbollistët”.

TË ARDHURAT DHE SHPENZIMET – “Federata nuk besoj se do të fitojë gjë, pasi shpenzimet janë më mëdha se sa të ardhurat. Kostot janë shumë të mëdha, ne kemi minimalisht 40 vetë që duhet t’i lëvizim me avion dhe t’i akomodojmë. Nuk jemi në kushtet e bilanceve shumë pozitive, por përballojmë shpenzimet tona dhe pjesa tjetër shërben për të zhvilluar futbollin në Shqipëri.

Kam parë në rrjetet sociale që shesin bileta në të zezë dhe është diçka që nuk duhet të ndodhi, por nga ana tjetër kemi të bëjmë edhe me një lloj kontradikte, pasi nga një anë themi që biletat janë të shtrenjta, ndërsa nga ana tjetër shohim që ka njerëz që po i shesin më shtrenjtë sesa çmimi zyrtar i biletës, një gjë që nuk duhet të ndodhi, por nuk varet nga ne.

Nuk jemi ne institucioni që mund të parandalojmë shitjet e tregut të zi dhe nuk e di nëse legjislacioni e ndalon këtë gjë apo jo? Ne kemi bërë mirë atë që duhet të bëjmë, kemi vënë disa kritere dhe rregulla që një individ nuk mund të marrë më shumë se katër bileta, por gjithsesi ai që don të shesë në tregun e zi e gjen mënyrën për ”.

Mobi Casa

INTERESI I TIFOZËVE PËR KAMPIONATIN – “Ka disa arsye pse ndodh kjo. Një nga arsyet është edhe besimi i njerëzve te loja. Ne e kemi në kulturë që nuk besojmë asnjë lloj rezultati, nuk besojmë zgjedhjet politike, në Shqipëri nuk besojmë asgjë. Duke qenë se nuk besojmë në asgjë, nuk besojmë edhe te loja e futbollit.

Kemi krijuar një besim të jashtëzakonshëm te Kombëtarja, që aty është një lojë e vërtetë, rezultati është i vërtetë, emocioni i vërtetë dhe prandaj ka më shumë tifozë në stadium dhe më pak kemi krijuar besim tek ekipet e kampionatit. Për të rikthyer besimin te njerëzit vetë klubet nuk duhet të mjaftohen që të merren vetëm me organizimin teknik taktik apo me pagesat e futbollistëve, por duhet që federata dhe klubet, vërtetë t’i bindin njerëzit që kjo është një lojë e vërtetë”.

KUSH ËSHTË FUTBOLLISTI MË I PREFERUAR? – “Në fakt, i dua të gjithë dhe vërtetë kam qenë me fat që gjithmonë kemi pasur djem shumë të mirë në ekipin Kombëtar. Qoftë ata që janë sot, apo edhe ata që kanë qenë në të kaluarën, vërtetë i kam respektuar dhe i kam dashur shumë, nuk është se mund të dalloj dikë. Në momente të veçanta kur ti je vërtetë në presion dhe në stres, që nuk po shkon rezultati padyshim që ai që shënon golin, duket si njeriu më i dashur në botë, është momentale dhe emocionale. Marrëdhëniet i kam shumë të mira me të gjithë djemtë e kombëtares dhe nuk mund të veçoj asnjë”.

POSTI NË UEFA & PËRFITIMET E SHQIPËRISË – “Padyshim që jam ndjerë i vlerësuar kur më është propozuar që të jem ZëvendësPresident i UEFA-S. Për të qenë i sinqertë nuk është se ka qenë një objektiv i imi i kahershëm, që dikur të bëhem ZëvendësPresident i UEFA-S, por gjërat kanë ardhur natyrshëm dhe padyshim që jam ndjerë i vlerësuar, i respektuar nga komuniteti europian i futbollit, nga ata që më kanë propozuar dhe më kanë votuar dhe mbështetur.

Padyshim që është edhe në të mirë të futbollit shqiptar dhe Shqipërisë që jemi të vlerësuar, sepse nëse një individ zgjidhet të përfaqësojë diku është kontribut i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar dhe punuar me të, dhe që kanë bindur me rezultatet dhe punën e tyre. Në të gjitha pozicionet kam bërë maksimumin për të ndihmuar sado pak, apo për të bërë sado pak hapa përpara për futbollin shqiptar. Kështu që edhe nga ky pozicion me të njëjtin përkushtim do të bëjë maksimumin. Nuk është se vendimet që do të marrim në UEFA do të jenë të njëanshme meqë ti je nga Shqipëria, por gjithsesi natyrshëm do mendosh diçka më shumë për Shqipërinë”.

MARRËDHËNIA ME PRESIDENTIN E UEFA-S – “Në fakt, kam marrëdhënie të mira me të gjithë presidentët e federatave europiane, kam marrëdhënie shumë korrekte, jo vetëm unë, por e gjithë Federata kemi marrëdhënie shumë korrekte me të gjithë. Marrëdhënie miqësore kam padyshim me ata që flasim të njëjtën gjuhë dhe kemi të njëjtën kombësi, me Presidentin e Federatës së Kosovës, Agim Ademi dhe Presidentin e Federatës së Maqedonisë së Veriut, i cili edhe ai është shqiptar Muamed Sejdini. Më shumë miqësi me ta sepse flasim të njëjtën gjuhë”.

ZHVILLIMI I INFRASTRUKTURËS NË FUTBOLL – “Në Shqipëri nëse themi sport kemi thënë futboll dhe duke pasur parasysh se sa impakt ka futbolli, padyshim që duhet të kesh vëmendje të shtuar. Nëse është e mjaftueshme vëmendja e qeverisë për futbollin unë them jo, nëse është më shumë sesa në të shkuarën unë them se po. Vërtetë kemi ndryshime, sidomos në infrastrukturë”.

STADIUMET ME KULLA – “Unë nuk jam arkitekt që të vlerësoj nëse duhet me kulla, apo me një kullë, apo dy kulla. Ajo që më pëlqen dhe simpatizoj është që të ketë terrene sportive që të luajnë qoftë profesionistët, qoftë amatorët edhe fëmijët. Nëse këto kulla prodhojnë nga një stadium, të bëhen me shumicë, nëse këto kulla nuk prodhojnë asnjë stadium të mos ndërtohet asnjë”.

MOMENTET MË TË BUKURA – “Emocionet që t’i dhuron futbolli, ju garantojë që nuk t’i dhuron asnjë gjë tjetër, si për keq edhe për mirë. Atë që të dhuron një ndeshje e fituar nuk ta dhuron dot asnjë gjë tjetër. Një ndeshje e humbur aq shumë sa të mërzit është e vështirë të mërzisë një gjë tjetër. Në kulmin e emocioneve që na ka dhuruar loja padyshim që është kualifikimi në “Euro 2016” dhe pjesëmarrja në Europian ka qenë një eksperiencë fantastike. Uroj që të jem me fat dhe ta jetoj dy herë këtë eksperiencë, por tani që kam kaluar një eksperiencë në “Euro 2016”, besoj se do ta shijoj më shumë, sepse do bëjmë disa gjëra më mirë”.

DËSHIRA E DITËLINDJES –“Dëshira e momentit është të kualifikohemi në EURO 2024. Rezultati i ndeshjes Shqipëri – Çeki? Do fitojmë ne, nuk ka rëndësi rezultati, mjafton të marrim tre pikët”.