Hidromorava

Duhet të jemi më vigjilent e më energjik

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Shefik Shkodra- Shumë qartë duhet t’i bëhet Serbisë, në rast bisede për Veriun e Kosovës, se, provokimi është për ritrasime të kufijve. Me këtë rast iniciator për këtë është vetë ajo. Por, këtu edhe Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më fleksibile në përfundimin e kësaj afere aspak të pranueshme.

Kah integrimi i domosdoshëm

Nëse kësaj nisme të bisedave Serbia e mendon dhe e paraqet ndarjen, atëherë duhet në kundërvlerë të kësaj, të paraqitet kufiri territorial i dikurshëm i shqiptarëve.

Integrimi i shqiptarëve do të shqetësonte shumë kënd, pra jo veç Serbinë. Por, integrimi ka qenë dhe është domosdoshëm për shqiptarët. Atë që nuk kanë mundur ta bëjnë shqiptarët me shekuj, tash mund të jetë rasti. Dhe, kjo ka qenë mirë të bëhet pa ndonjë pasojë. Kush mendon se do të shkaktohet dëm, e kundërta është, do të qetësohej gjendja në Ballkan. Pa vendosjen e këtij kombi në vendin e vet, e pa u qeverisur vetë, nuk do të ketë qetësi.

Atë që do dikush ta arrij me këtë e atë ndarje të Kosovës, paqja shumë e përkohshme do të jetë, sikur ka qenë edhe herëve të tjera deri me ditët e sotme. Sikur po pretendohet sot (ndoshta është një dyshim) edhe një herë, veç një krizë më e madhe inaugurohet në Ballkan nga ana bashkësisë ndërkombëtare. Për këto farë ndarjesh e rishikime kufijsh, ndoshta dikush tjetër është më i interesuar se shqiptarët. Por, pasojat do t’i bartin të gjithë dhe jo veç shqiptarët. Prandaj, këtë herë, në këtë shekull kemi menduar se do të vendoset çdo gjë në vendin e vet. Mjerisht, duket se këto bëhen sikur lojëra, si dikur që e dimë nga historia.

Nuk duhet vepruar kundër vetvetes

Fatkeqësisht, që nuk mund t’u lihet faji të tjerëve në praktikë, para se të fajësojmë veten tonë për shumë çka. Për këtë duhet të jemi shumë autokritik. Kundër vetvetes sillen shqiptarët. Sepse, dihet, si çdo komb tjetër në botë edhe shqiptarët kanë një gjuhë, një histori, një traditë dhe (do të duhej) një territor. Po shqiptarët është dashur dhe duhet edhe më tutje të sillen si komb e jo secili të lëvroj atë që dëshiron sipas ëndrrës së vet. Sipas tekeve e filozofisë naive. Kur e pyet i huaji – A je kështu? – Po kështu jam. – A mundet kështu? – Po mundet kështu, edhe ‘pranohet’. Dje ishe liridashës, atdhetar, luftëtar, sot çfarë je duke bërë? S’do mend se, përgjigjja është e dëmshme edhe i disa intelektualëve.

Nëse kjo ndodh nëpër kancelarit diplomatike për çështjen tonë, gjithnjë duke na i përcjellë maskarallëqet e grindjet në mes veti, për interesa personale e parciale, atëherë është e ditur se, të tjerët nuk kanë çka të bëjnë. Qindra herë është thënë e është potencuar transparenca. Por edhe mendimi i përbashkët për atë që është jetike për këtë komb.
Imagjinata për krijimtari është e mirëseardhur dhe e preferuar, por atë që e quajmë histori e që e kanë ndërtuar brezat me mundin më të madh, në mënyrë të përbashkët, bazë si të gjithë të tjerët për kombin, nuk duhet rrënuar përnjëherë. Dhe, dikush mund të mendoj se duhet të “shpiket” diçka në bashkëkohësinë tonë, po kjo s’është gjësend që të gdhendet e të ngjyroset sipas dëshirës së dikujt.

Shqiptarët mund të integrohen lirisht shumë shpejt e thjesht edhe në Evropë në çdo pikëpamje, veç si shqiptar e assesi ndryshe. Bagazhi i tyre është i plotësuar me të gjithë parametrat si komb më vete. Pa dyshim, jo vetëm që kanë pas dobi të tjerët prej tyre, por edhe në të ardhmen do të kenë. Por, ne gjithnjë është dashur e do të duhej që të sillemi me të gjithë si komb me të gjitha atributet.

Nuk dihet se kush po punon në kundërshtim të çështjes
Është pak e vështirë koha që të vërehet se, kush është kundër dhe kush pro ringjalljes e ngjalljes së shqiptarëve. Edhe dikush me shumë teori e filozofi…

Atë që e ka thënë Konica para më tepër se njëqind vite, tash sërish po vjen në shprehje. Këtë thënie tashmë e kemi ‘shtjerrë’ prej sa e sa vetash që e përdorin si ilustrim krahasues edhe sot, “Armiqtë e Shqipërisë më të mëdhenjtë janë vetë shqiptarët”.

Po, por këtë shpjegim Konica nuk e ka dhënë në kahe për ditët e sotme që po e përdor jo veç ai që ka të drejtë e në pajtueshmëri me qëllimin, por edhe ai që është në kundërshtim me këtë. Sigurisht, që të gjithë rilindësit shqiptarë ishin të një mendimi për një komb të tërësishëm me tokat e veta të tërësishme. Në asnjë moment nuk është hamendur asnjëri për një kozmopolitizëm e as për një shkrirje në njërin prej kombeve.

UBT

Atë ka mundur ta bëj secili individualisht, e për interesa shumë individuale, por assesi luftë për diçka të paimagjinueshme. Në një shndërrim të pakuptimtë. Një komb që nuk ka emër. Këtë nuk duhet ta pranojnë shqiptarët, sepse, do të jetë e dëmshme për vetë ata në të ardhmen.

Duhet pas parasysh problemin e përgjithshëm

Shihet që edhe kjo garniturë e politikanëve, kudo qofshin në trojet tona, nuk duken shumë të shqetësuar për këtë çështje. Nuk është e qartë, nëse ata dinë diçka të vërtetë lidhur me këtë, apo ndoshta edhe ata nuk i informon askush asgjë. Por, sidoqoftë, shumë zyrtarë (në Kosovë) po dalin të inkriminuar me korrupsion e krim të organizuar, por edhe me afera të tjera. Për gabimet e zyrtarëve, qofshin të vogla apo të mëdha, duhet të merren masa e të largohen nga vendi që përfaqësojnë.

Nëse nuk japin dorëheqje, duhet të shkarkohen nga detyra. Nëse këta zyrtarë nuk duan ta respektojnë ligjin dhe një farë kodi moral si në gjithë botën e civilizuar, atëherë çfarë mund të thuhet për këtë vend. Nëse, zyrtari jonë bien në grackë dhe nuk e pranon me kokëfortësi fajin, atëherë çfarë pasqyre është kjo në botën e civilizuar. Ani, si është e mundur të ketë ai person besimin te populli? Të gjitha këto dhe të tjera janë reflektime në botën që po na përcjellin. Secili prej këtyre zyrtarëve (me grada të ulëta apo të mëdha) nuk po del tjetër se bëjnë të “hairit”, përveç plaçkitjes, vjedhjes e dyshimit në afera të ndryshme. Sa zyrtari nga Qeveri e institucionet tjera dalin të akuzuar para gjyqit, për keqpërdorime në tenderët, për uzurpime, për ryshfet e për moskryerje të detyrës si duhet.

Në mjetet e informimit, ka ndodh të shihet ndonjë ‘ryshfetxhi’ i vogël që është dënuar diçka, por edhe ata që po shkatërrojnë me të madhe. Asgjë e jashtëzakonshme. Dhe, sikur nuk i ka ndodhur asgjë dashamirit. Si e duam ne demokracinë, vetveten, atdheun dhe të tjerët?! Kështu ne jemi kundër vetvetes. Në të tilla afera të tjerët gëzohen dhe marrin pjesë edhe vetë, dhe si pranë një zjarri që ngrohen pa mundi e bëjnë ‘sefa’ me hidhërimet tona në mes veti. Shumë gafe po bëhen nga ana e jonë dhe veç pasuria po del se na intereson. Punë shumë e pa vlerë dhe e përkohshme.

Uniteti shqiptar i pengon edhe e shumë të tjerë

Kontestet e disa shteteve evropiane, qe moti u kanë sjell kokëçarje të pa ndërprerë.
Parulla ‘Uniteti i shqiptarëve’ pengon jo veç Serbinë, por edhe më gjerë të tjerët. Droja ekziston në ngjashmërinë e vendeve me konteste, por, asnjëra nuk janë në ngjashmëri si shqiptarët me Serbinë. Serbia është pushtuese për shqiptarët dhe nuk ka të bëj asgjë as me gjuhë, traditë, kulturë e fe me shqiptarët.

Pra, pse të më mbaj nën sqetulla Serbia. E kanë frikën nga ky popull edhe për arsye të një ballanci fuqie të bashkuar në Ballkan. Edhe pse nuk ekzistojnë predispozita për frikë nga shqiptarët, përveç atyre (Serbisë, Greqisë etj.) që donë t’i ruajnë tokat dhe pasurit e tyre të okupuara me dhunë. Pra, ka edhe të tjerë evropianë, që do të shprehnin pakënaqësi për një bashkim të shqiptarëve.

Mënyra e lansuar e një ftillimi të një sistemi shoqëror në mes të këtij populli, si eksperiment e si provokim, për ta përqafuar është një tezë e papranueshme. Sipas kësaj shumë shenja janë parë brenda këtyre 12/13 viteve se, shqiptarët duhet ta braktisin vetveten si komb i deritashëm, ta pranojnë një substrakt apo, më mirë të themi, një shkrirje të pakuptimtë neveritëse, duke u zhveshur nga çdo gjë e anatomisë kombëtare, nëse duan të jetojnë të “lirë”. Këto shenja të para janë, multietniciteti, braktisja e historisë e e gjeografisë, lënia pas dore e kulturës dhe traditës, etj. Krejt çka është kombëtare të izolohet dhe të niset diç nga zero. Të shpërlahet truri që nga më i vjetri e deri te më i riu.

Që të futet grindja familjare për çështje morale, që të ngritën kundërshtitë në baza fetare e klasore…që të gjitha këto mjete lehtësuese për shkatërrimin e qenies kombëtare. Që të grinden partitë dhe liderët në mes veti. Kohën ta amortizojnë në punë e ‘llafe’ të kota. Që te mbetet pa zhvillim ekonomik Kosova dhe me standardin më të ulët për jetë. Që të lihen duke u marrë me punë të pista, si me drogë, me organizimin e krimit, me korrupsionin dhe t’u hidhet faji vetë atyre,etj.

Kjo po ndodh edhe në Shqipëri, por edhe te pjesët tjera. Një anë thuhet se, jemi në dispozicion që t’u ndihmojmë shqiptarëve, e në anën tjetër nuk po ndihmohet sa e si duhet. Një herë thuhet se, Kosova është e pranueshme si e pavarur si tersi territoriale, e në anën tjetër, duhet të bisedohet edhe për pjesët e saj, ashtu si preferon Serbia apo kushdo tjetër.