Fundamenti

Dubova: Rendi dhe rregulli nuk mund të konsiderohen terror

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Sqarim i Arben Dubovës rreth shkrimit “Qytetarët po terrorizohen padrejtësisht” botuar më 7 mars 2013.

Fillimisht duhet sqaruar opinionin, e pse jo edhe zotin Mehmeti se drejtorët sipas ligjit mbi vetëqeverisjen lokale nuk janë të obliguar të raportojnë në kuvendin komunal.

Raportin për punën e ekzekutivit para kuvendit e jep kryetari i komunës edhe atë në baza periodike dhe vjetore, ndërsa drejtorët japin informata dhe sqarime në kërkesat e këshilltarëve komunal.

Edhe pse ne një informatë sqaruese e kemi dhënë para qytetarëve se cilat janë shkaqet e vonesave të shkaktuara ditëve të fundit, megjithatë ne me kohë do t`i përgjigjemi edhe kërkesës së fundit të parashtruar nga këshilltarët komunal lidhur me situatën e fundit të krijuar në gjendjen civile edhe pse një situatë e tillë është në tërë Kosovën.

Krahasimi i hyrjes së administratës komunale me pjesën veriore të Mitrovicës, konsiderojmë se është tepër qesharak nga fakti se Arben Mehmeti hyn e del pa asnjë pengesë në objektet e administratës komunale sa herë që ka ndonjë punë të tij për të kryer, ndërsa nuk e besoj se të njëjtën e ka guximin ta bëjë edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.

Po të ishte kaq i përkushtuar zoti Mehmeti për qytetarët të cilët sipas tij po “terrorizokan”, do të qëndronte në mesin e tyre në radhë duke pritur për të marrë shërbime për vete e nuk do të hynte pa numër dhe duke tejkaluar radhët.

Shqetësimet e ngritura për kinse sjelljet e pahijshme të sigurimit janë gjithashtu të paqëndrueshme dhe të paargumentuara, pasi që deri më sot, asnjë ankesë e tillë nga qytetarët nuk ka ardhur në drejtori, sepse po të kishte qoftë edhe një të vetme, ne sigurisht se do të ndërrmernim masa.

UBT

Drejtoria ka ndërmarrë masa me qëllim të vendosjes së rendit dhe rregullit për të ofruar shërbime të barabarta për të gjithë, por gjithnjë duke respektuar radhën e paraqitjes sepse në këto kushte është e vetmja mënyrë për punë normale të shërbimit, ndërsa punëtorët e sigurimit të cilët asnjëherë nuk kanë qenë më shumë se dy janë aty pikërisht për tu kujdesur për rend dhe rregull dhe për të mos lejuar anarki brenda administratës komunale.

Gjithashtu dëshirojmë të sqarojmë opinionin se drejtori i administratës asnjëherë të vetme nuk ka deklaruar se “puna e sigurimit është e pavarur dhe ata nuk na japin llogari neve”, mirëpo duhet rikujtuar të gjithëve se drejtori i administratës asnjëherë nuk do ta lejon që dikush ta prish rendin dhe kriteret e vendosura nga drejtoria, qoftë brenda apo jashtë institucionit komunal.

Ne jemi këtu për t`i shërbyer qytetarëve dhe punën tonë do ta vazhdojmë pa u ndikuar aspak nga tendencat e tilla për ta njollosur institucionin komunal dhe nuk do të lejojmë që rezultatet e arritura deri më tani t`i zhvlerësojë dikush i cili ndoshta e ka mision këtë.

Me këtë rast dëshirojmë të njoftojmë publikun se për çdo ditë në gjendjen civile lëshohen mbi 200 dokumente dhe ky është një tregues i mirë se shërbimi po funksionon për mrekulli dhe qytetarët po marrin shërbime, mirëpo kërkesa tejet e madhe për dokumente natyrisht që shkakton pritje.

Vërejtjet eventuale që qytetarët mund t`i kenë qoftë në punëtorët e sigurimit apo në zyrtarët tjerë, ato mund t`i paraqesin kurdo që ndodh ndonjë gjë e tillë dhe ndaj tyre do të reagojmë me kohë, mirëpo përkushtimi ynë për t`i realizuar objektivat tona të paracaktuara nuk do të luhatet në asnjë moment nga shkrimet e tilla të cilat nuk janë gjë tjetër përpos një tendencë për ta penguar rrugën tonë dhe sa për ta dërguar një porosi politike në vend.

Arben Dubova – autori është drejtor në administratën e përgjithshme