Duam të kontribuojmë në edukimin shëndetësor të popullatës

Gjilan – Për ngritjen e kulturës së përgjithshme shëndetësore në Kosovë, nuk mjafton vetëm trajtimi i pacientëve, por është i nevojshëm edhe një edukim i qytetarëve në pikëpamje të kujdesit shëndetësor.
Në Gjilan, infermieret Ajshe Leka dhe Ardiana Shahini, punëtore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, pos punës së tyre të përditshme në këtë institucion të kujdesit primar, kanë bërë një hap më shumë në avancimin e kujdesit shëndetësor, duke botuar edhe një revistë periodike për shëndetin.
Numrin e parë e kanë përgatitur dhe financuar vetë, për të dëshmuar përkushtimin dhe seriozitetin e tyre që të bëjnë diçka konkrete në këtë drejtim, ndërsa më tutje, kanë formuar edhe një këshill redaktues, që përbëhet nga stafi i QKMF-së.
Një revistë për shëndetin del për herë të parë në QKMF, thotë kryeredaktorja Ajshe Leka, infermiere e lartë profesionale. Ajo shprehet e kënaqur që puna e tyre mori edhe mbështetje institucionale, pos asaj profesionale, nga kolegët. Numri i dytë, që kemi botuar tani, është financuar nga zyra e Kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa, për çka jemi shumë mirënjohës si redaksi, thotë ajo.
“Shëndeti” ka karakter edukativ, informativ dhe promovues dhe u jep mundësi qytetarëve që të mësojnë më shumë për problematikat shëndetësore. Revista ka edhe hapësirën që u dedikohet këshillave mjekësore, thotë Leka.
Ajo shpreson se sado pak, Shëndeti do të ndikojë në ngritjen e nivelit të shëndetësisë dhe të vetëdijesimit të qytetarëve në aspektin shëndetësor.
Ndërkaq, Ardiana Shahini, redaktore përgjegjëse e revistës, thotë se numri 2 i revistës sjellë këshilla për menaxhimin e diabetit, për rolin e bashkëpunimit ndërprofesional në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, trajtimin e plagëve dekubitare, rolin e infermierisë në edukimin shëndetësor, duhanin dhe pasojat e tij si dhe tema të tjera.
Në këtë numër botohet edhe biseda me drejtorin e Shëndetësisë, dr Xhemajl Salihu, i cili shprehet i kënaqur me nivelin e shërbimeve shëndetësore në Gjilan, ndërkohë që shpalos edhe prioritetet e kësaj drejtorie.
Leka dhe Shahini thonë se Këshilli redaktues ka pasur mbështetje të madhe në punën e tij edhe nga drejtori i QKMF-së, Valbon Milazimi, i cili ua ka krijuar kushte dhe mundësi për përgatitjen dhe botimin e revistës “Shëndeti”./rajonipress/