Drita po përgatitet në Durrës

Gjilan – Drita ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolluese duke mundur ekipin e kategorisë së parë në Shqipëri, Egnatia me rezultat 3:1.
Tash e sa ditë, futbollistët e Dritës janë duke u përgatitur në Durrës të Shqipërisë, me qëllimin parësor që edhe në pranverë të tregojnë lojëra të pëlqyeshme.
Ekipi gjilanas që edhe në pranverë do të udhëhiqet nga kryetrajneri Arbnor Morina, ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolluese ndaj duke mundur ekipin e kategorisë së parë në Shqipëri, Egnatia me rezultat 3:1.
Siç ka theksuar Ismajl Rashiti, kryetar i klubit, në pranverë, Drita do të jetë e përforcuar me disa lojtarë, ngase tashti ka angazhuar Florent Osmanin, që erdhi nga kampionati shqiptar, Alban Tasumin nga Drenica e Valmir Ramadanin nga Gjilani, derisa në prova janë Besfort Sopa nga Ferizaj, Flamur Fazliu nga Presheva e Benjamin Xhemaili nga Tërnoci.
Sipas Rashtit, në Durrës po punohet nga dy herë në ditë, kurse ekipi vazhdon ta ketë synim lojën e mirë si deri më tashti e nëse vazhdohet si një vjeshtë, atëherë klubi do të jetë në krye të tabelës e Drita synim të sajin e ka edhe Kupën e Kosovës.
Edhe Blerim Azizi, drejtor në KF Drita, thotë se ky ekip është riorganizuar edhe tek kategoritë e reja, ngase mëtojnë që në një të ardhme të afërt të krijojnë futbollistët e vet. Ai tha se forcat do të orientohen te shkolla e futbollit, ku janë bërë riorganizime.
Ai tha se Beqir Beqiri, është koordinator i ri i shkollës së futbollit, me juniorë do të punojë Naser Bunjaku, me grupmoshat e tjera të reja Rabit Matoshi, Skënder Bunjaku e Shefket Sermaxhaj, kurse kryesia e klubit që në start ka vendosur se më fëmijët nuk do të lejohet të përgatiten në terren të hapur, por edhe kategorive të reja u janë siguruar kushtet sikur çdo kategorie tjetër. /rajonipress/