Hidromorava

Drita pa kryesi, pa drejtor e pa trajner

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

KF Drita pas humbjes së kryesisë së klubit, të mërkurën, e ka humbur edhe njeriun e fundit që i kishte mbetur besnik deri më tashti, drejtorin Ismajl Rashiti. Klubi nuk ka as trajner dhe tani thuaja se çdo gjë duhet të fillojë nga e para.

Rashiti ka dhënë dorëheqjen e tij dhe kështu ka bërë që ekipi gjilanas të fillojë nga zeroja në kompletimin e kryesisë së re para fillimit të sezonit të ri. “Xhaja” siç njihet Rashiti nga të gjithë, i ka çuar duart pasi që nuk arriti të gjejë njerëz që do të mbështesin klubin financiarisht.

“Prej sodit nuk jam më drejtor i Dritës. Jap dorëheqje nga të gjitha funksionet në klub, për arsye tashmë të ditura, se nuk ia dola të gjej njerëz dhe donatorë që do ta ndihmonin klubin për të mbijetuar”, tha Rashiti.

“Jam munduar maksimalisht këto 2 vite, por gjërat nuk kryhen në këtë mënyrë dhe i vetmuar. E kemi marrë klubin buzë shkatërrimit, në Ligë të parë, e kthyem në Superligë dhe në fund nuk gjetëm askëd që të shkojmë përpara”.

Ai tha se është larguar që t’u hapë rrugë të tjerëve që t’i afrohen klubit, mirëpo megjithatë do të vazhdojë të jetë afër tij.

“Ndoshta unë kam qenë pengesë që puna të shkoj përpara dhe klubi të ketë një kryesi të fortë. Po largohem me shpresë së gjërat do të përmirësohen para fillimit të sezonit të ri, por gjithnjë me qëllimin që të jem afër dhe ndihmoj klubin”, shtoi Rashiti, i cili në të kaluarën me sukses ka luajtur për Dritën dhe ka qenë pjesë e shtabit teknik të saj.

Hidromorava

“Jam i gatshëm të kthehem kur klubi të shndërrohet në shoqëri aksionare dhe të jap sërish kontributin tim”.

Në largim të tij Rashiti si mandatar për kompletimin e kryesisë së re e ka caktuar Fisnik Kërqelin, i cili ka dhënë kontribut për klubin gjilanas. “Jam në pritje të konfirmimit të dorëheqjes së Xhajës dhe të filloj punën në konstituimin e kryesisë së re”, tha Kërqeli.

Sipas tij hapi i parë si mandatar është të filloj takimet dhe bisedat me njerëzit që janë të gatshëm t’i shtrijnë dorën Dritës. “Shumë shpejt do ta thërras një takim me biznesmenë të qytetit dhe të shoh se çfarë është disponimi i tyre që të ndihmohet klubi. Do të shoh se sa janë të interesuar që të mbështesin financiarisht klubin”, shtoi Kërqeli.

“Në bazë të disa informatave që kam në qytet ka njerëz që duan të ndihmojnë klubin dhe kjo është një bazë e mirë për të vazhduar punën drejt krijimit të një kryesie stabile, siç i ka hije një klubi si Drita”.

“E di që njerëzit janë lodhur duke dhënë dhe po ikin nga futbolli, por jam i bindur se do t’i gjejmë njerëzit e duhur dhe që qytetit dhe tifozëve tanë t’ia ofrojmë një klub që do të ndjekë kreun e futbollit kosovar në sezonin e ardhshëm dhe kthejë trofetë në Gjilan”, tha Kërqeli.

Javën që shkoi tërë kryesia e Dritës kishte dhënë dorëheqje.(zeri)