Drita mendon për tifozë
Në edicionin e fundit, Drita e pati shkëlqyer Superligën, edhe pse vinte nga Liga e Parë. Por, me të përfunduar ai kampionat, kjo skuadër e humbi atë shkëlqim, ngase e braktisën thuajse të gjithë futbollistët e ekipit të parë.
Ndërsa, tani bardhekaltrit po përpiqen që ta konsolidojnë sa më mirë skuadrën, jo pse duan që të luftojnë për titull, por sa për t’i kënaqur tifozët me lojëra të mira.
Në edicionin e kaluar, Drita ishte njëra prej skuadrave më të mira në Superligë, madje duke qëndruar goxha gjatë edhe në luftë për titull.
Por, me të përfunduar kampionati, ky klub disi nisi ta marrë tatëpjetën. Thuajse të gjithë futbollistët e 11-shes së parë e braktisën si: Erdin Hashani, Florent Sejdiu, Visar Sermaxhaj, Fidan Gërbeshi, Labinot Jetullahu, Armend Kastrati etj.
Megjithatë, bardhekaltrit dikur nisën të zgjohen nga gjumi për ta bërë gati skuadrën e tyre për edicionin e ri. Fillimisht ata në krye të shtabit teknik e vendosën trajnerin e njohur, Arbnor Morinën, derisa më pas vazhduan me përforcime, apo më mirë të thuhet me transferimin e zëvendësuesve të lojtarëve të ikur.
Deri më tash, gjilanasit në ekipin e Morinës i kanë sjellë këta lojtarë: Emir Ramën, Ismet Cakën, Ismet Ramushin, Genc Sermaxhajn, Besmir Gjikën, Xhevdet Shabanin e Ardian Latifin.
Por, për Morinën ky numër është i vogël. “Sigurisht se pres edhe ardhje të reja, sepse fondi i lojtarëve është shumë i vogël. Kjo pasi numri i lojtarëve të larguar është tepër i madh, kurse lojtarët e mbetur thuajse nuk kanë luajtur fare më parë, andaj tani është thuajse njësoj sikur të ndërtosh diçka nga fillimi”, tha Morina, i cili megjithatë mbetet i kënaqur me punën që po bëhet në seancat stërvitore.
Pas gjithë atyre largimeve, Morina është i vetëdijshëm se e ka thuajse të pa mundur ta përgatisë një Dritë që do të luftonte për titull, siç do të dëshironin tifozët e saj. Por, trajneri prishtinas po mundohet që ta bëjë gati Dritën që t’i kënaqë me lojëra atraktive ‘Intelektualët’ e saj.
“Jemi duke u munduar ta komponojmë sa më mirë skuadrën. Objektivi kryesor i yni do të jetë që të bëjmë lojëra të mira, ashtu siç dëshiron tifozeria në Gjilan. Kjo është primare, ndërsa me ato lojëra të mira do të mundohemi të korrim edhe rezultate pozitive, ndërsa më pas do ta shohim pozicionin tonë në tabelë”, theksoi ish-trajneri i Hysit dhe disa ekipeve të tjera.(express)