Drita hyn në vallen e të rrezikuarve

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Një pikë e fituar në ballafaqim me Hajvalinë, i prish shumë punë ekipit të Dritës, ngase seriozisht futet në vallen e të rrezikuarave, derisa Hajvalia është ndarë e kënaqur me pikën e fituar dhe tashti më e qetë e pret fundin e kampionatit. Drita – Hajvalia 1:1 (1:1). Shënues: Ramushi 45’ (nga pika e bardhë) – Zabërxha 41’

Ekipi vendas ka pasur shumë më tepër nga loja, pati shumë raste, por shumicën nga to i huqi. Qysh në minutën 12, B. Shabani e ka shërbyer Ramushin, i cili e kaloi edhe portierin, por atij nga pas topin ia largoi mbrojtësi Troshupa. Rast të mirë pati edhe Kelmendi në minutën 22, por gjuajtjen e tij e ndali i mrekullueshmi Maloku.

Në minutën 41, Drita organizoi një kurth të pozitës jashtë loje, por hesapi u doli keq, ngase Pacolli shërbeu Zabërxhën, i cili u përvodh dhe kaloi edhe portierin Latifi dhe e dërgoi topin në rrjetën e zbraztë. Vendasit u hodhën në sulm dhe kur po luhej koha shtesë e pjesës së parë, Troshupa, nga prapa e rrëzoi Xh. Shabanin e gjyqtari Janovaliu tregoi në pikën e bardhë. ISmet Ramushi ishte i pagabueshëm, duke qëlluar këndin e majtë të poshtëm.

Në pjesën e dytë loja e vendasve ishte më e zbehtë. Rasti më i mirë i vendasve ishte ai i minutës 68, kur Zhdrella harkoi nga e majta e Xh. Shabani për pak gjuajti mbi portë. Rast të mirë pati edhe Ramushi, por ai edhe njëherë u ngatërrua. Rasti më i mirë për vendas ishte ai i minutës 85, kur Hasani gjuajti nga afërsia e Maloku shpëtoi gol të sigurt.

Humbja e këtyre rasteve, për pak sa nuk u kushtoi vendasve. Krasniqi nga një rast ideal për pak gjuajti jashtë porte, derisa edhe një gjuajtje të mysafirëve e ndali portieri Latifi.

Thanë pas ndeshjes:

Uji Dea

Nga ekipi vendas nuk pati prononcim, ngase pas barazimit sqarimet brenda në zhveshtore ishin të gjata dhe askush nuk u paraqit para gazetarëve.

Sunaj Keçi (Hajvalia): “Barazimi ishte epilog real. Patëm dy raste në fund dhe mundëm të arkëtojmë tri pikë. Luajtëm mirë, ishim më të rrezikshëm e Drita mbizotëroi në fushë”.

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 500. Arbitra: Janovaliu – Ejupi – Latifi – Tahiri. Shënues: Ramushi 45’ (nga pika e bardhë) – Zabërxha 41’. Kartoni i verdhë: Latifi, Hasani, Tusuni, B. Shabani – Zhjeqi, Gashi.

Drita: Latifi, Prekopuca (Ajdari), Syla, Hasani, Limani (Bërbatovci), Tusuni, B. Shabani, Kelmendi (Gashi), Zhdrella, Xh. Shabani, Ramushi. Trajner: Bekim Isufi.

Hajvalia: Maloku, Shabani, Hashani, Zhjeqi, Troshupa (Krasniqi), Hamiti, Karabegu, Gashi, Guraziu, Pacolli, Zabërxha. Trajner: Sunaj Keqi. /rajonipress/