UBT

Drews për veriun: Nuk durojmë më

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Teksa pret një zgjidhje të shpejtë politike për veriun, misioni i KFOR-it në Kosovë është i vendosur të garantojë lëvizje të lirë në çdo cep të vendit dhe zero tolerancë ndaj çdo aksioni të dhunshëm kundër organizatave ndërkombëtare.

Këtë e ka konfirmuar të enjten komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, gjatë një vizite që e ka bërë në komunën e Gjakovës.
“Nuk presim përkeqësim të situatës, por përkundrazi ndoshta përmirësim të saj. Presim një zgjidhje politike në mes të qeverisë së Beogradit dhe asaj të Prishtinës, sigurisht me mbështetje ndërkombëtare, mirëpo në anën tjetër presim edhe përmirësime të raporteve të qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në pjesën veriore”, ka thënë Drews.

Duke folur për aksionin e fundit të KFOR-it, për largimin e barrikadave serbe, siç njofton “Zëri”, gjenerali Drews ka thënë se lëvizja e lirë mbetet prioriteti kryesor i misionit paqeruajtës, prandaj në këtë drejtim nuk do të ketë asnjëherë kompromis me askënd.

RCCOLA

“Shpresoj se mesazhi ynë ka arritur në cak, mesazh që do të jemi gjithmonë të prerë dhe nuk do të tërhiqemi nga detyra jonë kryesore, nga misioni ynë dhe kjo do të qëndroj edhe në të ardhmen”, ka thënë ai, ndërsa kundërpërgjigjen e serbëve në këtë aksion e ka quajtur si akt kriminal e terrorist.

“Deri me tani kemi qenë mjaft të duruar dhe kemi pasur shumë bisedime me përfaqësuesit e qytetarëve në pjesën veriore të cilët gjithmonë i kemi inkurajuar që t’i largojnë vet ato barrikada. Mirëpo, dikur vjen koha kur vërtete duhet vepruar dhe ashtu edhe ka ndodhur. Unë i akuzoj dhe i gjykoj të gjitha ato veprime që kanë ndodhur si kundër reagim ndaj operacionit tonë, reagime të cilat sipas mendimit tim janë të ndërmarra nga grupe kriminale e terroriste”, ka vazhduar ai, ndërsa nuk ka harruar t’i falënderojë ushtarët e KFOR-it, të cilët edhe përkundër rrezikut vdekjeprurës që u është kanosur, e kanë ruajtur gjakftohtësinë dhe kanë vepruar mjaft profesionalisht, duke e evituar më të keqen, humbjen e jetëve të njerëzve.

Ndryshe, gjenerali Drews është takuar me kryetarin e komunës së Gjakovës Pal Lekaj, nga i cili është njoftuar për të gjitha zhvillimet në Gjakovë, duke filluar nga angazhimet për zhvillim ekonomik lokal, integrimi i minoriteteve, çështja e sigurisë e deri tek çështja e aeroportit ushtarak të Gjakovës, për të cilin është thënë se i mbetet qeverisë italiane si investitor, që ta marrë një vendim për kohën dhe fatin e mëtejmë të tij. /Telegrafi/