Drews: Ndryshimi i kufijve, kërcënim për paqen në rajon
Ndryshimi i kufijve të Kosovës do të shpie deri te ndarjet e reja në Ballkan dhe kjo do të ishte kërcënim për paqen në rajon. Kështu ka deklaruar dje në Pejë komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ku ka lavdëruar punën e forcave paqeruajtëse në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Erhard Drews, i ka porositur kosovarët që të mendojnë dhe të punojnë për integrimet euroatlantike dhe evropiane si rruga më e mirë e suksesit dhe e së ardhmes së vendit.
Porosia e numrit një të KFOR-it është bërë nga baza ushtarake e KFOR-it në Pejë në fshatin Italia, ku të hënën është bërë ndërrimi i komandës në pjesën perëndimore ku vepron KFOR-i, transmeton Koha.net.
Në ceremoninë ushtarake të mbajtur me këtë rast ka marrë pjesë edhe ministri italian i Mbrojtjes, Gianpaolo di Paolo.
Gjeneral Drews është shprehur i bindur se Kosova është duke ecur përpara dhe në këtë drejtim duhet të shikojmë vetëm nga e ardhmja dhe jo e kaluara. Ndërsa i pyetur nga gazetarët për sigurinë në pjesën veriore të Mitrovicës, Drews ka thënë se KFOR-i ofron siguri për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe pjesën veriore.
“KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës mandatin e tyre e kanë të krijojnë siguri në gjithë vendin, por respektimi i ligjit lidhet edhe me EULEX-in”, ka thënë Drews.
Ai ka falënderuar ushtarët italianë të KFOR-it që kanë shërbyer në Kosovë gjatë këtij 6- mujori dhe ka uruar ushtarët e rinj që kanë nisur misionin e tyre të hënën.
Ministri italian i Mbrojtës, Gianpaolo di Paolo, ka qenë shumë i shkurtër në adresimin para ushtarëve të rreshtuar. “Dola këtu vetëm për t’ju përshëndetur juve që keni punuar në shumë shtete të tjera dhe keni krijuar siguri për qytetarët. Një falënderim i madh për punën që keni zhvilluar edhe në momentet me të vështira”, ka thënë ministri italian Paolo. /Telegrafi/