Eko Higjiena

Drejtoria e Inspeksionit në Gjilan paralajmëron masa: Asnjë kompromis ndaj shkelësve të ligjit

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Drejtori i Drejtorisë së Inspeksonit në Komunën e Gjilanit, Isa Agushi, ka theksuar se kjo drejtori po e ushtron veprimtarinë e saj në përputhje të plotë me ligjet në fuqi dhe pa asnjë kompromis ndaj atyre që veprojnë në kundërshtim me to.

Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve të komunës së Gjilanit që të pajisen me lejet përkatëse për çdo aktivitet ndërtimor apo ushtrim të veprimtarisë afariste.

Sipas tij, askush nuk do të lejohet të zhvillojë veprimtari në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Drejtoria e Inspeksionit mbetet e hapur për çdo pyetje apo sugjerim nga qytetarët dhe është e gatshme të ofrojë sqarime dhe mbështetje në kuadër të kompetencave të saj”, theksoi Agushi.

Ai shtoi se me fillimin e sezonit pranveror, shumë restorante dhe kafiteri kanë nevojë për shfrytëzimin e hapësirave publike, prandaj i ftoi bizneset që të pajisen me lejet e nevojshme dhe t’i respektojnë kushtet e përcaktuara në ato leje.

Hidromorava

Agushi theksoi se Drejtoria e Inspeksionit do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe do të bashkëpunojë me ta në të gjitha sferat, duke falënderuar njëkohësisht kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për besimin dhe përkrahjen ndaj kësaj drejtorie.

Në një kohë kur për vite me radhë në Gjilan është përfolur për mungesë rendi institucional dhe tolerim të shkeljeve ligjore, Drejtoria e Inspeksionit po shfaq një qasje më të vendosur ndaj zbatimit të ligjit.

Në krye të saj, drejtori Isa Agushi konsiderohet ndër zyrtarët që e ka marrë me seriozitet të veçantë përgjegjësinë për vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në një komunë ku për një kohë të gjatë kanë dominuar kaosi urbanistik dhe papërgjegjësia institucionale.

Me një qasje më të rreptë ndaj shkelësve dhe me thirrje të vazhdueshme për respektimin e ligjit, ai synon të rikthejë standardet e rendit dhe përgjegjësisë në administrimin publik./rajonipress/