RCCOLA

Drejtoria e Bujqësisë shpall fermerët e vitit

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan ka organizuar manifestimin “Fermeri i vitit 2012”, ku pos që është dhënë një pasqyrë e shkurtër e projekteve të realizuara gjatë këtij viti dhe është premtuar vazhdimi i përkrahjes së mëtejme për bujqësinë, janë shpallur edhe fermerët më të mirë.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka thënë se fermerët po e bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë, duke e nënvizuar edhe përkrahjen që këtij sektori po i japin, pos qeverisë qendrore e lokale, edhe bankat dhe donatorët e ndryshëm.

“Do të donim që këto investime të ishin edhe më të mëdha, por duhet ta kuptojmë të gjithë se bashku se këto janë mundësitë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Për më tepër ai ka thënë se në këtë moment nuk ka detyrë më të madhe se sa zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës dhe këtë mund ta arrijmë vetëm nëse i edukojmë mirë njerëzit tanë, në të gjitha fushat, përfshirë edhe bujqësinë, që është një resurs i rëndësishëm për Kosovën.

Kreu i Komunës, Qemajl Mustafa i ka inkurajuar fermerët që t`i orientojnë fëmijët e tyre më shumë nga drejtimet bujqësore dhe si kuadro të edukuara profesionalisht të marrin përgjegjësi për zhvillimin e këtij sektori.

“Kosova ka resurse bujqësore dhe këtë mundësi duhet ta shfrytëzojë për zhvillim”, ka thënë Qemajl Mustafa, derisa i ka përgëzuar fermerët e vitit dhe gjithë të tjerët që merren me këtë degë të rëndësishme.

Ndërkaq, Nazmi Rapuca, drejtor për Bujqësi dhe Pylltari, ka thënë se janë munduar që të krijojnë raporte sa më të mira me fermerët, duke iu ofruar me kohë për të gjitha projektet dhe duke iu ofruar këshilla profesionale, sa herë që ka qenë e nevojshme.

Uji Dea

“Jemi munduar të jemi të drejtë dhe të paanshëm edhe në ndarjen e granteve dhe subvencioneve për fermerët”, ka thënë Rapuca.

Derisa ka përmendur shkollën e bujqësisë, ai ka thënë se nxënësit e këtij drejtimi i kanë të gjitha mundësitë që të aftësohen edhe në pjesën praktike, sepse falë donatorit “Danida”, kjo shkollë, pos objektit të ri, ka edhe sera, pemishte, miniferma dhe laboratorin.

Medin Zeqiri, zyrtar i DBP-së, ka prezantuar projektet e realizuar gjatë vitit 2012.

Drejtoria e Bujqësisë ka shpallur 20 fermerët e vitit, në të gjitha degët e bujqësisë, që nga prodhimi i qumështit e deri te prodhimi i mjaltit, të cilëve u janë shpërndarë mirënjohje.

Fermerë të vitit 2012 janë : Mitat Bixhaku, Jetullah Ramabaja, Blerim Shefkiu, Fatmir Sherifi, Velko Stojanoviq, Metush Maksuti, Sallah Sherifi, Ramadan Ajvazi, Fadil Berisha, Artin Namoni, Nevruz Malazogu, Adem Sylejmani, Remzi Zharjani, Agim Sahiti, Maliq Kosumi, Ukë Martinaj, Halit Xoxa, Demush Spahiu, Muhamet Memeti dhe Lulzim Hasani. Të gjithë fermerët pos mirënjohjeve janë shpërblyer edhe me nga 100 euro.

Në këtë manifestim, që është mbështetur edhe nga ProCredit Bank, janë ekspozuar prodhime vendore të prodhuesve dhe përpunuesve të kësaj komune./rajonipress/