Drejtorët raportojnë para Mustafës

Gjilan- Sa i përket zhvillimeve të përgjithshme në Komunë Qemajl Mustafa është shprehur i kënaqur përgjithësisht, por kërkoi një angazhim më të shtuar dhe të vendosur gjatë punës në institucionet komunale.
Në takimin e këshillit të drejtorëve Qemajl Mustafa ka folur rreth projektit të lumit “Mirusha”, financimit të tij, përgatitjeve, nënshkrimit të kontratës, mbikëqyrjes së projektit etj.
Mustafa gjithashtu ka theksuar edhe pengesën që po u bëhet qytetarëve të Komunës së Gjilanit në afërsi të disa kafiterive nga zhurmat e pakontrolluara që lëshohen prej tyre deri në orët e vona, me të cilat ai tha se do të merremi me seriozitet për kthimin e normalitetit.
Bujar Nevzati, drejtori i arsimit tha se këtë vit pritet të jenë gati për procesin e mësimit dy shkolla të reja, ajo në lagjen II dhe shkolla e mesme e Bujqësisë. Ai informoi këshillin edhe për mbylljen e konkursit për vende të reja në arsim dhe për themelimin e komisionit intervistues i cili këtë vit përzgjedhjen e kuadrit arsimor do ta bëjë në bazë të intervistave me shkrim dhe me gojë nga testet në gjuhën shqipe dhe nga lënda e matematikës, ku poentohet gjithçka në intervistë.
Gjithashtu një përparësi për këtë vit në këtë drejtori është edhe përzgjedhja e hershme e kompanisë për sigurimin e lëndëve djegëse për ngrohje të shkollave.
Përderisa në drejtorinë e Shërbimeve Publike kontrata për mirëmbajtjen verore është nënshkruar dhe mbetet vetëm fillimi i punëve në teren ka thënë drejtori i kësaj drejtorie, Behar Mehmeti.
Kurse drejtori i ri i emëruar javën e kaluar në Drejtorinë e Kulturës, Veton Nevzati, tha se punët në këtë drejtori i ka marrë shumë seriozisht dhe pret mbarëvajtje të të gjitha aktiviteteve që janë në domenin e kësaj drejtorie, ndërsa informoi këshillin për pranimin e një donacioni për rrethojën e Palestrës sportive.
Nga ana tjetër Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Xhemajl Salihu, tha se është duke u punuar në ambulanten në fshatin Bresalc, kurse për ambulanten në rrugën Ramiz Cërrnica është bërë projekti për ujin e pijes.
Derisa Gani Neziri drejtor i Gjeodezisë ka bërë me dije se ka filluar rikonstruimi i Kadastrës në tri zona, në Zhegër, Lladovë dhe Malishevë, që për qytetarët është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe, sepse redukton dokumentacionet e shumta dhe financiarisht qytetari nuk obligohet asnjë cent, për derisa për një punë të tillë ai para këtij projekti do të duhej të paguante sigurisht një shumë prej më shumë se një mijë euro për zgjidhjen e cila atij i përshtatet.
Me planet rregulluese është duke u punuar mirë, por është i nevojshëm një ritëm edhe më i shpejt theksoi drejtoresha e urbanizmit Bahrije Mahmuti. Gjithashtu kanë raportuar edhe drejtorët e tjerë, duke treguar kështu përkushtimin e tyre në shërbim të qytetarit./rajonipres/