Drejtorati për Buxhet dhe Financa publikon raportin vjetor 2025: Mbi 6 mijë lëndë të trajtuara dhe mbi 2.3 milionë euro të hyra nga tatimi në pronë
Gjilan – Drejtorati për Buxhet dhe Financa ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, i cili pasqyron në mënyrë të detajuar aktivitetet, rezultatet dhe performancën financiare gjatë periudhës njëvjeçare, nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2025.
Sipas raportit zyrtar, kjo drejtori ka protokolluar gjithsej 6,375 lëndë në arkiv, duke reflektuar një volum të lartë pune administrative dhe financiare. Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë shpërndarë 22,775 fatura të Tatimit në Pronë, ndërsa janë regjistruar 1,246 objekte të reja, duke zgjeruar bazën tatimore komunale.
Raporti thekson se zyrtarët e tatimit në pronë kanë ndërmarrë 7,229 veprime në sistem, duke siguruar menaxhim efikas dhe përditësim të vazhdueshëm të të dhënave. Në aspektin e shpenzimeve buxhetore, gjatë kësaj periudhe janë zotuar 4,800 lëndë, ndërsa 4,516 lëndë janë regjistruar si shpenzim dhe janë certifikuar, fotokopjuar dhe arkivuar në arkivin e thesarit komunal.
Një nga treguesit kryesorë të performancës financiare mbetet realizimi i të hyrave nga tatimi në pronë, i cili për vitin 2025 ka arritur vlerën prej 2,359,565.82 euro, duke dëshmuar një nivel të qëndrueshëm të inkasimit dhe menaxhimit financiar.
Drejtorati për Buxhet dhe Financa vlerëson se raporti vjetor ofron transparencë të plotë mbi punën e institucionit dhe shërben si bazë për planifikimin e ardhshëm, përfshirë Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028, rrjedhën e parasë dhe aktivitetet tjera financiare.
Qytetarët dhe palët e interesuara mund të informohen më gjerësisht për punën dhe aktivitetet e kësaj drejtorie duke konsultuar raportin e plotë të publikuar./rajonipress/

