Drejtësia, urgjentisht në sitën e dekriminalizimit
Njohës të fushës së sundimit të ligjit mendojnë se Kosovës i duhet që në mënyrë urgjente të pastrojë institucionet nga të gjithë zyrtarët e inkriminuar, që kanë abuzuar me pozitën, kanë shpërdoruar fondet publike, një veprim që ka vite nuk është duke u bërë bazuar në ligjet e vendit.
Kelmendi: Mafio-oligarkët e politikës dhe nëntokës kriminale e kanë ndikimin e thellë dhe kontrollin e tyre në drejtësinë kosovare
“Na duhen persona me integritet, me moral dhe edukatë, me kulturë, patriotë dhe të gatshëm për sakrificë. Në të gjitha institucionet së paku si titullarë na duhen njerëz të tillë. Personeli i tillë do t’i kishte respektuar këto dy elementet tjera, do t’i kishte respektuar institucionet dhe do t’i kishte respektuar ligjet”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për “Kosova Sot”
Njohës të fushës së sundimit të ligjit mendojnë se Kosovës i duhet që në mënyrë urgjente të pastrojë institucionet nga të gjithë zyrtarët e inkriminuar, që kanë abuzuar me pozitën, kanë shpërdoruar fondet publike, një veprim që ka vite nuk është duke u bërë bazuar në ligjet e vendit.
Sipas njohësve të kësaj fushe, mjafton të shihen vetëm raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për të kuptuar se sa shumë shkelës kemi në të gjitha nivelet e pushtetit në vendin tonë.
Këto fakte janë të mjaftueshme për të kërkuar dhe vepruar që urgjentisht të pastrohet edhe sistemi i drejtësisë, ku ka plot zyrtarë të sistemit kanë bërë pasuri të pajustifikueshme, përmes trafikimit të proceseve gjyqësore. Mirëpo, ekspertët e kësaj fushe mendojnë se megjithatë pa e bërë një VETTING do të jetë e kotë të flitet për reforma kadrovike dhe strukturore, sepse vetëm VETTING-u i pastron radhët e gjyqësorit, policisë dhe prokurorisë, pa pastrimin e të cilave është vështirë të kthehet besimi i humbur tashmë në drejtësinë e Kosovës.
Këtë mendim e ka njohësi i kësaj fushe dhe analisti Bislim Aliu. “Nëse dëshirojmë të kemi drejtësi të vërtetë dhe të pavarur, patjetër duhet urgjentisht të pastrohen institucionet, nga të gjithë zyrtarët e inkriminuar, që kanë abuzuar me pozitën dhe kanë shpërdoruar fondet publike. Për këtë, mjafton të shihen vetëm raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për të kuptuar se sa shumë shkelës kemi në të gjitha nivelet e pushtetit të vendit tonë”, theksoi ai për “Kosova Sot”.
Aliu: Pastrimi i sistemit, emergjent
“Urgjentisht duhet të pastrohet edhe sistemi i drejtësisë, pasi ka plot zyrtarë të sistemit që kanë bërë pasuri të pajustifikueshme, përmes trafikimit të proceseve gjyqësore. Dhe, sigurisht, pa e bërë një VETTING do të jetë e kotë të flitet për reforma kadrovike dhe strukturore! Ndaj, pa i pastruar radhët e gjyqësorit, policisë dhe të prokurorisë, është shumë vështirë, të kthehet besimi tashmë i humbur në drejtësinë e Kosovës”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”.
Preteni: Keqpërdoruesit t’u nënshtrohen hetimeve
Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, tha për “Kosova Sot” se Kosova i ka institucionet dhe legjislacionin e ka gati të kompletuar, por ka probleme me faktorin kryesor – njeriun.“Na duhen persona me integritet, me moral dhe edukatë, me kulturë, patriotë dhe të gatshëm për sakrificë. Në të gjitha institucionet së paku si titullarë na duhen njerëz të tillë. Personeli i tillë do t’i kishte respektuar këto dy elementet tjera, do t’i kishte respektuar institucionet dhe do t’i kishte respektuar ligjet.
Raporti i Zyrës së Auditorit Kombëtar i publikon raportet për çdo vit. Të dhënat janë shumë shqetësuese dhe ato përsëriten për çdo vit. Mesatarja e zbatimit të rekomandimeve nuk e kalon 30%, me përjashtim të institucionet lokale-komunat, që ato mund edhe të kalojnë këtë përqindje, por niveli qendror as për së afërmi nuk e arrin atë. Kuvendi po dështon tërësisht në realizimin e funksionit mbikëqyrës derisa edhe prokuroritë nuk i marrin këto informata dhe nuk i hapin hetimet. Nuk jep përgjegjësi askush për ato çka po ndodh”, u shpreh ai.“Në praktikë realisht ishte dashur të ndërmerren këto veprime: Komisionet përkatëse t’i trajtojnë raportet financiare dhe më pastaj në bazë të raportit të punës dhe raportit financiar t’i vlerësojnë institucionet. Ndaj të gjitha ato institucione që i kanë raportet negative të merren masat disiplinore kundër titullarëve dhe në veçanti të zyrtarëve të prokurimit.
Raportet nuk duhet të miratohen. Nëse pas një kohe nuk përmirësohen të gjitha vërejtjet-rekomandimet e kaluara duhet t’u ndërpriten mandatet e titullarëve. Prokurorët duhet t’i hapin hetimet sipas detyrës zyrtare për të gjitha gjetjet që kanë të bëjnë me dëmtimin e buxhetit dhe keqpërdorimet e parasë publike. Përndryshe pa llogaridhënie dhe pa sanksionimin e përgjegjësve nuk ka lëvizje përpara. Tani këta të veshurit me petkun e pushtetit nuk mund ta bëjnë këtë, sepse nuk i kanë atributet njerëzore të cekura më lartë”, tha Preteni për “Kosova Sot”.
Dosjet po fshihen nga nëntoka
Analisti Naim Kelmendi thotë se mafio-oligarkët e pushtetit dhe të politikës e nëntokës kriminale e kanë ndikimin e thellë dhe kontrollin e tyre në drejtësinë kosovare, prandaj krejt kjo shkon në ndërlidhje me njerëzit e korruptuar të drejtësisë. “Kështu që këta duke pasur ndikimet e veta në drejtësi thjesht arrijnë kështu ta sfidojnë edhe drejtësinë, mbase edhe duke fshirë dosjet e krimit dhe thjeshtë janë në gjendje të bëjnë ç’të duan me drejtësinë, e cila fatkeqësisht është në duart e tyre apo në duart e vetë krimit të organizuar dhe strukturës së kriminalizuar e të korruptuar pushtetare”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, duke qenë kështu gjendja, kemi ngecje tepër serioze në sundimin e ligjit.
“Në të vërtetë njerëzit e nëntokës kriminale dhe të pushtetit të inkriminuar fatkeqësisht arrijnë të kenë kontrollin e tyre dhe ndikimin e pakontestuar mbi çdo gjë, madje duke i zotëruar edhe informacionet në polici, gjykata e prokurori… ky është një realitet shqetësues për vetë shtetin e së drejtës në Kosovë, i cili de fakto në Kosovë nuk ekziston për sundimin e rendit dhe ligjit, sado që kjo fushë është një nga standardet e duhura evropiane për të hapur rrugën e integrimit në BE, për çka jemi dhe do të mbetemi akoma shumë…shumë larg”, vijoi më tej Kelmendi.
“Po e them këtë me shqetësim të madh, sepse këta mafio-oligarkë të pushtetit e politikës, të nëntokës kriminale dhe të bizneseve, janë në gjendje të fshijnë dosjet dhe të bëjnë gjithçka me drejtësinë, e cila është kryekëput në duart e tyre, ose të vetë krimit të organizuar pushtetar, mirëpo bota sheh se si po zhvillohet vendi me vështirësi dhe kjo është pasqyra më reale që flet për kapjen nga krimi i organizuar të në vendi”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.
Kelmendi: Zyrtarët zbatojnë urdhrat e padronëve
Pastrim gjeneral të sistemit të drejtësisë në Kosovë kërkon edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.“Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka marrë një rrugë të rrezikshme dhe shumë të dëmshme për vendin, sepse dështimi i madh është në drejtësi. Kudo në mekanizmat e këtij sistemi, si në prokurori, nëpër gjykata, në këshillat e tyre, si dhe në mekanizmat e luftimit të krimit, kemi njerëz me të kaluar të dyshimtë që lehtë janë të shantazhuar dhe që kanë rënë nën ndikimin e grupeve të interesit.
Këta njerëz nuk e zbatojnë ligjin, veç urdhrat e padronëve të tyre. Këtë e vërtetojnë shumë veprime të AKI-së, të policisë dhe mbi të gjitha aktakuzat e prokurorisë, që janë të pafaktuara, si dhe aktgjykimet, të cilat kurrë nuk dënuan askënd. Kosova ka edhe një veprim shumë të dëmshëm, korrupsionin, si dhe mafinë oligarkike e ekonomike, e cila e ka kapur tërësisht pushtetin. Në këtë gjendje duhet domosdo të bëhet spastrimi i sistemit. E kjo mund të arrihet me anën e një ligji mbi përzgjedhjen dhe spastrimin e kuadrit nëpër këto organe”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)

