Eko Higjiena

Drejtësia, peng i krimit të organizuar

/ 9 minuta lexim

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët vazhdojnë ta kritikojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, e në veçanti atë prokurorial, pasi që, sipas tyre, në Kosovë ende nuk po shohim prokurorë e gjyqtarë të guximshëm, që guxojnë t’u kundërvihen mafiozeve të pushtetit dhe mafio-nëntokës kriminale, pavarësisht rrezikut që iu kanoset në avancimin e tyre në karrierë.

Preteni: Çdo ditë po dëshmohet se si funksionon “drejtësia” në Kosovën e kapur ashpër nga politika, krimi dhe korrupsioni!

“Me keqardhje na duhet të konstatojmë se drejtësia kosovare përfundimisht, pas kaq vitesh degradimi, duhet të shkapet nga kapja dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të inkriminuar të politikës, të ndërlidhur me mafio-oligarkët e bizneseve kriminale e të nëntokës së krimit, por që me Qeverinë e re në pushtet do të duhet që përfundimisht të ndahet nga krimi i organizuar, i rrënjosur në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit: në atë ekzekutiv dhe në atë legjislativ, në presidencë, në gjyqësor, në prokurori, në polici, në avokati e në institucionet e tjera vartëse të këtij sistemi”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët vazhdojnë ta kritikojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, e në veçanti atë prokurorial, pasi që, sipas tyre, në Kosovë ende nuk po shohim prokurorë e gjyqtarë të guximshëm, që guxojnë t’u kundërvihen mafiozeve të pushtetit dhe mafio-nëntokës kriminale, pavarësisht rrezikut që iu kanoset në avancimin e tyre në karrierë.

Kritika më e madhe e analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë shkon në këtë drejtim pasi që Prokuroria e Kosovës lëre që nuk hap raste ‘ex-officio’, gjë që është e obliguar ta bëjë edhe me ligj, por për me tepër as që i merr e as hetojë seriozisht kallëzimet penale që bëjnë qytetarët, dhe mbi 80 për qind e tyre hidhen poshtë, duke u vënë kështu padrejtësisht dhe kundërligjshëm në mbrojtje të pushtetarëve dhe të të inkriminuarve në të dyja nivelet e pushtetit, si dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale. Kështu ndodh me këto kallëzime penale, pavarësisht faktit që shumica e këtyre kallëzimeve penale janë të natyrës së korrupsionit dhe krimit të organizuar, por janë pikërisht këto lëndë që më së shumti po hidhen poshtë nga prokuroria,thonë analistët.

Fundamenti

ALIU: DUHET TË KEMI SA MË SHPEJT LLOGARIDHËNIE SERIOZE EDHE NË SISTEMIN E DREJTËSISË! Analisti Bislim Aliu konsideron se pa ndryshim të thellë në krejt sistemin as që mund të presim të kemi shtet funksional të së drejtës, me drejtësi efektive dhe të pavarur.”Gjithsesi për të pasur lëvizje pozitive në këtë sistem duhet të ndodhin ndryshimet në tërë kupolën e drejtësisë, patjetër duhet të iniciohen sa më parë , duke përfshirë MD-në, KPK-në e me radhë në organet e tjera, për shkak se kanë dështuar totalisht në vendosjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar e të korrupsionit. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, sepse koha nuk pret, duhet të kemi sa më shpejt llogaridhënie serioze edhe në sistemin e drejtësisë, duhet të kemi edhe gjyqtarë të penalizuar për shkak të dhënies së ndonjë vendimi në kundërshtim me ligjin, por edhe prokurorë për shkak të dështimit që pësojnë në mbrojtjen e aktakuzave të tyre joprofesionale ose të ndërtuar qëllimshëm për t’u dështuar në procesin gjyqësor”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas Aliut, dikush duhet të jap patjetër llogari pse jemi kaq mbrapa në sistemin e drejtësisë, sepse edhe qytetarët po pyesin kur do të kemi ndonjë prokuror apo gjyqtar të penalizuar për shkak të shkeljes së ligjit dhe të drejtave të njeriut?! “Duhet të ketë llogaridhënie dhe përgjegjësi penale për të gjitha rastet kur mbyllen hetimet apo rastet e pushtetarëve, qoftë me urdhra nga pushteti, apo qoftë me urdhra me pagesë nga nëntoka kriminale. Ndaj, për këtë edhe mund të pyesim a thua a bëjnë ndonjëherë organet më të larta të kontrollit të performancës së prokurorisë kontroll dhe inspektim për mbylljen e hetimeve që bëjnë prokurorët pa ligj dhe me korrupsion. Pritjet janë të gjata për reforma të thella në këtë sistem dhe ato duhet të ndodhin”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”.

Mungon transparenca
Sipas njohësit të kësaj fushe, Blerim Burjani, deri më tash nuk ka pasur statistika të qarta për publikun se sa lëndë janë duke u trajtuar dhe deri ku ka shkuar procesi i ndjekjes penale për vepra të korrupsionit të bërë nga të ashtuquajturit politikanë, e që në esencë janë marrë me krime ekonomike, kontroll të aseteve publike dhe shkatërrim të këtyre aseteve. “Pra, ka një mostransparencë të konsideruar, edhe pse dihet që BE-ja ka tërhequr vëmendjen për një transparencë më të madhe, mirëpo deri më sot nuk ka të dhëna mbi lëndët se sa janë në tërësi ndjekje penale dhe se dihet që të gjitha lëndët penale të profilit të lartë kanë ngecur me vite të tëra. Disa kanë filluar dhe pasi janë zvarritur një kohë të gjatë, në fund të gjithë të akuzuarit janë liruar nga aktakuza”, theksoi ai.”Kjo nuk është drejtësi e pavarur. Ka pasur edhe raste gjyqësore që kanë pritur 7 e 8 vjet dhe në fund kanë përfunduar me aktgjykim lirues, pra kryesisht lëndët e profilit të lartë. Kjo ndodh kështu pasi që dihet se janë liderët politikë, janë pra bosët ata që mund të qëndrojnë prapa këtyre rasteve, pastaj presioni ndaj prokurorëve, kërcënimi dhe zhantazhi mund të kenë ndikuar plotësisht në mostrajtim të veprave penale të tilla”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

PRETENI: POLITIKA ME PROKURORINË SË BASHKU I FUTËN EMRAT E DISA VETERANËVE TË VËRTETË VETËM E VETËM PËR TË KRIJUAR HUTI E MJEGULL!
Sipas ish-kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tanimë çdo ditë po dëshmohet se si funksionon “drejtësia” në Kosovën e kapur ashpër nga politika, krimi dhe korrupsioni.”Mbetem pranë konstatimit se gjithçka është politike dhe se politika me dy duart e ka kapur fort “drejtësinë”. Rasti i veteranëve është dëshmia e fuqishme për këtë, politika e minimizojë, politika e riaktualizojë, por politika ndërhyri në listën e të atakuarve. Prokurori Blakaj i evidentoi rreth 19000 raste dhe tani doli lista me 2000 emra më shumë, ndërhyrja e bëri të veten. Kjo u bë me qëllim të denigrimit personal të prokurorit dhe me qëllim të zhvlerësimit të listës, politika me prokurorinë së bashku i futën emrat e disa veteranëve të vërtetë vetëm e vetëm për të krijuar huti e mjegull”, u shpreh ai.”Tani politika po paralajmëron edhe “reagim qytetar”. Kjo është gjithçka një farsë e planifikuar mirë. Ky rast është dëshmia kryesore se si kontrollohet “gjyqësori”, si vepron për interesin e kupolës politike në vend”, vijoi më tej Preteni. “Me një qasje të tillë nuk ka shanse që në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të ketë progres apo lëvizje sadopak të vogla pozitive. Është bllokadë e tërësishme. Derisa pagat e mira dhe privilegjet e tjera ishte dashur të jenë frymëzim dhe motivim për punë të mirë dhe të pavarur, fatkeqësisht po ndodh e kundërta”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

“Peshqit e mëdhenj” amnistohen
Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi ka pohuar për “Kosova Sot” se fatkeqësisht edhe për një vit të tërë drejtësia kosovare nuk denjoi të nxjerrë në bankën e të akuzuarve asnjë nga “peshqit e mëdhenj” të krimit e korrupsionit, të cilët kanë bërë mega-skandale e hajni, por ata ligji e drejtësia vazhdojnë të mos i prekin.”Kjo edhe mbetet një dështim i drejtësisë kosovare kundrejt luftës më efikase ndaj krimit e korrupsionit të nivelit të lartë. Prandaj, po them se në Kosovë vazhdon edhe më tutje të kemi një gjendje të brishtë në drejtësinë kosovare, sepse këtë gjendje në këtë sistem po e karakterizojnë padrejtësitë e shumta edhe në procese të kurdisura gjyqësore dhe kjo nuk shkon assesi në dobi të një sistemi të shtetit të së drejtës dhe një sistemi të shëndoshë të drejtësisë”, u shpreh ai.”Me keqardhje na duhet të konstatojmë se drejtësia kosovare përfundimisht pas kaq vitesh degradimi duhet të shkapet nga kapja dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të inkriminuar të politikës të ndërlidhur me mafio-oligarkët e bizneseve kriminale e të nëntokës së krimit, por që me qeverinë e re në pushtet do të duhet që përfundimisht të ndahet nga krimi i organizuar i rrënjosur në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit: në atë ekzekutiv dhe në atë legjislativ, në presidencë, në gjyqësor, në prokurori, në polici, në avokati e në institucionet e tjera vartëse të këtij sistemi”, vlerësoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)