Eko Higjiena

Drejtësia, kjo faqe e turpshme e Republikës

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Analistët politikë dhe ekspertët e fushës së sundimit të ligjit po vlerësojnë se kredibiliteti i drejtësisë kosovare për shkak të mosmbikëqyrjes adekuate nga instancat përkatëse ka rënë përtokë, në pikën më të ulët të mundshme që mund të jetë. Kjo për faktin se nuk po funksionojnë asnjë nga shtyllat koordinuese dhe mbikëqyrëse të këtij sistemi, KPK e KGJK nuk po reagojnë ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi dhe nuk marrin masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar, ose të kapur nga nëntoka kriminale e politikes dhe mafio-oligarkëve.

Së pakut kështu po krijohet bindja, ngase nuk ka asnjë grimë transparencë në këtë çështje. Kjo është një arsye e fuqishme në bazën e së cilës qytetarët kosovare më nuk besojnë në drejtësie, sidomos pas vonesave të gjata dhe padrejtësive e përditshme të gjykatave dhe prokurorive, që në fakt kurrë nuk prodhojnë drejtësi, por vetëm zvarrisin proceset deri në mbi 8 vjet. Të gjitha këto fakte flasin se sa thellë është drejtësia e kapur keq dhe e trafikuar dhe është arsyeja më e madhe ku qytetarët nuk u besojnë gjyqtareve në gjykata dhe as prokurorëve në prokuroritë e vendit, sepse janë vetë politika bashkë me nëntokën mafioze fajtorët më të mëdhenj që kanë degraduar tej mase këtë sistem tepër të nevojshëm për qytetarët dhe shtetin, që e kanë shndërruar shtetin e Kosovës në shtet të krimit të organizuar dhe të padrejtësive!

KPK-ja e KGJK-ja, jofunksionale

Analisti politik Florim Zeqa thotë se shtylla kryesore e një shteti është sistemi i drejtë- sisë, si mekanizëm tepër i nevojshëm si për barazinë e qytetarëve, ashtu dhe për sigurinë e investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm, por që nuk po funksion asgjëkund.”Sado që mund të kemi ligje të mira në letër, pa funksionimin e sistemit të drejtësisë nuk do të kemi asnjëherë implementim të tyre në praktikë. Qeveritë shkojnë e vijnë, por mekanizmi kryesor që mban balancin e sigurisë, besueshmërisë dhe imazhit të një shteti, është mirëfunksionimi i sistemit të drejtë- sisë, gjegjësisht Prokurorisë, Gjykatave, policisë dhe mekanizmave tjerë përcjellës”, u shpreh ai.”Si pasojë e mosfunksionimit të këtyre hallkave të rëndësishme të shtetit, jo vetëm se ka rënë imazhi i sistemit gjyqësorë dhe prokurorial në pikën më të ulët, ka rënë edhe imazhi i shtetit në përgjithësi. E tërë kjo si pasojë e mosfunksionimit të KPK-së e KGJK-së, të cilat nuk po reagojnë ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi dhe nuk po marrin masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar, të kapur nga nëntoka kriminale e politikës dhe mafio-oligarkëve ekonomikë”, vijoi më tej Zeqa.”Qytetarët kosovarë më nuk besojnë në drejtësinë vendore, si pasojë e vonesave të gjata dhe padrejtësive e përditshme të gjykatave dhe prokurorive ndaj qytetarëve të rëndomtë të këtij vendi, të cilët jo që nuk prodhojnë drejtësi, por vetëm ua zvarrisin proceset gjyqësore deri në 10 vjet! Arsyeja më e madhe pse qytetarët nuk u besojnë gjyqtarëve në gjykata dhe as prokurorëve në prokuroritë e vendit është drejtësia e kapur keq dhe e trafikuar nga politika bashkë me nëntokën mafioze që kanë degraduar sistemin e drejtësisë dhe shndërruar shtetin e ri të Kosovës në oazë të krimit të organizuar dhe padrejtësive të mëdha ndaj qytetarëve”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Politika mban peng drejtësinë

UBT

Analisti politik Hidajet Ahmeti konstaton se nuk ka dyshim se drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive dhe është e dirigjuar kryekëput nga politika dhe njerëzit e fuqishëm të saj.”Kemi me qindra raste të çështjeve madhore ku drejtësia ka qenë e dirigjuar nga politika dhe rastet janë mbyllur. Drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive duke u marrë me raste që nuk çojnë peshë aq të madhe, sa për të krijuar percepcionin në opinion publik kinse po punohet, kurse me raste madhore, të cilat ja zbehin imazhin dhe ia humbin kredibilitetin shtetit të Kosovës as që merret fare, jo pse nuk ka dijeni dhe profesionalizëm për t’i çuar proceset në fund, por për shkak se nga aty mund të prishet rahatia e ndonjë politikani dhe në të njëjtën kohë do të rrezikohet pozita e tij”, u shpreh ai.”Kosova si shtet në tranzicion më shumë së kurrë ka nevojë për një ndryshim substancial në sistemin e drejtësisë, por ky ndryshim nuk mund të bëhet me njerëz matrapaz të politikës, analfabet e njerëz pa ideale e parime. Tradita e politikës së mbrapshtë po vazhdon akoma, duke pasur implikime të drejtpërdrejta në sistemin e drejtësisë. Po të kishim një sistem të pavarur të drejtësisë, këta njerëz që udhëheqin me institucionet publike do të ishin në bankat e të akuzuarve dhe do të përfundonin në burg”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”. Sipas tij, drejtësia është peng e politikës së mbrapshtë, e cila çdo ditë po ngulfat këtë institucion të pavarur.”Drejtësia është e kapur në rrugë të strukturuara mirë dhe të orkestruara në mënyrë të sofistikuar. KGJK-ja dhe KPK-ja janë mekanizmat ku politika e ka ndikimin e jashtëzakonshëm dhe shfrytëzon vakumet institucionale për të keqpërdorur me drejtësinë. Kosovës më shumë se kurrë i duhet një drejtësi e pavarur, në mënyrë që të pastrohen njerëzit e krimit dhe njëherë e përgjithmonë shteti i Kosovës ta marrë kahun e duhur”, potencoi ai.

Prokuroria dështon në luftën kundër korrupsionit

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion të Kosovës për dy mandate rresht, Hasan Preteni, thotë se për dështimet në drejtësi tani shifrat po flasin vetë. “Prokuroritë Themelore në Kosovë gjatë vitit 2017 i kanë ushtruar vetëm 76 aktakuza, 7 Prokurori Themelore dhe Prokuroria Speciale, dy prokurori i kanë ngritur vetëm nga 2 aktakuza,1 Prokurori 7 aktakuza,1 Prokurori 8 aktakuza, 1 Prokurori 15 aktakuza, 1 prokurori 30 aktakuza, Prokuroria Speciale vetëm 8 aktakuza.

Këto 76 aktakuza janë ngritur kundër 109 personave, që i bie një aktakuzë në 1.43 persona. Nga kjo del se ka shumë pak aktakuza, ka prokurorë që nuk e kanë ngritur asnjë aktakuzë, numri i vogël i personave të akuzuar dëshmon se veprat për të cilat akuzohen nuk janë shkelje serioze”, u shpreh ai. “Veprat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vepra specifike me përfshirjen e më shumë zyrtarëve. Definitivisht nuk ka prova se po luftohen krimi dhe korrupsioni, kjo është vetëm farsë, po ndiqen, po hetohen dhe po gjykohen vetëm ata “fakirë”që nuk janë të lidhur me politikën. Po të ishte në trajtim ndonjë rast i fuqishëm, ndonjë zyrtari të lartë, Kosova është e vogël dhe ne do ta dinim edhe këtë, por nuk ka”, potencoi Preteni për “Kosova Sot”. Ndërsa eksperti i kësaj fushe, Naim Miftari, pohon se me gjithë shumë dobësitë e tyre KGJK dhe KPK heshtin dhe sillen komod pothuajse çdo gjë është në rregull me dështimin e drejtësisë.”Sipas mendimit tim (dardha bien nën dardhë), edhe KGJK edhe KPK janë vetë të korruptuara dhe këto organe kontrolluese janë vetë të korruptuara dhe janë të mbushura me zyrtarë që vendin e kanë në burg e jo në zyrë”, theksoi ai. “Zvarritja e rasteve me shumë vite, fshehja e lëndëve gjyqësore, dekonspirimi i rasteve, animet gjyqësore, por edhe dënimet politike, kur për të njëjtin rast pushtetari lirohet kurse opozitari dënohet me shumë vite burg, ose për t’ua mbyllë gojën kritikave opozitare gjykata arreston dhe mban në burg njerëzit me argumente shumë të dyshimta dhe të manipuluara , tregon se nuk jemi shtet demokratik, por shtet diktator, e shtet ku ligji është selektiv dhe i manipuluar politikisht, ku mafia dhe politika e pushtetit janë një trup me dy duar”, vijoi më tej Miftari. Sipas tij, fajet i kanë edhe shtetet mike, nga BE-ja dhe SHBA-ja, pasi vetë kanë lejuar të vijë në pushtet një këso kaste politike e inkriminuar dhe e korruptuar.

(Kosova Sot)