RCCOLA

Drejtësia amniston kokat e krimit

/ 9 minuta lexim

Duke mos e zbatuar ligjin si duhet dhe sa duhet, drejtësia kosovare, sipas njohësve të kësaj fushe, vetëm po mundohet që të trajtojë e raportojë raste dytësore e tretësore, raste sa për numra statistikorë, duke harruar se me rëndësi është cilësia e punës e jo numrat e lëndëve, sa për sy e faqe, dhe në këtë farë loje po viktimizohen njerëzit e pafajshëm, sa për të bërë numrat, ndërkaq mbeten të lirë zyrtarët e lartë, që janë koka e krimit në Kosovë dhe pandalshëm po shkatërrojnë shtetin ligjor.

Burjani: Gjyqësia efikase dhe profesionale nuk bën vetëm numra të aktgjykimeve

“Faktorit ndërkombëtar që monitorin sistemin e drejtësisë nuk i duhen statistikat fiktive, por gjendja reale në terren në zbatimin e ligjit dhe veprime konkrete, por këto nuk mund të arrihen derisa politika e mban peng sistemin e drejtësisë. Gjykoj se sistemi i drejtësisë ka nevojë të çlirohet nga politika dhe të vendoset në binarë të duhur. Kuantiteti, nëse brenda nuk ka përmbajtje substanciale nuk ka kuptim, por as efekt pozitiv në ndryshimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë, përveç kamuflim apo tentim për mbulim të dështimit në sistemin e drejtësisë”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”

Duke mos e zbatuar ligjin si duhet dhe sa duhet, drejtësia kosovare, sipas njohësve të kësaj fushe, vetëm po mundohet që të trajtojë e raportojë raste dytësore e tretësore, raste sa për numra statistikorë, duke harruar se me rëndësi është cilësia e punës e jo numrat e lëndëve, sa për sy e faqe, dhe në këtë farë loje po viktimizohen njerëzit e pafajshëm, sa për të bërë numrat, ndërkaq mbeten të lirë zyrtarët e lartë, që janë koka e krimit në Kosovë dhe pandalshëm po shkatërrojnë shtetin ligjor.

Mirëpo, me këtë mënyrë të funksionimit të sistemit të drejtësisë, sipas analistëve, nuk mund të mashtrohet bashkësia ndërkombëtare që monitoron sistemin e drejtësisë për t’u dhënë notë pozitive këtyre institucioneve, sepse atyre nuk u interesojnë numrat, por fakti se sa zyrtarë të lartë kanë aktgjykime të prera e të plotfuqishme nga gjykatat e Kosovës. Derisa nuk e kemi këtë rezultat, del konstatimi i pakontestueshëm se drejtësia vazhdon të mbetet e kapur nga politika! Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, theksoi për “Kosova Sot” se gjyqësia efikase e profesionale nuk bën vetëm numra të aktgjykimeve, sa për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht BE-së dhe SHBA-së, se ka shtet ligjor, por duhet të nxjerrë aktgjykime të drejta, të mbështetura në parimet e drejtësisë dhe mbrojtjes së rendit kushtetues dhe pasurive publike, por pikërisht këto veprime konkrete po mungojnë te ne.“Deri më tash fatkeqësisht Kosova ka dështuar të rrënojë krimin politik të bërë nga njerëz që thonë se merren me politikë dhe interesin publik. Po të kishte prokurori të pavarur, menjëherë do të fillonte hetimi nëpër institucionet kryesore që menaxhojnë pasurinë publike, duke filluar nga AKP-ja dhe deri në nivel lokal, në disa agjencinë tjera dhe natyrisht deri në PTK, dhe në të gjitha ndërmarrjet publike ku bëhen emërime e përzgjedhje politike me qëllime të shumëfishta të përfitimit. Koha është, edhe pse shumë e vonuar, por dikush duhet ta ndalë këtë korrupsion, këtë zhvatje të pasurive publike dhe rrezikim të interesit publik”, theksoi Burjani për“Kosova Sot”. Sipas tij, të gjithë e dinë se nëse edhe më tutje nuk ka ndryshim të qeverisjes, shteti i Kosovës po ngjason në Kolumbi dhe shtetet më të pambrojtura, pa rend dhe ligj.“Kur jemi te monitorimi ndërkombëtar, ai po bëhet me vite të tëra dhe të gjithë e dinë se çka po ndodh në Kosovë dhe cili është problemi kryesor i Kosovës në drejtësi, por nuk ka kush ta ndalë. Janë OSBE-ja dhe disa organizata që kanë qenë vazhdimisht në monitorim dhe kanë të dhëna të shumta për funksionimin dhe problemet e sistemit të drejtësisë. Por kosovarët duhet të jenë vetë ata që do ta ndalin tragjedinë, shkatërrimin e shtetit dhe pasurimin e pa bazë të grupeve të ndryshme të klaneve. Askush nuk vjen dhunshëm për të intervenuar në një shtet të pavarur për ta ndalë krimin”, shprehet Burjani.

Aparati shtetëror më shumë funksionon përmes ndikimeve e klientelës

Mobi Casa

Arsim Arsim Haziri theksoi se politika aq thellë është infiltruar brenda institucioneve sa i ka bërë të pafuqishme.“Fatkeqësisht Kosova nuk është shoqëri e lirë, ajo më shumë ka atributet e një bashkësie politike, ku vendos klientelën e saj të pamerituar dhe joprofesionale brenda çdo dikasteri. Kosova mjerisht funksionon jo edhe mjaftueshëm ligjërisht, aparati shtetëror më shumë funksionon përmes ndikimeve e klientelës dhe mbi të gjitha leverdive klanore”, është shprehur Haziri për gazetën “Kosova Sot”.

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, faktorit ndërkombëtar që monitorin sistemi e drejtësisë nuk i duhen statistikat fiktive, por gjendja reale në terren në zbatimin e ligjit dhe veprime konkrete, por këto nuk mund të arrihen derisa politika e mban peng sistemin e drejtësisë.“Gjykoj se sistemi i drejtësisë ka nevojë të çlirohet nga politika dhe të vendoset në binarë të duhur. Kuantiteti nëse brenda nuk ka përmbajtje substanciale nuk ka kuptim, por as efekt pozitiv në ndryshimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë, përveç kamuflim apo tentim për mbulim të dështimit në sistemin e drejtësisë”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

Kelmendi: Gjyqësia dhe Prokuroria lënë të paprekur mafio-oligarkët

Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, derisa nuk futet një proces VEETING-u për ta pastruar sistemin e sundimit të ligjit – drejtësinë kosovare, në të gjitha shtyllat e saja, gjithë puna që do të bëhet do të jetë vetëm improvizim rastesh e shifrash sa për të dhëna statistikore. “Faktikisht, është betonuar e pozicionuar prokuroria e gjyqësia kosovare në mbrojtje, duke e lënë ta paprekur oligarkinë politike dhe mafio-oligarkët e bizneseve kriminale. Me një fjalë është paralizuar fare shteti ligjor i Kosovës nga padrejtësia e sistemit të drejtësisë dhe krimi i politikës dominon mbi çdo gjë dhe “MBI LIGJIN”? Siç po shihet, mungesa e një drejtësie efikase dhe me ligj është shkaktari kryesor pse kosovarët po marrin arratinë, sepse nga punësimet dhe çdo gjë tjetër është në dorën e politikës së korruptuar e të kriminalizuar. Do të mund të ishte vetëm VETTING-u një fitore shumë e madhe edhe për shoqërinë dhe demokracinë e vendit dhe kthimin e shpresës tek qytetarët kosovarë, dhe gjithashtu do të paraqiste “pavarësinë e dytë të vendit” nga krimi i organizuar dhe njëkohësisht pavarësinë e plotë për qytetarët kosovarë të nëpërkëmbur nga mafio-oligarkia politike e lidhur me mafio-oligarkinë e bizneseve kriminale e monopoliste”, theksoi analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Miftari: Deformimi i organeve të drejtësisë vjen pikërisht nga politika

Sipas njohësit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, dështimi në mospunën e gjyqësisë dhe drejtësisë, nga paslufta, po tentohet të mbulohet me propagandë dhe me ndërrime të ligjeve, kinse këto ndryshime në nene të ndryshme po bëhen pasi që nuk i paskemi pasur sa duhet ligjet e mira, por ato po bëhen tani dhe kështu mandat pas mandati drejtësia çalon e dështon, duke mos u zbatuar ligjet si duhet.”Po bëjnë plotësim ndryshim të ligjeve në nene, kinse nuk ishin të mira dhe tani po i bëjnë ligjet e duhura, siç ishte rasti me “paketën”e Abelardit, ministrit të Drejtësisë, i cili vjen nga PDK-ja, parti e cila mban barrën kryesore të dështimit, korruptimit dhe të mosimplementimit të ligjit dhe drejtësisë ligjore të një shteti në përgjithësi. Deformimi i organeve të drejtësisë vjen pikërisht nga politika dhe nga politikanët, nga zyrtarët e korruptuar të shtetit, dhe këto dështime nga këta dështakët politikë dhe juridikë tentojnë t’i mbulojnë me numra kinse sa mijëra lëndë penale kanë përfunduar, por nuk tregojnë se sa është përqindja e lëndëve kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, që shumica e kriminelëve mbulohen mbrapa petkut politik apo shtetëror, ose zakonisht ndonjë lëndë penale i japin pompozitet mediatik edhe me skena me policë të armatosur deri në dhëmbë e të maskuar, duke kapur personin, e kërrusin duke u tërhequr zvarrë me kokë ulur, kinse është njeri super i rrezikshëm, siç ishte rasti me skenën teatrale të urdhëruar nga presidenti Hashim Thaçi në lojën me Marko Gjuriqin apo loja me hoxhallarët, shumica lodra të pushtetit, kinse po bëjmë luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Por, dihet se pas këtij pompoziteti dhe propagandës mediatike asnjë rast nuk përfundon si i suksesshëm për prokurorinë, zakonisht disa lirohen menjëherë, ata që kanë lidhje direkte me pushtetin, e disa të pafat mbahen në burg me muaj e vite dhe në fund lirohen edhe ata në mungesë të provave”, theksoi analisti Naim Miftari për gazetën “Kosova Sot”.