Fundamenti

Drejt zhbërjes

/ 6 minuta lexim

Nga Berat Buzhala – Shoqëria jonë duket si shoqëri mazohiste e udhëhequr nga sadistët, të cilët premtojnë vuajtje dhe dhimbje. Në këtë situatë, vetëm një mrekulli që i thyen ligjet e fizikës do ta shpëtonte vendin nga rënia përfundimtare. Në mars të këtij vitit bëhen 30 vjet prej kur Kosova, dhe populli i saj, e kishin nisur rrugën e fatit të tyre, për të synuar lirinë dhe pavarësinë nga okupatori serb. Ishte një dekadë e gjatë dhe e mundimshme, me gjak, lot dhe dhimbje. E kishim braktisur çdo gjë, me shpresën që do ta rimerrnim të plotë. Pushtuesit ia dorëzuam shkollat, ambulancat, fabrikat dhe çdo gjë që e posedonim. Policisë serbe ia kthyem kurrizin tonë. Ishte kjo dekada e përbuzjes më të lavdishme në historinë tonë. Lufta nuk është asgjë përpara këtij mundimi.

Kjo betejë zgjati një dekadë, nga marsi i vitit 1989 kur Serbia e rrënoi me forcë autonominë e Kosovës, e deri në marsin e vitit 1999, kur asaj po me forcë i çndukej Kosova.

Në mars bëhen 20 vjet prej kur qytetërimi Perëndimor, siç njihet në gjuhën e përditshme, e dëgjoi gjëmën tonë dhe vendosi të na vinte në ndihmë. Pas 78 ditësh sulme ajrore, pushtuesi u nënshtrua. Populli i Kosovës e shijoi lirinë, për të cilën kishte sakrifikuar, dhe luftuar aq shumë. Rrugët, fushat dhe sheshet, u mbushën me njerëz që kishin humbur çdo gjë, përveç shpresës.
Kulmet e shtëpive tona të rrënuara u mbuluan me cerada dhe najlonë të organizatave humanitare dhe jeta kishte nisur atje ku ishte vrarë para dhjetë vjetëve. Dita për të cilën nënat tona ishin lutur aq shumë kishte mbërritur. Lirinë e pamë dhe e prekëm, tash do të na duhej të punonim dhe sakrifikonim për pavarësinë politike.

Kjo betejë zgjati pothuajse një dekadë, që nga 11 (ose 12) qershor i vitit 1999, e deri në shkurt të vitit 2008, kur Kuvendi e shpalli pavarësinë e Kosovës.

Vitin e kaluar, në shkurt, Kosova i mbushi plot 10 vjet si shtet i pavarur. Gjatë kësaj dekade kemi arritur suksese katastrofale. Kemi qeverisur shumë keq. E kemi rrënuar sistemin e arsimit, atë të shëndetësisë, e të administratës publike. Jemi kujdesur që në mënyrë artistike ta shkatërrojmë ambientin ku ne jetojmë. Lumenjtë janë në fazën finale të shndërrimit në kanale të ujërave të zeza. Korrupsioni është legalizuar. Nëse pasluftës konsiderohej turp që të shihje një politikan dhe një hajn – të vetëquajtur biznesmen – duke pirë kafe së bashku, tash kjo konsiderohet si asgjë më pak se sa takim pune në të mirë të ekonomisë së Kosovës. Tre katër bashibuzukë të pashkollë e kontrollojnë çdo pore të ekonomisë tonë. Për arsye higjienike këtë herë nuk po ua përmend mbiemrat.

Kjo betejë, gjithashtu, zgjati një dekadë, që nga shkurti i vitit 2008, kur u shpall pavarësia, e deri në vitin 2018, kur Presidenti Thaçi filloi ta moderonte show’un nëpër konferenca të jashtëzakonshme të shtypit

Eco Higjiena

Sivjet Kosova, nëse arrin t’i mbushë, do t’i mbushë 11 vjet. Mënyra se si po sillemi në vitin e fundit mund të ilustrohet pak a shumë kështu: e kemi marrë një revole, tytën e saj e kemi ngjeshur mirë për kokën tonë dhe po kërcënojmë që “nëse dikush e bën vetëm një lëvizje të gabuar ne do të qëllojmë”. Kështu si po shkojnë gjërat, dikush shumë shpejt do ta bëjë atë lëvizjen e gabuar dhe ne (për herë të parë) do ta mbajmë premtimin. Pra, në vitin e 11 të ditëlindjes së shtetit të Kosovës ne po shkojmë drejt një suksesi suicidal. Ndoshta do të shënojmë rastin e parë në botë kur një shtet vendosë të bëjë vetëvrasje. Ky akt në analet e historisë do të mund të mësohet edhe si patriacid – ose atdhevrasje.

Kjo betejë ka nisur në fillim të vitit 2018, fundin e saj ende nuk e dimë saktësisht.

Gjëja më absurde në rrëfimin tonë 30 vjeçar është se ai kishte filluar si një ngjarje tragjikisht madhështore, kur një popull i tërë ishte vënë në lëvizje, kur qindra mijëra njerëz pushtonin rrugët e Prishtinës të mobilizuar për ta kërkuar lirinë nën breshërinë e plumbave, ndërsa po përfundon si një cirk qesharak, ku në skenë ka mbetur një kloun, që është edhe president, dhe një apati mbresëlënëse të popullit. Po ta sfidojmë në Facebook Popullin e vitit 2019 me Popullin e Vitit 1989, ndonëse i njëjti në formë, ai nuk është as P’ja e vetvetes. Përpjekja e jonë për liri dhe pavarësi në zanafillën e saj ishte një gjë serioze. Pa dashur t’i mbivlerësoj, mirëpo projekti ishte menduar dhe zhvilluar nga njerëzit më të ditur që i kishte vendi ynë. Ata që ishin dhe ata që kishim. Parasëgjithash ishin njerëz serioz. Pra, ishte një projekt që kishte lindur në ambientet e Universitetit të Prishtinës, por që po përfundon nëpër oda dhe mejhane. Fatkeqësisht, me kalimin e kohës ai projekt kaloi nga një dorë në një tjetër, për të rënë në një dorë krejtësisht të gabueshme. Ka mundësi që është adresa më e gabueshme, prej 2 milionë adresave të tjera që do të mund të kishte përfunduar.

Fund

Përtej çdo fantazie, sot vendi ynë është shndërruar në karikaturë dhe katrahurë. Kapacitetet tona shoqërore dhe shtetërore janë të limituara, krahasuar me rajonin, edhe nëse të gjitha forcat politike – dhe jo vetëm – do të shtynin në drejtim të njëjtë, e jo kështu kur secili bartës i institucionit, ku secila parti politike punon me agjenda të ndryshme. Kuvendi pas çdo mandati, që nga përfundimi i luftës, po bie poshtë e me poshtë. Ai që supozohej të ishte crème de la crème i shoqërisë sot është llumi i shoqërisë. Ai cilësisht nuk dallon aspak nga bota e showbizz’it, përveç që është më e dhunshme. Kuvendi është një enklavë e njerëzve analfabetë (ka ndonjë përjashtim), banorët e të cilit paguhen për të na bërë dëm. E njëjta cilësi replikohet në Qeveri dhe prej aty në institucionet e tjera në shkallë vendi. Imazhi më i mirë i kësaj gjendje, i kësaj shthurje shoqërore, është Presidenti i vendit. Shoqëria jonë duket si shoqëri mazohiste e udhëhequr nga sadistët, të cilët premtojnë vuajtje dhe dhimbje. Në këtë situatë, vetëm një mrekulli që i thyen ligjet e fizikës do ta shpëtonte vendin tonë nga rënia përfundimtare.