Fundamenti

Dosjet e luftës ende të paprekura, e të mbyllura nëpër sirtarë

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Dosja e Gjilanit e Kamenicës dhe e Vitisë edhe pse ka prova e fakte të mjaftueshme për krimet serbe mbi popullatën shqiptare, ato vazhdojnë të mbesin të paprekura dhe të mbyllura nëpër sirtarët e Prokurorëve dhe të Gjykatave. Ndërkohë shumë dëshmitar të lodhur e të dërmuar nga kjo pritje, disa me shëndet të lig e disa edhe të vdekur, po e përjetojnë krimin e dyfishtë.

Dosja e Gjilanit, e Kamenicës dhe Vitisë edhe pse kanë emra, mbiemra, fotografi të serbëve të dyshuar për krime të luftës, ato asnjëherë nuk janë hetuar nga asnjë prokurori që nga pas lufta. Neglizhenca dhe servilizmi i njerëzve të drejtësisë ka bërë që këto dosje të përfundojnë nëpër sirtarët e Gjykatave dhe të Prokurorisë, pa i dhënë një përgjigje të merituar viktimave të luftës dhe familjarëve të dëmtuar.

Vërtet është e pafalshme që pas 19 vitesh Dosjet e luftës të pushojnë nëpër sirtarët e Gjykatave dhe të Prokurorive. Dosjet e luftës në Anamoravë edhe pse janë përpiluar nga njerëz kompetentë, ato kurrë nuk u hetuan dhe kurrë nuk është dhënë një përgjigje e merituar për familjet e dëmtuara.

Ishte UNMIK-u njëherë e tash edhe EULEX-i që bllokuan hetimin e Dosjeve të luftës dhe ishte pikërisht servilizmi i njerëzve të sistemit të drejtësisë që stopuan që këto Dosje të mos hetohen.

Edhe pse ishte thënë më herët se do të krijohet një Tas Forcë që do të merrej me hetimin e dosjeve të luftës, sërish ka pak interesim ose motiv nga prokurorët kosovar që të merren me këtë sektor të ndjeshëm.

Masakra e Llashticës edhe pse është quajtur Reçaku i Anamoravës ajo asnjëherë nuk është hetuar seriozisht.

Vendi ku është kryer krimi në Llashticë është vizituar nga mjekët kanadezë menjëherë pas luftës, por raporti i tyre kurrë nuk është bërë publik Llashtica është vizituar edhe nga Luis Arbur, por as raporti i saj kurrë s`është publikuar.

Në rajonin e Anamoravës sipas shënimeve që janë grumbulluar dhe mbledhur pas luftës janë vrarë 116 persona të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve. Të gjitha këto vrasje që në mënyrë të organizuar janë kryer nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare ushtarake serbe shënojnë datat dhe periudhat e ndryshme, duke filluar nga 24 marsi i vitit 1999 e deri më 20 qershor 1999, raporton rajonipress.

Realisht si masakra më e rëndë llogaritet ajo në Llashticë, Zhegër, Llovcë, Zhegovc dhe Lladovë.

UBT

Tashmë dihet saktësisht se vrasjet, pushkatimet, dhunimet, plagosjet, plaçkitjet, dhe zhdukja e gjurmëve është bërë nën dijeninë dhe përcjelljen e aparatit shtetëror serb, i cili ndihmohej nga forcat ushtarake që vinin nga Vranja, Leskoci dhe Nishi.

Edhe pas hyrjes së forcave të NATO-së në Gjilan në mënyra të ndryshme janë vrarë 15 persona. Nga statistikat zyrtare që posedon arkiva e Gjilanit shihet se në Gjilan dhe rrethinë janë vrarë gjatë periudhës së luftës dhe pas saj 147 persona, prej tyre 25 janë femra.

Gjithashtu sipas këtij raporti janë plagosur 75 persona, katër persona llogariten të zhdukur. Sipas raportit mbi pasojat e luftës në Gjilan të hartuar nga Këshilli Komunal i Qeverisë së Përkohshme në Gjilan forcat serbe kanë djegur tërësisht 950 shtëpi, pjesërisht 452. Rreth 7321 shtëpi janë plaçkitur. Në Zhegër janë djegur 393 shtëpi kurse në Përlepnicë 123 shtëpi. Pasojat e luftës të shkaktuara në dëmet e ekonomisë familjare kapin shifrën e 177 milion e 201 mijë marka gjermane. Janë konsideruar si shtëpi të djegura tërësisht gjatë luftës mbi 1406 shtëpi.

Shikuar strukturën dhe përgatitjen shkollore del se ushtria serbe e ndihmuar nga paramilitarët serb dhe policia kanë vrarë në mënyrë të organizuar fëmijë, nxënës, studentë, bujq, imamë, shurdhmemecë, rojtarë, zjarrfikës, profesorë, drejtor shkolle, minatorë, taksistë, amvise, juristë të diplomuar, inxhinierë, kamerierë etj.

Nga të gjitha dëshmitë e drejtpërdrejta nga tereni duke intervistuar dëshmitarë, familjar të viktimave, persona aktiv gjatë asaj kohe del se vrasjet janë kryer me paramendim dhe me një program kohor të organizuar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.

Sipas shënimeve të nxjerrura nga komisionet përkatëse që janë marrë me lokalitetet e të vrarëve shihet se të gjithë të vrarët në tërë territorin e Komunës së Gjilanit kanë jetuar në 31 lokalitete.

Realisht të gjithë dëshmitarët më të rëndësishëm të masakrës së Llashticës, pa dëshirën e tyre ndodhen jashtë Kosovës. E dhimbshme është historia e Deli Hysenit dëshmitarit kryesor i cili në mungesë të përkujdesjes nga ana e institucioneve shtetërore detyrohet të shkojë ilegalisht në Francë për tu shëruar nga plagët dhe traumat e luftës.
Megjithatë, Deli Hyseni ka lënë dëshmi e deklarata të shumta rreth masakrës që u krye më 30 prill 1999.
“Nuk kam forcë as guxim që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri”.
Dhe këto fjalë e këto rrëfime loti të Deli Hysenit tregojnë për vrasjen e 13 shqiptarëve në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet ora kur paramilitari rom e qëllon të parin babanë e tij. “Romi e qëlloi në syrin e djathtë babën dhe vazhdon t`i vras të gjithë me radhë i ndihmuar edhe nga një serb”.

Deliun e godet plumbi në fyt dhe i humbet vetëdija. Sërish e përballon këtë skenë dhe arrin të dalë nga tymi e flaka. “E kam parë me sy sesi digjej nënë Ajshe . Ajo dha shpirt në duart e mija. E kam parë me sytë e mi Feriz Shabanin teksa po jepte shpirt për së gjalli. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës”.

Deliu thotë se paramilitari që ishte rom pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllain Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. “Unë isha goditur me plumb në qafë dhe jam alivanosur. Pas gjysmë ore kam parë se i kanë ekzekutuar të gjithë me nga një plumb, kurse Ymerit i thanë se ty nuk po të vrasim, ty po të lamë me vuajt për tërë jetën” citon fjalët e paramilitarit Deliu./rajonipress/