“Dosja e Gjilanit” për krimet dhe dëmet e luftës para përfundimit
Gjilan – Sami Hoxha aktivit e veprimtar dhe koordinator i administratorëve në ish qeverinë e përkohshme është njeriu i pakët që është marrë seriozisht me dëmet e luftës, me shënimet mbi të vrarët dhe masakrat e kryera në rajonin e Gjilanit. Hoxha për rajonipress tha se është në përfundim të “Dosjes së Gjilanit” e cila përfshinë në detaje dëmet e luftës në Gjilan e cila pritet të aprovohet edhe në Asamblenë Komunale.
Gjilani me fshatrat e saja, muajt mars, prill dhe qershor 1999 i përkujton me krenari e dinjitet sepse në këta muaj janë vrarë, plagosur, djegur e shkatërruar shumë qytetarë, shtëpi e familje të shumta.
Edhe pse tashmë dihet saktësisht se vrasjet, pushkatimet, dhunimet, plagosjet, plaçkitjet, zhdukja e gjurmëve është bërë nën dijeninë dhe përcjelljen e aparatit shtetëror serb, i cili ndihmohej nga forcat ushtarake që vinin nga Vranja, Leskoci dhe Nishi. Këto fakte as sot e kësaj dite nuk janë hetuar e marrë parasysh nga organet hetuese të Gjilanit. Të gjitha Prokurorit i kanë heshtur dosjet dhe ende i mbajnë në sirtarët e tyre, pa pasur guximin që të iniciojnë hetime ndaj kryesve të veprave penale.
Sami Hoxha aktivist e veprimtar dhe koordinator i ish administratorëve në ish qeverinë e përkohshme në Gjilan është njeriu i pakët që është marrë seriozisht me dëmet e luftës, me shënimet mbi të vrarët dhe masakrat e kryera në rajonin e Gjilanit.
Hoxha për rajonipress tha se është në përfundim të Dosjes së Gjilanit e cila përfshinë në detaje dëmet e luftës në Gjilan e cila pritet të aprovohet edhe në Asamblenë Komunale.
Hoxha tha se “Dosja e Gjilanit” që tashmë është në përfundim e sipër është një dëshmi e fort për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe në territorin e Gjilanit. Hoxha tha se dëmet e luftës janë pjesë e bisedimeve që po zhvillohen me Beogradin dhe ne do të jemi të gatshëm në çdo moment kur Qeveria e Kosovës e kërkon “Dosjen e Gjilanit”.
Hoxha tha se asnjë komunë në Kosovë nuk e ka të përgatitur më mirë se Gjilani dosjen për krimet e luftës. Sipas tij Dosja pos shënimeve faktografike, dëshmive e rrëfimeve të gjalla përmban mbi 700 fotografi të shtëpive të djegura, të njerëzve të vrarë e të masakruar dhe përmban elemente tjera që nuk janë publikuar deri më tani.
Sipas tij pasi të kompletohet Dosja , ajo pritet të dorëzohet për aprovim në Asamblenë Komunale të Gjilanit dhe pastaj ajo mund të dorëzohet qoftë në organet hetuese, në Gjykatën e Strasburgut , por mbi të gjitha do të jetë një udhërrefim për gjeneratat e reja për ta kuptuar luftën që ka ndodhur në qytetin e tyre.
Ndryshe sipas komisionit që e ka udhëhequr menjëherë pas luftës Sami Hoxha, në rajonin e Anamoravës janë vrarë 116 persona të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve. Të gjitha këto vrasje që në mënyrë të organizuar janë kryer nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare ushtarake serbe shënojnë datat dhe periudhat e ndryshme, duke filluar nga 24 marsi i vitit 1999 e deri më 20 qershor 1999.
Edhe pas hyrjes së forcave të NATO-së në Gjilan në mënyra të ndryshme janë vrarë 15 persona . Nga statistikat zyrtare që posedon arkiva e Gjilanit shihet se në Gjilan dhe rrethinë janë vrarë gjatë periudhës së luftës dhe pas saj 147 persona , prej tyre 25 janë femra.
Gjithashtu sipas këtij raporti që e ka udhëhequr Sami Hoxha janë plagosur 75 persona , katër persona llogariten të zhdukur. Sipas raportit mbi pasojat e luftës në Gjilan të hartuar nga Këshilli Komunal i Qeverisë së Përkohshme në Gjilan forcat serbe kanë djegur tërësisht 950 shtëpi, pjesërisht 452. Rreth 7321 shtëpi janë plaçkitur .
Pasojat e luftës të shkaktuara në dëmet e ekonomisë familjare kapin shifrën e 177 milion e 201 mijë marka gjermane.
Shikuar strukturën dhe përgatitjen shkollore del se ushtria serbe e ndihmuar nga paramilitarët serb dhe policia kanë vrarë në mënyrë të organizuar fëmijë, nxënës, studentë, bujq, imamë, shurdhmemecë, rojtarë, zjarrfikës, profesorë, drejtor shkolle, minatorë, taksistë, amvise, juristë të diplomuar, inxhinierë, kamerierë etj.
Nga të gjitha dëshmitë e drejtpërdrejta nga tereni duke intervistuar dëshmitarë, familjar të viktimave, persona aktiv gjatë asaj kohe del se vrasjet janë kryer me paramendim dhe me një program kohor të organizuar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Sipas shënimeve të nxjerra nga komisionet përkatëse që janë marrë me lokalitetet e të vrarëve shihet se të gjithë të vrarët në tërë territorin e Komunës së Gjilanit kanë jetuar në 31 lokalitete.
Realisht si masakra më e rëndë në Gjilan llogaritet ajo në Llashticë , Zhegër, Llovcë, dhe Zhegovc./rajonipress/


