Eko Higjiena

Dorëzohet KPF-ja – hiqet kushtëzimi

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Të martën në takimin e KPF-së është rekomanduar heqja e kushtëzimeve për kompanitë publike. Arben Mehmeti tha për rajonipress se ky vendim është anuluar me mbështetjen kryesisht të opozitës.

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) në takimin e së martës ka anuluar –rekomanduar vendimin e Kuvendin Komunal për kushtëzimin e qytetarëve për të paguar dokumentet që lidhen me dy kompanitë publike “Hidromorava” dhe “Ecohigjiena”.

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) e ka shqyrtuar të martën vendimin për kufizimin e shërbimeve komunale me pagesën e faturave për ujë dhe mbeturina, të miratuar në qershor 2011 dhe ka vendosur që t`i rekomandojë Kuvendit Komunal shfuqizimin e tij.

Arben Mehmeti shef i grupit të LDK-së tha për rajonipress se ky vendim është anuluar kryesisht me mbështetjen e opozitës ku tre anëtar të KPF-së të LDK-së ishin pro anulimit, një nga PDK, 1 nga AAK-ja dhe 1 nga AKR-ja.

Mehmeti tha se vendimi për të anuluar kushtëzimin e marrë nga Asambleja Komunale ka qenë kërkesë e kamotshme e LDK-së e cila edhe ka përdorur instrumentet ligjore për kontestimin e këtij vendimi që ka qenë sipas neve një vendim antikushtetues dhe anti ligjor.

Mehmeti sqaroj se kjo kërkesë është bërë që nga mbledhja e kaluar e KPF-së ku është kërkuar që të futet si pikë e veçantë shqyrtimi dhe anulimi i këtij vendimi. “Ju takon përgjegjësia ligjore e pushtetit që deri tani në sirtar i kanë mbajtur rekomandimet e Ministrisë së Pushtetit Lokal që ka kërkuar me kohë anulimin e këtij vendimi”.

Ndryshe kushtëzimi për kompanitë publike kishte ngjallur reagime nga më të ndryshmet. Qeverisja komunale e kishte arsyetuar vendimin me faktin se kushtëzimi mund t`i ngjallte dy kompanitë publike financiarisht, meqë gjendja e tyre ishte e rëndë, kurse për qytetarët , shoqërinë civile dhe opozitën shihej si një vendim që shkelte të drejtat e njeriut.

Pikërisht nga një grup qytetarësh edhe është dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimi për kushtëzimet i cili institucion ende nuk ka marrë vendim zyrtar.

Mobi Casa

Edhe Izmi Zeka, kryesues i KPF, njëherësh edhe i Kuvendit Komunal, ka thënë se kushtëzimi ka qenë një çështje që është diskutuar për një kohë të gjatë dhe tani kemi ardhur në përfundim se ai duhet të hiqet.

Është qëndrim imi personal, por edhe i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, se kushtëzimi e ka arritur efektin e pritur dhe se vendimi është marrë me qëllim që të ndihmohen kompanitë për të ofruar shërbime sa më të mira për qytetarë.

“Konsiderojmë se vendimi për kufizimin e disa shërbimeve, i ka ndihmuar kompanitë që të stabilizohen deri diku, sikurse i ka vetëdijesuar edhe qytetarët për obligimet e tyre ndaj këtyre kompanive që ofrojnë shërbime publike”, ka thënë Zeka.

Ai e ka ritheksuar se vendimi është marrë për qëllimin më të mirë, ndërkohë që ka kërkuar prej qytetarëve që t`i kryejnë obligimet e tyre, pa pasur nevojë për kushtëzime. Zeka ka thënë se kompanitë nuk janë pajtuar për heqjen e kushtëzimit.

Rekomandimi për shfuqizimin e vendimit, është mirëpritur nga opozita. “Qëndrimi ynë për kushtëzimin, dihet dhe tani jam i kënaqur që edhe partia në pushtet është në pajtueshmëri me ne sa i përket këtij vendimi”, ka thënë Sokol Haziri (AAK).

Ai beson se kushtëzimi e ka arritur efektin e duhur dhe tani e tutje kompanitë duhet të ndihmohen në forma tjera, por barrën kryesore të organizmit duhet ta bartin ato vetë.

Haziri ka thënë po ashtu se AAK nuk do ta shfrytëzoj për qëllime politike shfuqizimin e vendimit për kushtëzimin e qytetarëve, pavarësisht se sivjet janë zgjedhjet.

Kurse Sadudin Berisha tha se grupi i këshilltarëve të LDK-së, vazhdimisht e ka kundërshtuar këtë vendim, që nga fillimi i miratimit të tij, jo pse qytetarët nuk duhet t`i kryejnë obligimet e tyre, por sepse ka qenë joligjor dhe kundërkushtetues pasi që drejtpërdrejt ka cenuar të drejtat e qytetarëve./rajonipress/