ARKATANA

Dorëzohet dhe vuloset në Arkiv ”DIMRI” i Kadaresë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Zbatohet vendimi i Gjykatës së Tiranës për sigurim padie. Përfaqësuesi i Nexhmije Hoxhës dhe Teuta Hoxha dorëzuan dorëshkrimin origjinal.

Dorëshkrimi aq i përfolur i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” u dorëzua në Arkivin Qendror Shtetëror. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, sipas të cilit për sigurim padie, dorëshkrimi në posedim të familjes Hoxha sekuestrohej dhe merrej në ruajtje të përkohshme nga Arkivi i Shtetit, përfaqësuesi ligjor i Nexhmije Hoxhës dhe e reja Teuta Hoxha kanë bërë dorëzimin.

Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të AQSH, Nevila Nika, “të premten u bë dorëzimi fletë për fletë (gjithsej 1252) sipas dosjeve ku ishin vendosur, gjithsej shtatë, nga përfaqësuesi i Nexhmije Hoxhës”. Sipas saj, bëhej fjalë për dorëshkrime dhe shtypshkrime, të cilat ruheshin në gjendje të mirë dhe pa dëmtime fizike. Për të gjithë procesin e dorëzimit dhe të verifikimit u mbajt një procesverbal, i cili mësohet të jetë nënshkruar nga përfaqësuesit e palëve, përmbaruesi dhe përgjegjësi i sektorit të ruajtjes pranë AQSH.

Sipas Nikës, AQSH nuk ka asnjë të drejtë për hapjen e dosjeve pa praninë e nënshkruesve. Dorëshkrimi u mbyll në një kuti, e cila është mbyllur me skoç dhe me vulën e përmbaruesit dhe vulë dylli me shenjën e AQSH-së dhe të përfaqësuesit të familjes Hoxha. “Dorëshkrimi u vendos në dhomën ku mbahen kodikët”, informon drejtoresha Nika. Ndërkaq, përfaqësuesja ligjore e Ismail Kadaresë, avokatja Flonja Tashko, thotë se i gjithë procesi i dorëzimit u krye në mënyrë shumë të rregullt, në bazë të vendimit për sekuestrimin dhe inventarizimin e dorëshkrimit të romanit të Ismail Kadaresë.

Uji Dea

Sipas saj, përmbaruesi mbajti procesverbal për të gjithë procedurën, ndërsa Arkivi bëri verifikimin dhe inventarizimin e dorëshkrimit. “Jemi shumë të kënaqur për këtë hap. Sigurisht që dorëzimi dhe ruajtja e dorëshkrimit pranë Arkivit të Shtetit është një arritje, ndërkohë që ne presim vendimin e Gjykatës, duke shpresuar që të mund të marrim të drejtën tonë të autorit”, u shpreh Tashko. Historia e romanit me një jetë të vështirë “Dimri i vetmisë së madhe” u rihap dhjetë ditë më parë, kur Ismail Kadare paditi bashkëshorten e ish-diktatorit Nexhmije Hoxha.

Më datën 18 korrik, Kadare ka paraqitur në Gjykatën e Tiranës një kërkesë-padi, për të cilën është bërë shkak dorëshkrimi origjinal i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Sipas padisë, shkrimtari pretendon se dorëshkrimi origjinal i këtij libri mbahet në mënyrë të paligjshme nga e veja e diktatorit. Pasi kanë dështuar të gjitha tentativat e shkrimtarit për ta rimarrë këtë dorëshkrim, ai i është drejtuar Gjykatës së Tiranës përmes një kërkesë-padie. Çështja gjyqësore mban numrin 14897. Në Gjykatën e Tiranës, padia po shqyrtohet nga gjyqtari Bledar Abdullai.

Dorëzimi i fotokopjes një vit më parë

Pas shumë tentativash të Ismail Kadaresë, përmes ndërmjetësish, për të rimarrë nga Nexhmije Hoxha dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, në qershor të vitit të shkuar Teuta Hoxha ka dorëzuar në Arkivin e shtetit një kopje të romanit. Në emër të Nexhmije Hoxhës, ajo dorëzoi një fotokopje të dorëshkrimit. Sa i përket origjinalit, Nexhmije Hoxha pretendon se është një dhuratë nga ana e shkrimtarit Ismail Kadare dhe ajo nuk ka përse ta dorëzojë.