GRANDEMALL

Dorëzimi i shtetit

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Shteti nuk është OJQ që të reagojë me komunikata e të shpreh keqardhje. Shteti duhet të veprojë sipas ligjit, e jo të dorëzohet si në Rastin Zharku dhe në Rastin Kosovo 2.0.

Dështim katastrofal për secilin shtet në botë do të ishte ikja pa ferrë në këmbë jashtë vendit e cilitdo qytetari të dënuar nga drejtësia. Në rastin e Kosovës, ai që ka shkuar “dikah”, pa e penguar askush, është Xhabir Zharku, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut. Madje, është bërë e ditur se ai e ka braktisu vendin përmes Aeroportit të Prishtinës.

Zyrtarë të PDK’së – partisë së Zharkut dhe partisë në pushtet – ata që i thurnin lavde dikur, tash kanë zgjedhur të shprehin keqardhjen për atë që ka ndodhur. Thonë edhe se rasti i tij paska dëmtuar imazhin e PDK’së.

Është për keqardhje kur edhe në të tilla raste më e rëndësishme del të jetë partia, se Shteti. Sikur duan të na mbushin mendjen se këtu kemi të bëjmë vetëm me dëmtim imazhi të një partie të caktuar, e jo për shmangien nga vuajtja e dënimit të një personi mjaft të rëndësishëm, dënimin e të cilit me tre vjet burgim për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme.

Rasti i ikjes së Zharkut është shumë më shumë se vetëm kaq. Më parë se me imazhin e PDK’së, ajo që ka ndodhur ka të bëjë me Kosovën, me funksionimin e Kosovës shtet, me drejtësinë e sigurinë e këtij vendi.

Dhe, nuk është vetëm çështje personale e Zharkut mënyra si ai ka zgjedhur të veprojë, por është çështje shteti. Çështje e dështimit të strukturave të drejtësisë e sigurisë, çështje e dështimit të strukturave të Shtetit.

Të gjithë e kanë ditur se Zharku po bënte çmos që të mos shkonte në burg për veprat e kryera. Është turp të thuhet se nuk ka mundur të parandalohet ikja e tij, siç është turp të heshtet ajo që ka ndodhur.

Kur një ish-kryetar komune dhe zyrtar i lartë i partisë që qeveris lejohet lirshëm të ikë, pa e vuajtur dënimin e shqiptuar, paramendoni se si mund të veprojnë qytetarë të rëndomtë, që e marrin shembull atë. E shokët e Zharkut gjithë ditën na flasin për shtet ligjor e demokratik!

* * *

Mbrëmjen e të premtes së kaluar, një grup qytetarësh morën ligjin në dorë dhe sulmuan një grup tjetër qytetarësh, për shkak se ata mendonin ndryshe. Në një vend që quhet demokratik, dikush zgjedh t’ia mohojë tjetrit lirinë e shprehjes, të fjalës, madje edhe lirinë e të qenit, duke u thirrur në njëfarë të vërtete absolute – që është e vërteta “e atyre”, por të cilën duhet ta respektojnë të gjithë të tjerët.

Uji Dea

Një grup qytetarësh nuk treguan qytetari, por huliganizëm, harbutëri. Të yshtur nga agjenda të dyshimta dhe motive aspak qytetëruese, ata i dhanë vetes të drejtë të demolojnë një hapësirë publike në kryeqytet, ku pritej të mbahej një manifestim gjithashtu publik, organizuar nga Kosovo 2.0.

Duke e keqkuptuar me dashje qëllimin e ngjarjes që po organizohej, ata u shfaqën si njëfarë policie e moralit, si dofarë gardianësh të vlerave që ata i perceptojnë se një popull i tërë duhet t’i respektojë. Po, po. Ata i japin vetes të drejtë të flasin në emër të popullit, nuk lejojnë debat dhe kushdo që ka guximin t’i kundërshtojë, e etiketojnë me gjithfarë epitetesh. Sepse, ata janë të gjithëdishmit, të gjithëmoralshmit.

Policia dështoi atë natë. Dështoi të intervenojë ashtu siç do të duhej të vepronte, për t’iu treguar se iu takon atyre që të veprojnë kur thyhet ligji, kur rrezikohet jeta e qytetarit – iu takon atyre që të kryejnë detyrën si duhet, kur dikush përpiqet ta marrë ligjin në dorë. Shteti dështoi atë natë.

Unë nuk dua të besoj thashethemet se për veprimet huliganeske të asaj nate është festuar në një restorant të kryeqytetit nga dy anëtarë të Kabinetit Qeveritar të Kosovës. Po që se ka ndodhur kështu, atëherë ky vend ka probleme edhe më të mëdha se ato që i dimë të gjithë. Po që se ka ndodhur kështu, atëherë ky vend ka mbaruar.

* * *

Si në rastin Zharku, ashtu edhe në rastin e Kosovo 2.0, Shteti ka dështuar. Përderisa për të parin zyrtarë të institucioneve dhe të partisë në pushtet kanë shprehur keqardhje, i dyti është dënuar ashpër – nëpërmjet komunikatave!

Përderisa në të parin është lejuar të ikë një person i rëndësishëm, i dënuar me burgim, në të dytin është lejuar të pengohen dhe sulmohen qytetarë të pafajshëm, që do të duhej të ishin qytetarë të lirë të këtij vendi. Ndërkaq, dhuna e ushtruar është dënuar nëpërmjet komunikatave. Sikur Shteti të ishte ndonjë OJQ, e jo një organizëm me pushtet politik, që respekton të drejtat e gjithësecilit, të garantuara me kushtetutë dhe ligje.

Ose, mbase partia që udhëheq Shtetin nuk e ka fort problem që të sakrifikojë rend, ligj e jetë qytetarësh në emër të votave që do të mund t’i humbiste ose fitonte në zgjedhjet e ardhshme. Vota që do t’i jepnin në emër të ndërtimit të Shtetit, ata që me veprimet e tyre duan ta shkatërrojnë atë.

Kur dorëzohet Shteti, as votat s’kanë vlerë. Ndërkaq jeta e njeriut vlen pesë para.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.