Donald Suxho, shqiptari që arriti majat e volejbollit botëror

Gjilan -Ai është anëtarë i rregullt i kombëtares së SHBA-ve, me të cilin e u paraqit në Kupën e Botës, në Lojëra Olimpike e shumë aktivitete të tjera.
Ky shkrim është shkruar në kohën kur Donald Suxho,ishte në Gjilan në gjatë një seance stërvitore që ka pasur me KV Drita. Ka një rrëfim interesantë nga ana profesionale e tij.”Jeta ime është volejbolli” është shprehur Suxho.
Tashmë padyshim Suxho është njëri prej volejbollistëve më të mirë shqiptarë, pasi ka pasur paraqitje anekënd botës me ekipe të njohura e me kombëtaren e Shqipërisë dhe atë të SHBA-ve, fundin e muajit mars e ka shfrytëzuar për të qëndruar për herë të parë në Kosovë, ku ka mbajtur seanca stërvitore me ekipet e reja të KV Drita dhe nga afër ka vëzhguar ndeshje volejbolli të rangut kosovar.
I lindur në qytetin e Korçës, Donald Suxho, rrjedh nga një familje volejbollistësh, ngase edhe babai i tij, Petraq Suxho kishte qenë volejbollist e më pas trajner. Ai kujton rrëfimet e babait të tij, sidomos ato, kur në vitin 1974 kishte luajtur në Prishtinë dhe rrëfimet e të atit dhe shoqërimi me topin e volejbollit, te Donaldi i ri kishin ngjallur dëshirën për t’u marr edhe ai me këtë sport.
Fillimisht lojtar i kategorive të reja të Skënderbeut të Korçës, Donald Suxho, në vitin 1986 nis të merret me volejboll në rolin e pasuesit, duke u futur edhe në ekipin kombëtar të të rinjve të Shqipërisë dhe në kampionatet në ballkanike në Bullgari e Turqi doli pasuesi më i mirë, gjë e cila bëri që qysh i ri edhe atë deri në vitin 1992 të luaj për kombëtaren e Shqipërisë dhe me ekipin e Studentit në kupat e Evropës në Portugali.
Viti 1994 shënon kthesë në karrierën e Donald Suxhos. Ai niset për në SHBA, në Kaliforni e Kanzas, ku në Universitetin e Jugut për katër vite lojë aktive doli dy herë lojtari më i mirë i SHBA-ve si pasues, por edhe si shërbyes.
Me marrjen e pasaportës së SHBA-ve, Suxho merr edhe ftesën për prova në përfaqësuese dhe doli shumë mirë, e nga viti 2000 është anëtarë i rregullt i kombëtares së SHBA-ve, me të cilin e u paraqit në Kupën e Botës, në Lojëra Olimpike e shumë aktivitete të tjera.
Karrierën me ekipe, Suxho përpos në Shqipëri, në Evropë ka luajtur edhe në Poloni, Turqi, dy vite me ekipin Erdemispor, kur edhe morën dy kampionate, në Greqi me ekipin Olimpiakos, për t’u kthyer më pas në Itali për dy vite në ekipin Montekiari, që doli të jetë ekip më me pak fat, ngase më 2007, Suxho pësoi lëndim të rëndë, duke thyer këmbën te pjesa që njihet si “thembra e Akilit” dhe që prej atëherë, sërish është kthyer në SHBA, për t’u rikthyer edhe njëherë në Turqi e Itali.
Siç thekson 34- vjeçari, Donald Suxho, në kujtesën e tij gjithsesi kanë mbetur çerekfinalja në Lojërat Olimpike, kur përballë kishin Greqinë dhe kur humbja për SHBA-të dukej e pashmangshme, ata ia dolën të kthehen dhe në setin e pestë vendimtarë ngadhënjyen pas vazhdimeve.
“Kupa e Amerikës e luajtur në Brazil, ku ngadhënjyem para mbi 20 mijë tifozëve vendas gjatë do të mbetet në kujtesën time, derisa gjithsesi se paraqitjet më të mira mbeten në Turqi, kur me ekipin tim fituam titullin për të dytën herë, por kësaj radhe gjatë gjithë kampionatit patëm vetëm një humbje, duke arritur një seri të ndeshjeve prej 42 fitoreve e asnjë humbjeje”, thotë Donald Suxho.
Suxho me nostalgji flet për volejbollin dikur në Shqipëri, derisa për atë që është sot thotë se ka rënë shumë. Ekipi tij i parë Skënderbeu tash është në kategorinë e dytë e që përballet me vështirësi nga më të ndryshmet. Ai thotë se shumë nga lojtarët më të dalluar në Shqipëri dolën jashtë shtetit e niveli i volejbollit u zbeh shumë.
“Volejbollin në Kosovë e njoh shumë pak, sepse pas gjashtëmbëdhjetë vite qëndrimi në SHBA, në nëntor u ktheva në Tiranë për të parë të afërmit, kurse ku për herë të dytë u ktheva në Shqipëri, vendosa që të vizitoj edhe Kosovën, andaj nuk e njoh shumë volejbollin e këtij vendi”, thotë Suxho, i cili për pak ditë sa ka qëndruar në Gjilan, ka bërë një seancë stërvitore me ekipin e femrave dhe thotë se i ka pëlqyer shumë ekipi i të rejave, i cili ka shumë talente dhe duken mënyrë, duke thënë se Lorik Iliazi, trajner po bënë një punë shumë të mirë me to, derisa thotë se t’i ketë pëlqyer edhe ekipi i meshkujve, i cili në pesë sete shënoi fitore.
Suxho thotë se ka dëshirë që të ndihmojë volejbollin kosovar, sidomos të rinjtë, duke i ftuar ata që të merren me këtë sport, që Suxho e quan sport të mirë dhe që të jep një jetë shumë të bukur. “Bisedat me njerëz, më bëjnë që të mendoj që të kthehem edhe herëve të tjera, që t’u ndihmojë në gjëra teknike e taktike.
Donald Suxho e lë për më vonë zejen e trajnerit, ngase mendon që karrierën ta vazhdojë edhe për 5- 6 vite të tjera dhe siç thotë ai, nëse ndonjë ditë do t’i përvishet kësaj zeje, sigurisht se me sy, mendje e trup do të jetë në Kosovë, në ndihmë të volejbollit shqiptar./rajonipress/