Doli numri 4 i revistës albinfo.ch
Numri më i ri i revistës Albinfo.ch është në duart tuaja. Si zakonisht, ai mund të gjendet kudo në mjediset ku frymojnë shqiptarët, në Zvicër.
Është në natyrën e njeriut që të synojë drejt të mirës, drejt jetës më të mirë e më komode për vete dhe për familjen. Dihet edhe maksima “Ubi bene ibi patria” (Atdheu im është atje ku jam mirë).
Shqiptarët sigurisht nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull gjë që shihet nga numri jo i vogël i bashkatdhetarëve tanë që vijnë në Zvicër ose edhe në vende tjera të perëndimit për t`u martuar me moshatarë/e të etnisë së njëjtë. “Martesë për viza” mund të quhet kjo dukuri në mënyrë të thjeshtëzuar.
Por duket se nuk është gjithçka kaq e thjeshtë.
Albinfo.ch në këtë numër ka vënë në fokus pikërisht këtë trend: martesat në mes të të rinjve tanë me qëndrim në Zvicër dhe atyre nga Kosova ose vendet tjera të banuara me shqiptarë. Sa është e përhapur kjo dukuri, cili është motivi që i shtyn këta të rinj të lidhen duke pasur një distancë të tillë gjeografike e kulturore mes vete dhe kanë qenë disa pyetje për të cilat kemi kërkuar përgjigje.
Përgjigjen për pyetjen e parë – numrin e personave që kanë ardhur nga Kosova në Zvicër për të lidhur martesë – e kemi marrë nga Zyra Federale për Migracion. Dhe ajo është shumë e qartë: Nga gjithsej 2646 kosovarë që kanë ardhur gjatë vitit 2013 në Zvicër, 2291 ose afër 90% këtë e kanë bërë për të lidhur martesë. Një përqindje e tillë edhe është e kuptueshme kur dihet se shtetasit e Kosovës dhe të shumicës së vendeve tjera jashtë BE-së pothuajse nuk kanë fare mundësi tjera të ardhjes për të jetuar në Zvicër përveç përmes martesës.
Pos martesave, albinfo.ch në numrin e saj të katërt i ka kushtuar hapësirë edhe aktiviteteve të shumta të komunitetit shqiptar në Zvicër, pastaj aty janë të pranishëm edhe personalitetet nga sporti e kultura, është një intervistë ekskluzive me yllin e futbollit Granit Xhaka, me modelisten elite Adelina Biba etj.
Një temë që po ashtu zë vend të rëndësishëm në këtë numër është trajtimi i personave të moshuar me prejardhje të huaj në Zvicër, temë që lidhet edhe me trajtimin e të moshuarve në Kosovë. Lidhur me këtë të fundit flet shkrimi që përcjell një aktivitet të zhvilluar në Cyrih për ndërtimin e një shtëpie të pleqve në Mitrovicë.
Investimi në vendlindje dhe stimulimi i punësimit të të rinjve në Kosovë nga ana e organizatave zvicerane janë edhe dy tema që albinfo.ch u ka dhënë hapësirë në këtë numër.
Revistën albinfo.ch mund ta gjeni në ambientet e ndryshme ku frekuentojnë shqiptarët, si në sshoqata, klube, Qendra Kulturore, fetare, shitore e lokale tjera në gjithë Zvicrën./albinfo.ch/


