Dokumente të personave të tjerë zbulohen në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, nis hetimi për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë
Gjilan – Një rast i dyshuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë është iniciuar në Pikën Kufitare Dheu i Bardhë, pasi autoritetet kufitare kanë gjetur dokumente të ndryshme që i përkisnin personave të tjerë gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të Republikës së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja është regjistruar më 27 korrik 2026, rreth orës 13:15, kur gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga një shtetas i Kosovës janë zbuluar dokumente të ndryshme, përfshirë certifikata të lindjes, certifikata të shtetësisë të lëshuara nga Serbia, certifikata martese, kopje të letërnjoftimeve të Republikës së Kosovës, si dhe vendime të ndryshme të gjykatave të Serbisë, të cilat u përkisnin personave të tjerë.
Pas procedurave policore, i dyshuari është intervistuar lidhur me rastin, ndërsa me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Policia ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe qëllimin e posedimit të këtyre dokumenteve, si dhe për të verifikuar nëse ato janë përdorur ose synoheshin të përdoreshin në kundërshtim me ligjin./rajonipress/


