RCCOLA

Doktorata e politikanit gjerman me temë Kosovën, “Copy paste”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kreidl kishte doktoruar në vitin 2005 me disertacionin “Konflikti i Kosovës…”. Punimi ka 300 faqe, rreth 80% të të cilave janë “huazuar” nga studiues të ndryshëm.

Që nga zbulimi i plagjiaturës së ish ministrit gjerman të mbrojtjes, Gutenberg, askush më nuk mund të flejë i qetë nëse në disertacionin e doktoraturës së tij ka diçka të dyshimtë. “Vroniplag”, një grup i formuar enkas, ka demaskuar tashmë dhjetëra doktorë shkencash, në nivel të Gjermanisë, mes tyre edhe ministra, që kanë kopjuar. Shumë prej të zbuluarve kanë humbur postet dhe, gjithsesi, edhe titujt “shkencorë”.

Viktima e radhës është politikani i CSU-së në landin e Bavarisë, Jakob Kreidl. E veçanta në këtë rast është se doktoratura e tij e mbrojtur në vitin 2005 i kushtohet Kosovës, gjegjësisht konfliktit kosovar. Por Kreidl nuk e ka marrë mundin që të hulumtojë e të humbë shumë kohë në studime të thelluara. Ai, sipas Vroniplag e ka gjetur më komode që të “shërbehet” në librat e dy-tre studiuesve, t`i përziejë e maskojë ato dhe në fund t`i paketojë si punim të vetin.

Ekspertët kundër plagjiaturës, megjithatë kane mundur të gjejnë se 8 nga 10 faqet e disertacionit të tij janë të vjedhura, shkuajnë gazetat si “Süddeutsche Zeitung”, “Merkur”, “Südkurier” etj.

Se e ka tepruar me “huazime”, këtë e ka kuptuar tash edhe vetë Kreidl. Ai ka hequr dorë nga titulli i doktorit. “Unë pranoj se titullin e doktorit e kam bartur me krenari”, ka deklaruar politikani. Por, “për shkak të dobësive evidente”, ka shtuar ai, “disertacioni nuk i plotëson më kriteret e duhura”, e pranon edhe vetë ai.

Kreidl kishte doktoruarr në universitetin e Bundesverit në Munih në vitin 2005 me disertacionin “Konflikti i Kosovës. Historia, rrjedha dhe perspektivat. Mbi stabilizimin e një regjioni të krizës”. Punimi ka rreth 300 faqe, për të cilat ai, thoshte se janë rezultat i hulumtimeve. Por tash ai “ka vënë re se i janë përvjedhur një numër i madh gabimesh”.

Uji Dea

Kreidl u ka kërkuar falje autorëve që nuk i ka cituar sipas rregullit.

Pas zbulimit të plagjiaturës, universiteti është duke bërë shqyrtimin e disertacionit, ndërsa Kreidl, sipas deklarimit të tij, nuk e ka ndërmend të braktisë postin e tij politik.

Por, ndërkohë, profesorët Berthold Neyer dhe Peter Schlotter te raporti i të cilëve mbi Kosovën, i realizuar në vitin 2000 Kreidl “është shërbyer” pa rezervë, nuk duan ta lënë punën me kaq. Në një letër drejtuar politikanit të CSU-së ata nuk i kursejnë fjalët e ashpra ndaj tij, shkruan “Süddeutsche Zeitung”. Përveç për vetë plagjiaturën, ata e kritikojnë atë për mënyrën se si ai e arsyeton veprimin e bërë e bërë.

“Këtu nuk bëhet fjalë për gabime të tipit të lëshimeve por për shkelje me vetëdije të të drejtës së autorit”, shkruajnë ata.

Përveç nga dy autorët e përmendur, Kreidl, për punimin e tij ka marrë edhe nga studimet e historianit Klewing dhe analistit Jens Reuter, të dy autorë të njohur për kompetencën e tyre lidhur me temën e Kosovës.(albinfo.ch)