RCCOLA

Dogana optimiste se sivjet do të mbledhë 934 milionë euro

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Gjatë muajit të parë të këtij viti, Dogana e Kosovës ka mbledhur mbi 38 milionë euro, apo rreth 3 për qind më shumë se në muajin janar të vitit paraprak. Kështu tha për Radio Kosovën zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci. Bazuar në të hyrat e këtij muaji, ai thotë se janë optimist se do të realizojnë planin e këtij viti.

Buxheti i Kosovës edhe më tej vazhdon të mbushet kryesisht nga të hyrat që mblidhen në kufij. Ndonëse gjatë vitit të kaluar kishte trend rënës të të hyrave nga dogana, fillimi i këtij viti është mjaft i suksesshëm për këtë institucion.

Zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci, thotë se gjatë muajit janar janë grumbulluar më shumë mjete se gjatë muajit të njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë muajit janar të hyrat kanë performuar shumë mirë. Vitin e kaluar të hyrat kanë qenë 36 milionë euro, gjatë janarit të këtij viti të hyrat kanë tejkaluar 38 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 3 për qind. Kjo statistikë është deri më datën 28, ndërkaq deri në fund, presim të mblidhen 45 milionë, aq sa janë planifikuar nga Dogana”.

Sipas parashikimeve, dogana sivjet duhet të grumbullojë 934 milionë euro. Bazuar në të hyrat e muajit janar, Stavileci shprehet optimist se Dogana do ta realizojë këtë plan.

RCCOLA

Por njohësit e çështjeve ekonomike thonë se rënia e importeve mund të reflektohet drejtpërdrejt në të hyrat doganore. Sidoqoftë, drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, thotë se rritja e planifikuar e këtyre të hyrave mund të realizohet.

“Rritja e të hyrave prej doganave do të vijë si rezultat i rritjes së akcizës në disa produkte, siç është duhani dhe produktet tjera, mirëpo marrëveshja e tregtisë së lirë me BE-në e sidomos ajo me Turqinë, do të ndikojë që të hyrat doganore të ulen dukshëm”.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se të hyrat mund të rriten pas funksionalizimit të pikave doganore në veri.

“Logjikisht se duhet të rriten të hyrat nga doganat, për arsye se të hyrat nga dy pikat doganore në veri të Kosovës, 1 dhe 31, tash i nënshtrohen obligimeve shtetërore, do të thotë i nënshtrohen doganimit”.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2013 Dogana ka grumbulluar 837 milionë euro, ndërsa në vitin 2012 – 847 milionë euro.