RCCOLA

Dobrosini në rrethim të hekurt

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Forca të mëdha të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe kanë bllokuar të premten paradite çdo hyrje dalje të fshatit Dobrosin të komunës së Bujanocit.

Siç deklaruan për “Zëri” banorët e këtij lokalitete etnik shqiptarë, në çdo lagje dhe rrugë sekondare janë të stacionuar xhipa të blinduar të xhandarmërisë, ndërsa rruga që të shpije drejt Bujanocit është e bllokuar edhe nga Ushtria e Serbisë.

Në fshat, ndërkaq është dhënë një informacion se barakën e policisë multietnike, e cila, sipas MPB-se serbe, është sulmuar nga shqiptarët, do ta vizitojë ministri serb i rendit, Ivica Dacic.

Megjithatë në Dobrosin është ngjallë dyshimi, se forcat serbe të xhandarmërisë po shfrytëzojnë këtë “vizitë” për të mbajtur të bllokuar këtë fshat.

Ndryshe në anën tjetër të kufirit, sipas burimeve të “Zërit” kanë dalë edhe paqeruajtësit ndërkombëtarë të KFOR-it.

Këta të fundit mund të jenë kërkuar nga ministri Dacic që ta sigurojë kufirin nga pjesa e Kosovës, për faktin se Dobrosini është shumë afër kufirit me Kosovën ndërsa mbanë edhe epitetin e vendlindjes së UÇPMB-së.

UBT

Ndërkaq, ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, ka thënë se në kohën kur shumë të rinj janë pa punë, mund të ndodhin incidente, të individëve, të paorganizuara, të cilat mund të sjellin deri tek e shtëna.

“E ky është tentim serioz, nuk është shaka”, ka thënë Sutanovac për sulmin në Dobrosin, për televizionin “Palma Plus”.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Dobrosin është terrorizëm. Në aspektin strategjik, gjërat mund të zgjidhen më së miri me punësimin e atyre njerëzve, duke u dhënë shansin që të mos jetojnë sot për nesër, ndërsa shansi është i përbashkët – hyrja në Evropë”, tha ai.

Sutanovac theksoi se shpesh deklaratat e papërgjegjshme rreth “kujt çka t’i bëjmë, me të cilat ne në Serbi e lëvdojmë vetveten, mund të çojnë tek ajo që dikush të ndihet i kërcënuar”.

Ndryshe, agjencia Preshevajone, referuar një letre që i ka arritur në redaksi shkruan se “Lëvizja e Lirisë”, ka marrë përgjegjësinë e sulmit mbi stacionin policor në Dobrosin. /Telegrafi/