Mobi Casa

Do të jetë një rol i nxehtë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Pasi ditë më parë është zbuluar se Rita Ora do të paraqitet në filmin e ri “50 Shades of Gray”, një film ky që flet kryesisht për seksin, është deklaruar edhe vetë këngëtarja.

Ajo ka thënë se kjo do të jetë një sfidë e re për të, pasi roli i saj është mjaft i nxehtë dhe provokues. “Kjo do të jetë një sfidë e re për mua, por të cilën shpresoj se do ta kaloj me sukses.

Është një rol tepër i nxehtë dhe jashtëzakonisht provokues, por mezi pres të fillojnë xhirimet, sepse dua ta tregoj talentin tim edhe në këtë fushë”, ka deklaruar ajo. Në anën tjetër, Rita ka filluar bashkëpunimin me këngëtarin e famshëm Prince për albumin e saj të ri. Këngëtarja kosovare ndjehet e nderuar që ka pasur mundësi që të takojë ikonën e muzikës dhe ka zbuluar se ata tashmë kanë realizuar ca muzikë së bashku.

Uji Dea

“Jam takuar me të dhe kisha nderin që të jam në të njëjtën studio muzikore me të. Ne kemi provuar ca muzikë dhe nuk mund ta besoj se si ai mund të luaj në aq shumë instrumente. E tëra që mund të them është se ne përfundimisht kemi bërë muzikë së bashku”, ka thënë Rita për tabloidin britanik “The Sun”.

Ylli i hitit ‘How We Do (Party)’ është duke punuar shumë në albumin i cili do të pasojë atë të vitit 2012 ‘Ora’, ndërsa në këtë drejtim është duke i ndihmuar edhe i dashuri i saj, DJ Calvin Harris, si dhe idhulli i saj Gwen Stefani. Në albumin e ri do të ketë ndikim të madh muzika pop e rëndë, por ajo ka insistuar se shumicën e këngëve që do të gjenden në albumin e ri, i ka shkruar vetë ajo.

“Më pëlqen muzika pop dhe jam një këngëtare e muzikës pop, kështu që në albumin e ri do të ketë vetëm muzikë pop, por me shumë risi në të. Do të ketë shumë vargje zbuluese në të”, ka shtuar ajo. Dhe fansat e saj nuk do të duhet të presin shumë që të dëgjojnë materialet e saj të reja, pasi ajo është në përfundim të albumit. “Është shumë i mirë dhe vetëm sa nuk ka përfunduar. Kam edhe ca gjëra që dua t’i fus në të dhe do ta përfundoj”, ka theksuar Rita.