UBT

DKA të zbatoj ligjin e arsimit në përputhje me kodin disiplinor

/ 4 minuta lexim

Gjilan- Procesi i regjistrimit të nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë (97% e tyre ) është bërë në bazë të kritereve, por që nga java e ardhshme inspektorët e arsimit do të vërtetojnë gjendjen edhe në teren lidhur me respektimin ose jo në saktësi të kritereve të vendosura nga drejtoria ka thënë Bujar Nevzati.

Me informatën e tij për arsimin në përgjithësi në këtë fillim vit shkollor është paraqitur drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Bujar Nevzati, i cili në komitetin e linjës, tha se gjithçka është duke shkuar mirë në arsimin gjilanas, kuptohet me mundësit që i kemi për përmirësimin e vazhdueshëm të arsimit në të ardhmen.

Nevzati tha se fillimi i vitit shkollor ka qenë i suksesshëm dhe të gjitha shkollat kanë nisur mësimin me tre shtator, pasi që për këtë është dhënë një angazhim shumë i madh i drejtorisë dhe i komitetit të Arsimit, i prindërve, nxënësve dhe i Komunës në përgjithësi. “Kemi hapur me kohë konkursin e pranimit të kuadrit arsimor, kemi paralajmëruar me kohë regjistrimin e nxënësve me kritere në klasë të parë dhe në atë të dhjetën, sikur që e kemi paralajmëruar edhe kriterin shtesë të përzgjedhjes së kuadrit arsimor (që kemi vetëm katër ankesa edhe ato të pabazuara, sipas komisionit) tha Nevzati.

Procesi i regjistrimit të nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë (97% e tyre ) është bërë në bazë të kritereve, por që nga java e ardhshme inspektorët e arsimit do të vërtetojnë gjendjen edhe në teren lidhur me respektimin ose jo në saktësi të kritereve të vendosura nga drejtoria. Një problem sipas tij mbetet ende interesim i vogël në shkollën e mesme teknike dhe bujqësore, në të cilat shkolla ka ende vende të lira për regjistrim të nxënësve.

Tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore janë ndarë falas. 30% e nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës “Selami Hallaqi” janë bartur në shkollën e re e cila është lëshuar për punë në fillim të këtij viti. Gjithashtu edhe objekti i shkollës së mesme të bujqësisë do të jetë i gatshëm në fillim të muajit të ardhshëm, pasi që punët janë kryer të gjitha dhe vetëm mbetet rregullimi i oborrit të saj dhe i inventarizimit.

Mjetet financiare prej 104 mijë euro të ndara nga qeveria i kemi destinuar për shkollën e re të gjimnazit të ri dhe sipas drejtorit edhe ajo shkollë do të jetë e gatshme gjatë vitit të ardhshëm, me të cilën gjimnazit do t’i lehtësohej puna jashtëzakonisht shumë. Poashtu dy drejtor të shkollave kanë dhënë dorëheqje, ai i Bujqësisë Emrush Qamili dhe ai i Muzikës Adhurim Rasimi, njëri për shkaqe shëndetësore e tjetri për arsye të angazhimit si profesor në fakultet.

Fundamenti

Nevzati gjithashtu e njoftoi komitetin edhe për përzgjedhjen e kompanisë për furnizim me lëndë djegëse për ngrohjen e shkollave, i cili do të filloj të operimin nga java e ardhshme.

Ndërsa Saranda Bllaca tha se testimi i kandidatëve gjatë intervistës për tu pranuar si mësimdhënës është i padrejtë, sepse sipas saj ka ndodhur që i njëjti profesor e ka kaluar atë student në fakultet dhe nuk i jep asnjë poen në këtë testim, për të cilin rast Nevzati tha se realisht është bërë me kërkesën e kandidatëve, sepse ata gjithnjë janë ankuar se asgjë nuk po pyeten nëpër intervista.

Ndërsa Rashit Sahiti, tha se me ligjet e në fuqi nxënësi dhe prindi kanë të drejtë të zgjedhin se kush mund t’i mësoj fëmijën e tij, sikur që kërkoi edhe konkurse plotësuese përpos konkursit kryesor që është hapur më herët.

Drejtori Nevzati informoi komitetin dhe studentët përfitues të bursës se gjysma e mjeteve do të ndahet javën e ardhshme dhe pjesa tjetër dikur më vonë.

Sugjerim për shtim të paraleleve në Gjimnaz dhe Mjekësi ka dhënë edhe anëtarja Shukrije Rapuca e cila tha se është një numër shumë i madh që kanë mbetur pa u regjistruar, megjithëse ka ende vende të lira nëpër disa shkolla të tjera. /rajonipress/