Fundamenti

DKA-ja e Gjilanit tallet me arsimin dhe gjilanasit!

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Nuhi Ismajli- DKA-së, së Gjilanit, e njohur për veprime injorante e skandaloze në fushën e arsimit gjilanas, sikur nuk i mjaftuan marrëzirat e deritashme, po doli edhe me një shkrim (“Edhe njëherë për regjistrimin në klasën e parë”, (www.rajonipress.com, më 6.10.2012), për të dëshmuar edhe më injorancën e paparë dhe mungesën e aftësisë profesionale për udhëheqjen e arsimit dhe, atë, që është edhe më e çuditshme, të tallet me qytetarët gjilanas!

Në letrën e saj, DKA-ja, e Gjilanit, përpiqet të injorojë dhunën që ushtroi mbi shkollën, ta arsyetojë dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve, prindërve dhe gjithë qytetarëve që kanë pasur rast t’i shohin skenat e papara, dhe të mohojë pasojat e saj të mëdha tek fëmijët, dhe jo vetëm tek ata.

Pra, për një muaj e sa qarje fëmijësh, për disa ditë mbyllje të dyerve të shkollës dhe kthimit mbrapsht të fëmijëve në shtëpi (pa llogaritur këtu brengat dhe vuajtjet e prindërve të fëmijëve), DKA, në Gjilan, bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë! Në fakt, gjithë ato përjetime të hidhura të fëmijëve dhe të prindërve, vetëm pse dashtën të zgjedhin vetë mësuesin-en, përjetime të panjohura ndonjëherë në historinë e arsimit, me përjashtim të gjendjeve të krijuara nga pushtuesit, për DKA-në e Gjilanit nuk janë gjë!

Pra, “rregullat” e DKA-së, që prodhuan dhunë ndaj fëmijëve (e prindërve) dhe keqpëdorimi i pushtetit, për të ushtruar dhunën ndaj fëmijëve e prindërve, siç ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte, veçmas më 25-28 shtator, sipas DKA-së, janë “rregulla” dhe veprime të arsyeshme!

Pra, DKA-ja e Gjilanit, e njohur në gjithë vendin për marrëzitë e skandalet e saj, nuk është në gjendje të reflektojë fare se cila do të ishte më e mirë: respektimi i dëshirës së fëmijëve e të prindërve, apo caktimi i rregullave jopedagogjike e joligjore dhe imponimi i tyre përmes dhunës, siç u veprua realisht.

DKA-ja e Gjilanit tallet keq me gjilanasit, fëmijët dhe prindërit, siç u tall shpesh deri më tash, si edhe në rastin kur arsimtarët konkurrentë për punë në arsim i futi në provim pranues, si nxënësit e dobët në riprovim! Sipas DKA-së së Gjilanit, qytetarët e Gjilanit janë të tillë sa, për ta, si për gjithë botën, nuk vlejnë mësimet e njohura të pedagogjisë, po nga “ekspertët” e DKA-së duhet caktuar disa rregulla të posaçme!

“Ne e kemi pas të qartë se, nxënësi ka të drejtë ta zgjedh mësuesin/sen, në kushte normale, por kjo mënyrë e regjistrimit, na ka shkaktuar mjaft probleme në rrethanat tona aktuale”! – thotë në letrën e saj DKA-ja e Gjilanit. D.m.th. qytetarët gjilanas paskan krijuar një çrregullim të madh, rrethana jonormale, pse kanë kërkuar regjistrimin e fëmijës së tyre te mësuesi-ja i,e caktuar, prandaj, DKA-ja e Gjilanit, gjegjësisht “ekspertët” e saj, bashkë më bashkëpunëtorët e tyre “ekspertë”, qenkan detyruar të caktojnë “rregullat, “reformat” dhe të ndërmarrin masa të dhunshme ndaj fëmijëve!

Çka qenkan qytetarët gjilanas, sipas DKA-së: qenie të veçanta, të çuditshme? Nuk qenkan këta si gjithë qytetarët e Kosovës dhe si gjithë qytetarët e botës, vetëm për faktin se, në kundërshtim me DKA-në e Gjilanit, dinë të kërkojnë mësuesin-en për fëmijën e tyre?!

A nuk është e çuditshme kjo që një drejtorat i arsimit nuk e di se pikërisht kërkimi i mësuesit-es nga nxënësi e prindi është shprehje dhe tregues i botës së qytetëruar?!
A nuk është e çuditshme që një drejtorat i arsimit të caktojë rregulla të ngurta për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë dhe të mos ndjejë fare turp për injorancën, primitivizmin dhe egërsinë e tij të treguar para qytetarëve ?!

Caktimi i “rregullave”, “reformave”, për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë të fillores, sipas DKA-së, në Gjilan, është bërë nga “ekspertët” e DKA-së, Kolegjiumi i Drejtorëve, Kolegjiumi i Arsimtarëve, Komiteti për Arsim etj.
Posi!

Subjektet e përmendura, sipas DKA-së së Gjilanit, qenkan subjekte shumë profesionale! Kështu, DKA-ja mund të arsyetohet para delegatëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, po kurrë para njohësve të problemeve të arsimit.

Cili pedagog mund të thotë së qëndrimet jopedagogjike mund të konsiderohen pedagogjike, siç po thotë e vepron DKA-ja e Gjilanit?! Cili pedagog mund të arsyetojë veprimet jopedagogjike të DKA-së së Gjilanit, në rastin e sjelljes së saj ndaj fëmijëve ?!
Cili pedagog do të thoshte se, duke mënjanuar një të metë, na lejohet të shkaktojmë në të metë edhe më të madhe?!

Cili pedagog do të thoshte se veprohet mirë, kur, në kundërshtim me gjithë botën, mohohen mësimet dhe arritjet e deritashme pedagogjike dhe, në kundërshtim me gjithë botën e qytetëruar, caktohen ”rregulla” të posaçme (vetëm për gjilanasit), sikur ne të ishim qenie të çuditshme dhe të dalluara nga gjithë bota?!

Cilët ekspertë të arsimit i ka DKA-ja e Gjilanit? (Vetë udhëheqësi i DKA-së së Gjilanit është veç një mësues i ciklit klasor!). Çka kupton DKA-ja e Gjilanit me ekspertë të arsimit? Nëse DKA-ja e Gjilanit ka ekspertë të arsimit, ku janë ata që nuk i sugjeruan DKA-së, ku punojnë, që të mos bëjë marrëzira, siç bëri e vazhdon të bëjë edhe më tej?!

Çfarë ekspertësh të arsimit i konsideron DKA-ja drejtorët e shkollave, të cilët, shumë prej tyre, nuk dinë të bëjnë dallimin midis këshillit të klasave dhe aktivit profesional?
Çfarë eksperti të arsimit e konsideron DKA-ja e Gjilanit, drejtorin, i cili, shkollën e drejton me polici private e shtetërore?!

Uji Dea

Çfarë sugjerimesh të mençura për arsimin pret DKA-ja e Gjilanit, nga Komitetit për Arsim, kur nuk ka pak ditë që, pikërisht nga një anëtare e atij komiteti, shprehet kërkesa injorante për shtimin e numrit të paraleleve të gjimnazit e të mjekësisë, që realisht i bie se duhet të mbyllen të gjitha shkollat tjera dhe drejtimet e tyre?!

Çfarë sugjerimesh të rëndësishme për arsimin pret DKA-ja e Gjilanit, nga përfaqësuesi i prindërve, në rast se ai nuk ka lidhje me dijet pedagogjike?! Me prindërit nuk janë bërë takime, as është bërë ndonjë hulumtim shkencor lidhur me mendimin e tyre për regjistrimin e fëmijëve. Etj.

Dihet se regjistrimi i fëmijës tek mësuesi-ja e caktuar, sipas dëshirës së tij dhe mundësisë objektive, nuk diskriminon fëmijën tjetër. Çdo fëmije mund t’i plotësohet dëshira deri në rastin e plotësimit të numrit të nevojshëm të nxënësve në paralele. Pastaj ka alternativa, janë mësuesit dhe paralelet tjera.

Dihet, në rastet e tilla, mësuesit-es i ndalohet rreptësisht tejkalimi i numrit normal të nxënësve në paralele, manipulimi me fëmijët, siç mund të jetë rasti i mospranimi ose dëbimi i tyre nga klasa për shkaqe subjektive. Në rast se mësuesi-ja bën shkelje të tilla, jo vetëm në kohën e regjistrimit të fëmijëve në klasën e parë, por edhe gjatë punës së tij/saj të vazhdueshme, ai/ajo ka bërë gabime të rënda pedagogjike, shkelje të rënda të detyrave të punës dhe nuk duhet t’i lejohet puna si mësues-e.

Arsyetimi injorant i DKA-së së Gjilanit, se “rregullat” për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë, i bëri për shkak të koncentrimit të popullsisë në qytet, nuk pi ujë fare. Koncentrimi i madh i popullsisë në qytet, shtimi i numrit të fëmijëve, kërkon shtim të paraleleve, pra të hapësirës shkollore dhe nuk ka farë lidhjeje me mënyrën e sistemimit të nxënësve nëpër paralele.

E përsërisim, se “rregullat” e DKA-së, për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë të fillores, janë tejet jopedagogjike, joligjore, antinjerëzore dhe antiqytetëruese, të cilat duhet të mënjanohen sa më parë, kurse veprimet e saj për të imponuar ato rregulla përmes dhunës, duhet gjykuar sa më rëndë.

Fëmijët e keqtrajtuar nga DKA-ja e Gjilanit, gjatë shtatorit dhe, veçmas, gjatë 25-28 shtatorit (e kjo mund të thuhet edhe për prindërit), kanë nevojë për ndihmë, për një trajtim serioz psikologjik e pedagogjik, sepse traumat nga ditët e përmendura, nuk do të shlyhen kurrë dhe do të kenë pasoja gjatë gjithë jetës së tyre. Mendoni, ju lutem, vetëm këto dy detaje, tepër rrënuese për botën njerëzore:

1. Një fëmijë që i afrohet derës së shkollës së tij dhe i lutet sigurimsit që ka zënë derën e shkollës: “A bân, bre, veç sod me hy?! Hajt, bre, veç sod?!” (Përkundër zërit lutës e të përvajshëm, fëmija nuk lejohet të hyjë në shkollën e tij!)

2. Një fëmijë (fatkeqësisht edhe i gjymtuar, është pa krahë), i nxjerrë nga klasa, që qanë në korridorin e shkollës dhe lutjet e tij që t’i lejohet të shkojë te mësuesja e tij, e cila, si thotë ai “mësuesja ime âsht ma e mira n’botë”! (As ndaj tij nuk ka mirëkuptim! As atij nuk i lejohet të hyjë në klasën e dëshiruar dhe te mësuesja e tij!).

DKA-ja e Gjilanit sivjet ka hyrë në borxh të madh me fëmijët dhe prindërit.
Mbase, DKA-ja e përmendur, kurrë nuk do të arrijë as të kuptojë peshën dhe pasojat e veprimit të vet. (Kur injoranti dhe i pandërgjegjshmi hipin në pushtet, prej tyre nuk priten veprime të arsyeshme dhe as aftësi për të vlerësuar veprimet e tyre!).

Fëmijët e keqtrajtuar sivjet, nga DKA-ja e Gjilanit, ndoshta një ditë do t’i përjetësojnë edhe në shkrime përjetimet e tyre. Edhe atëherë do të kemi gjykime për “rregullat” e veprimet e DKA-së së Gjilanit.

Po deri në atë kohë, do të ishte me shumë interes që psikologë, pedagogë e juristë të zotë, në kuadër të punës së tyre profesionale, të merren edhe me “rregullat” e “reformat, demokratike, përparimtare” të DKA-së së Gjilanit, si dhe me përjetimet e fëmijëve.

P.s.

Kundërshtarët e “rregullave” dhe të veprimeve jopedagogjike të DKA-së së Gjilanit, në letrën e saj, DKA-ja e Gjilanit, i cilësoi si “të çartur” dhe si keqshfrytëzues të pedagogjisë, apo si shfrytëzues të pedagogjisë për nevoja subjektive.

Se pedagogjia mund të përdoret për keq, ky është një “zbulim” i DKA-së. Si mund të shfrytëzohet për keq pedagogjia?! Unë për këtë nuk di asgjë. E, sa për “i çartur”, kuptohet kush mund të jetë në këtë mes.