Djurgarden, në ‘ethe’ për sulmuesin kosovar Fejzullahu

Sulmuesi kosovar, Erton Fejzullahu, është drejt rikthimit nga lëndimi i pësuar 10 ditë më parë. Anëtari i skuadrës Djurgarden në Suedi ka lënë në heshtje ishullin e Djurgarden, pas lëndimit që pësoi në fitoren 1:0 të skuadrës së tij kundër Orgrytes në gjysmëfinale të Kupës së Suedisë. Ertoni u largua nga fusha në pjesën e dytë të këtij takimi me ndihmën e barelës, pasi nuk kishte mundësi të ecte.
Që nga ai triumf, Djurgarden nuk ka arritur më të shënojë fitore, teksa në ‘Allsvenskan’ ka vetëm një barazim nga shtatë xhirot e para. Kjo ka bërë që tifozët e Djurgarden të presin me padurim rikthimin e Fejzullahut, për ta ndihmuar skuadrën e tyre të dalë nga pozita e fundit e renditjes në elitën e futbollit suedez. Duke folur për mediat suedeze, sulmuesi kosovar deklaroi se është mërzitur duke qëndruar në një vend dhe se dëshiron të hidhet në fushë sa më parë.
“Nuk po më pëlqen kjo. Mjekët mendojnë se kjo mund të zgjas edhe ndonjë ditë ose edhe një javë. Është e mërzitshme dhe një telash tjetër për përgjegjësinë që ndjej në klub. E ndjej përgjegjësinë më të madhe nga bashkëlojtarët dhe tifozët e klubit. Është një ndjenjë e mërzitshme dhe unë dua të fillojë të luajë sa më parë”, deklaroi Fejzullahu. Gjithsesi, sulmuesi 25-vjeçar kosovar e di se durimi është çelësi i tij drejt një rikthimi të suksesshëm në fushat e futbollit.(Tribuna)