Uji Dea

Dita pas

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Mimoza (Kusari) Lila – Përkundrejt parashikimeve, grushtat në Kuvendin e Kosovës nuk ndodhën dhe askush nuk u lëndua. Shumë mirë që nuk ndodhi e pritura, mirë për Kosovën dhe për popullin e saj.

Ajo që e karakterizoi seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, janë diskutimet dhe vendosmëria politike e katër partive për të mos lëshuar pe për partinë e parë të ketë shansë të propozojë kryetarin e Kuvendit.

Të themi se në elementin demokratik dhe institucional ka pak hapësirë për dilema edhe pse dikush mund ta kontestojë këtë.
Megjithatë, në elementin funksional dhe praktik, ka shumë dilema të cilat nuk do të ketë forcë të zgjidhen në ditët dhe javët në vijim.
Ta konsiderojmë të kryer faktin se koalicioni LDK-AAK-Nisma do ta formojë dhe votojë Qeverinë e re. Ta konsiderojmë të kryer faktin se do t’i kenë votat për të realizuar synimin e tyre, formimin e koalicionit të gjerë. Ajo çfarë secili qytetarë i Republikës së Kosovës do të dijë është, cili është emëruesi i përbashkët që do t’i lidhë në koalicion nga programi i tyre?

A do të jenë ngjashmëritë programore ekonomike apo plani nacional për integrim, rajonal dhe evropian? Me gjasë asnjë nga këto. Partitë në pushtetin e ardhshëm do të shtyhen në Qeveri se kush është më i forti dhe kush ka më shumë autoritet.
Ndarja e pushtetit me shumicë të një partie më të madhe dhe udhëheqja e qeverisjes së pushtetit dhe ministrave nga kryeministri i partisë së katërt me shumicën ministra nga partia e dytë, çfarë efekti praktik do të japin? Ministrat e LDK-së dhe Nismës a do ta kenë shef Isa Mustafën apo Ramush Haradinajn, apo Fatmir Limajn ende nuk i dihet.

Një e dimë nga përvoja, kur ministrat e LDK-së nuk e patën më presidentin e tyre në zyrë pa ia dorëzuar çelësat asokohe kryeministrit Thaçi, ikën nga qeveria. Tani këta ministra a do t’i mbajnë çelësat dhe kuletën për vete dhe vendimet t’i ndajnë me kryeparlamentarin apo me Kryeministrin dhe pjesën tjetër të kabinetit, mbetet të shihet. Do të jetë shumë vështirë e besueshme se z. Haradinaj do të mund të qeverisë si kryeministër fuqiplotë, kur çdo vendim do t’i varet nga një shumicë e pakontrolluar nga ai në Kuvend.
Shto këtu elementin e kushtëzimeve me të cilin do të ballafaqohet tërë kohën një kryeministër i pafuqishëm të shtyjë çfarëdo agjende përveç asaj në dy resorët e partisë së tij, atëherë nuk do të dimë se kush pi dhe kush paguan.

FIDANISHTJA

Faktori Nisma, është elementi tjetër i cili njëjtë do të këtë çështjet e veta në pranimin e autoritetit të kryeministrit nga Dukagjini, kur dihet se për një kohë të gjatë pika e referencës së pushtetit ishte dikur tjetër. Pushtetin e duan, por shef kë do ta kenë?
Qeveria e re nëse formohet në ditët në vijim, nuk do të ketë mundësi të formohet pa pakicat të cilat domosdo do të jenë pjesë e qeverisë së re. A do të kenë referencën në Prishtinë apo diku tjetër, është vështirë të thuhet, por shanset janë të vogla se do të kemi një përputhshmëri dhe konsistencë në vendimet të cilat do të merren nga kabineti qeveritar.

Në ketë disbalancë të fuqisë politike dhe autoritetit institucional, hyn faktori VV i cili nga këto negociata na tregoi se mandat kryesor në politikë nuk ishte avancimi i agjendës shtetndërtuesë, por avancimi i agjendës Thaçi shkatërruese, që nga logjika e tyre do të barazohej, por në popull nuk po lexohet bash njëjtë, se ulja e menjëhershme e pazarit të vlerave, hapi rrugë për dyshime serioze në vlerat e partisë.
Një element shumë interesant i cili nuk u përmend gjatë këtyre javëve interesante të dialogimit që lamë pas, është elementi “Tribunali për Kosovën” si dhe akuzat dhe kallëzimet penale të cilat partitë që u ulen rreth tavolinës së bisedimeve ia bënë njëra tjetrës.

Të themi se me çështjet e Tribunalit do të merren ata të cilët ishin pjesëmarrës para, gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë, elementi tjetër në këtë qeveri ka akuza serioze për krim dhe korrupsion. Çfarë nëse në të njëjtën kohë vendos të reagojë Tribunali dhe misioni i EULEX-it? Nuk do të mbetet askush në qeverisje pa u prekur në një mënyrë ose tjetër.

Përderisa Kosova po hyn në fazën e një etape të re të qeverisjes, ujërat në të cilat po noton skena e re politike kosovare nuk po duken shumë të qarta. Në fakt duken shumë më të turbullta dhe më të paqarta se kurrë më parë.
Të shpresojmë se një fat i padukshëm do të shpëtojë Kosovën duket shumë naive, por hesapi ka mbërritur deri aty sa të mbështetemi për muri dhe të shpresojmë në mrekulli.

(Autorja është kryetare e Gjakovës dhe zv/presidente e AKR-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)