Eko Higjiena

Diskursi i narracionit modern

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Më 9 qershor 2022, nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, u bë përurimi i romanit të autorit Mehmetali Rexhepi. Një fjalë përmbledhëse për romanin e paraqiti shkrimtari dhe nënkryetari i LSHK-së, Xheladin Mjeku.

Mehmetali Rexhepi: “KALLINJTË E ÇATISË”, roman, botoi “Lena” – Prishtinë, 2020
Romani “Kallinjtë e çatisë“ i Mehmetali Rexhepit, është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: laryshia tematike, trajtimi i periudhave të ndryshme kohore dhe thellësia e mendimit filozofiko-letrar.

Këta katalizatorë e bëjnë të veçantë mbarështrimin tematik që trajtohet në gjithë veprën romanore. Gjatë leximit të kësaj proze, me lehtësi e hetojmë kalimin nëpër ngjarje të ndryshme, që në brendinë e tyre ngërthejnë kujtime të shumta, të cilat, ashtu të shkapërderdhura nëpër periudha të ndryshme kohore, bëjnë të mendojmë se kemi një tufë rrëfimesh, që secila më vete shpërfaq një ndodhi të veçantë.

Të rëndësisë së veçantë janë, sidomos, shtruarja tematike, mendimi filozofik dhe diskursi psiko-analitik i ngjarjeve, të përshkuara me figuracione të shumta estetike dhe rrjedhshmëri gjuhësore, që lehtësojnë absorbimin e kësaj materie tregimtare. Bashkëveprimi i këtyre elementeve me shtrirje kohore dhe gjeografike, si dy vegëza të pashkëputura deri në përmbyllje e ndërtojnë këtë prozë romanore. Mendimi i Jorge Luis Borges se “libri është vazhdim i kujtesës dhe i imagjinatës”, e përkufizon këtë vlerësim që në fillim të zbërthimit lëndor të romanit.

Katër copëzat e kësaj vepre letrare mund të trajtohen edhe si katër grupime esesh, apo edhe si katër novela. Në fakt këto përbëjnë katër skajet e një ngrehine të përbashkët, që si një tërësi e ndërtojnë strumbullarin fabulativ të romanit. Ky ndërtim i ndërsjellë trajton “ngeshëm” situata të ndryshme, duke i plotësuar këto “copëza romani”, që bëjnë tërësinë e “Kallinjëve të çatisë”, prej nga prekim begatinë e këtyre orvatjeve narrative në kohë dhe hapësirë. Qëndresa e gjeneratave të shumta do të veproj pareshtur në shkëputjen e zinxhirit të prangave shekullore, që pastaj të kurorëzohet me realizimin e ëndrrave për liri. Kjo do të evoluoj gjatë tërë rrugëtimit prozaik të romanit, për të bërë kupolën e fruteve të një pune në përmasa kombëtare.

RCCOLA

Romani “Kallinjtë e çatisë” nuk i qëndron besnik ndërtimit klasik tradicional, ku kryepersonazhi në vazhdimësi tërheq ngjarjet drejt pikëqëllimit, rreth të cilit trajtohen ngjarjet e tjera. Shtrirja e gjërë e veprimeve krijon pasqyrën tablore, përmes së cilës parakalojnë ngjarje e personazhe, tërësia e të cilave ndërtojnë kupolën narrative të lëndës prozaike.

Kjo prozë e modelimit poetik, me narrativë ndryshe nga ajo klasike, që jemi mësuar ta kemi pothuajse çdoherë në romanin tonë, shquhet për veçantitë e saja krijuese, për lëndën përmbajtësore, dendësitetin e shtjellimit, ruajtjen e origjinalitetit dhe mendimit intelektual gjatë trajtimit të universit letrar.

Qasja e vëmendshme ndërtimit prozaik dhe zbërthimit të diskursit socio-psikologjik të ngjarjeve bënë të kuptojmë se proza romanore “Kallinjtë e çatisë” për më shumë se një prodhim letraro-estetik, është një prozë me formë dhe ndërtim modern, si trase e një shtegu të ri të çasjes kësaj gjinie prozaike. Origjinaliteti i kësaj proze elitare dokumentohet në çdo rast.

Ajo vjen e çiltër, meditative, e paisur me leksikun gjuhësor, me metafora të shumta, me trope e figuracion të pasur stilistik, që bashkëveprojnë në ndërtimin letraro-estetik të romanit. Universi krijues shumë shtresor, ku frekuenton bota e askujt dhe e gjithkujt në kontekstin e shtjellimit të ngjarjeve, në kuptimin kreativ të leximit, e bën të veçantë dhe pothuajse ndër të rrallët, në opusin krijues të prozës këtu te ne dhe më gjerë./rajonipress/