RCCOLA

Diskurs politik i dalë mode

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Shkruan: Veton Nevzadi-Fjala e lirë në demokraci është mundësi e garantuar kushtetuese e secilit qytetar dhe e secilës parti politike apo grupimi shoqëror.

Është njëra ndër parimet fundamentale politike mbi të cilat zhvillohen demokracitë dhe shoqëritë liberale në mbarë botën. Mirëpo, këtë parim shpesh e shfrytëzojnë subjektivisht individë apo grupe politike, të cilët përveç se ofrojnë një diskurs destruktiv e të dalë mode, në jetën publike si aureolë bartin mediokritetin dhe mungesën e sensit për ecje progresive në përputhje më nevojat e kohës.

Kjo nuk është diçka e panjohur për njerëzit që ecin në tehun e mprehtë të jetës publike, aty ku ka mundësi të veprojnë dhe frekuentojnë individë dhe grupe të ndryshme politike dhe jopolitike, të cilët kanë vlerësime dhe konsiderata poashtu të ndryshme për veten dhe të tjerët rrotull.

Ja që në secilën shoqëri njerëzore ka dhe do të ketë individë të tillë, të cilët do të mundohen të shfrytëzojnë çfarëdo që të jetë e mundur nga secili rast që u ofron ky atribut i demokracisë për të përfituar ndonjë poen të shkretë, duke provuar të diskreditojnë secilin që mendon dhe vepron ndryshe.

Edhe me keq është kur agjenda personale e këtyre individëve inkorporohet dhe shtyhet përpara nën maskën e grupeve me mungesë eksperience, pasiqë si rezultat i kësaj po dëmtohet objektivi i përbashkët, i cili bën që në ato mjedise të venitet ideali i sinqertë i tyre.

Këta individë të nxitur nga paniku i kohës që po ecë dhe i kauzës së humbur, e që në zhargonin politik përkthehet si fund i karrierës politike, tingëllojnë si zhurmë e mërzitshme, e cila të asocion në artikulimin monoton që e kemi dëgjuar një dekadë rresht, ndërsa i vetmi dallim tani është se këta zëra tashmë vijnë nga një frekuencë tjetër.

Ajo çka po ofrojnë këta individë si alternative janë ngjarje e shikuara më parë (deja vu) nga të gjithë ne, dhe si të tilla kanë pak vlerë për secilin që ka një mendim autonom. E sigurt është se nuk do të ketë asgjë që do ti shpëtojë nga erozioni politik dhe humbjet e njëpasnjëshme, madje as shfryrjet histerike e as inatet primitive të fshehura për një kohë të gjatë, të cilat tani po shpërfaqen.

Shqetësuese për qytetarët është fakti se ajo çka do të dëshironin këta individë në këto momente krize financiare (nga e cila po vuan pothuajse e gjithë bota), është një konfuzion i thellë zhvillimor i Komunës së Gjilanit, i cili do tu shërbente për të shpërndarë sa më shumë mjegull në mungesë të ideve dhe alternativa zhvillimore.

Mobi Casa

Pse mos të pranojnë se përcaktimi i kompanisë austriake për të investuar në Gjilan ishte rezultat i efikasitetit që po tregon kjo qeverisje?

Nëse mendojnë ndryshe, pse për shembull nuk japin ndonjë sugjerim apo këshillë publike, se si do të duhej të sillnim investitorë të tjerë të huaj në Gjilan, përveç atyre austriak?

Apo si t`i nxisim investitorët tjerë të huaj dhe vendas që ta zgjedhin pikërisht Gjilanin e jo qytete tjera?

Ose, cila do të ishte ajo formë tjetër që do ta përjashtonte partneritetin publik-privat në funksion të tërheqjes së kapitalit vendës dhe të huaj në Gjilan?

Fatkeqësisht këta individë nuk kanë çfarë të ofrojnë tjetër, përveç ndonjë modeli të huazuar nga ndonjë “kolonel” i mbetur diku larg në Botën e Tretë.

Fjala e lirë e thënë pa kandar dhe pa ndonjë dëshmi shndërrohet në bumerang për ata që thonë të pavërteta. Është shumica e njerëzve e cila vlerëson përcaktimin e mirë dhe kualifikon të mirën dhe të keqen, ajo din më së miri ta nxjerrë mesataren e duhur.

Ne kemi filluar të ecim një rruge të gjatë dhe të pashkelur, jemi të parët.

Se rrugët bëhen duke udhëtuar, thotë një thënie spanjolle./rajonipress/