Disiplinimi i Qeverisjes
Nga Fehmi Ajvazi – Kur ndryshohet një qeveri dhe vjen një tjetër e re, pavarësisht nga realiteti që ajo gjenë përpara, votuesit së bashku me të gjithë qytetarët e tjerë, sigurisht që presin prioritete të reja. Secila parti që vjen në pushtet, i grafikon prioritetet qysh gjatë fushatës zgjedhore. Por në vendin tonë pavarësisht prioriteteve dhe fuqisë partiake, meqë jemi shtet i ri dhe në zhvillim e sipër, është krejt normale që të ketë më shumë presion dhe prioritete nga qytetarët, në fakt më shumë kërkesa dhe qasje të cilat e rrisin trysninë e tyre ndaj pushtetit.
Megjithatë, koalicioni PDK – LDK vjen në një kohë kur janë ndërtuar kapacitete goxha të qëndrueshme institucionale dhe shtetërore, si dhe një infrastrukturë premtuese – profesionale, mirëpo në të njëjtën kohë, nevojat qytetare janë ende të shumta si të një shteti të ri, dhe të atilla e të cilat nevoja kërkojnë vëmendje dhe transparencë ideore – planifikueses.
Pra, edhe pas rreth pesëmbëdhjetë vitesh të mbarimit të luftës, jemi të detyruar që të sfidohemi si qytetarë të Republikës së Kosovës me evenimente politike dhe juridike, nganjëherë tejet paradoksale, si pasojë e vetëdijeve qaluese dhe injorante përballë ndërtimit të shtetit dhe infrastrukturës së tij demokratike – ligjore. Jemi të detyruar të sfidohemi, edhe përballë mungesës së theksuar të bazamentit të fortë ekonomik – industrial, dhe për pasojë vendi ynë nuk ka resurse prodhuese – industriale dhe as ekonomi rentabile, të atillë ekonomie që siguron mirëqenie të qëndrueshme dhe konkurrencë në treg.
Në rrethana të këtilla prandaj, ballafaqohemi me qasje indiferente dhe jo normale individuale dhe grupore në raport me institucionet, me pronën publike, me shtetin. Ballafaqohemi po ashtu,edhe me një ftohësi të padurueshme qasjesh e trajtimesh kundruall infrastrukturës institucionale – shtetërore, ambientit publik, pasurive publike, ligjit etj.
Qeveria e re LDK – PDK, instalohet në pushtet duke pasur përballë një vetëdije të pa përgjegjshme shoqërore kundruall shtetit tonë- Republikës së Kosovës, shpirtit i të cilit shtet, fle mbi shtratin e një dhune shekullore. Nuk jam ai që kërkojë shtet – kazermë por, Republika e Kosovës vuan nga papërgjegjshmëria qytetare dhe institucionale përballë ligjeve të bukura, dhe përballë një konstitucionalizmi jo vetëm modern – por, ideal! Prandaj, mijëra e mijëra qytetar të moshave të ndryshme, gravitojnë ditë e natë indiferentë dhe po kaq denigrues e dëmtues, brenda një ambienti publik historia e të cilit ambient, ka qenë një njerkë shpirtëzezë.
Shumica e qytetarisë kosovare, e që domethënë shumica e qytetarisë shqiptare (nëse u referohemi numrave), ka treguar historikisht se nuk e do shumë me qejf shtetin, që domethënë shtëpinë tonë të përbashkët meqë, nëse edhe u referohemi numrave, sakrificat tona të përbashkëta historike kanë qenë tejet divergjente dhe disa herë, jo shumë premtuese.
Kam shkruar qysh para luftës se, në Kosovë për aq sa mbajë mend unë, ka munguar vazhdimisht heroi kolektiv kundruall heroit individual, i cili, nëse u referohemi numrave, ndonëse ka qenë jashtëzakonisht i pranishëm mes nesh dhe një sinonim motivues e orientues, ai nuk ka mundur të jetë edhe ndryshues deri në fund, një çudibërës (përjashto Adem Jasharin). Heroi, nuk është një figurë njerëzore apo një kategori shoqërore, vetëm kur i referohemi luftës! Shoqëria, është shoqëri heroike kur i arrinë objektivat e demokratizimit (kalimi nga diktatura në demokraci), kur rimëkëmbet gjatë tranzicionit politik dhe historik ( kalimi nga periudha e robërisë, në periudhën e lirisë), kur zhvillohet në suaza të një ekonomie liberale (kalimi nga ekonomia e centralizuar, në ekonomi të lirë të tregut ) etj.
Shoqëria, është shoqëri e civilizuar dhe e emancipuar, kur posedon dhe ndërton norma dhe rregulla, ligje, kode dhe të ngjashme, e të cilat i vë në funksion të vetëdijesimit të lartë edukativ – arsimorë si dhe të rritjes së të qenurit në mënyrë kolektive, shoqëri në prosperim të sigurtë. Si mund të shpjegohet fakti që, madje në kohën kur tashmë Kosova ka marrë MSA-në, duhet që të organizosh ceremoni dhe kampanjë ditore se, si duhet përshembull ta mbajmë ambientin e pastër! Kjo i bie që, sikur të kishim mundësi, do të duhej të mbanim kurse dhe trajnime kolektive lidhur me atë se, si nuk duhet t’i hudhim mbeturinat në rrugë dhe në vende publike, si nuk duhet të pështyjmë në rrugë dhe në vende publike, si nuk duhet ta hedhim filterin e cigares në rrugë apo në vende publike, si nuk duhet ta hedhim një letër, një shishe të zbrazur coca –cole etj.
Fatkeqësisht, mijëra e mijëra qytetar të moshave të ndryshme, me një lehtësi të padurueshme janë krejt gjakftohtë dhe indiferentë për ta trajtuar me respekt dhe dashuri pronën publike dhe shtetin si kulmin e shtëpisë së tyre, ndërkohë që bien e zgjohen nën këtë kulm! E di: këto postulate megallomane dhe antifunksionale, nuk thuhen e nuk theksohen me emër e mbiemër por, ka ardhur koha që as të mos tolerohen më tutje!
Mijëra e mijëra administrator të institucioneve të ndryshme, jo vetëm që nuk e duan dhe nuk kanë aspak respekt ndaj shtetit të tyre – Republikës së Kosovës porse, ata me një lehtësi të pa imagjinueshme indiference dhe injorimi, e trajtojnë shtetin – këtë ngrehinë nga më inteligjentet që ka ditur të organizojë njeriu deri më sot, si të parëndësishëm dhe në fakt edhe si hiqgjë…!
Kudo në këtë botë plotë kontradikta, në këtë botë në ndryshim ekstrem, institucionet dhe shteti konsiderohen si shtëpia e përbashkët e shtetasve, dhe secili shtetas i mbronë ato dhe ka respekt suprem ndaj tyre. Mijëra e mijëra qytetar të moshave të ndryshme të Republikës së Kosovës, përpiqen të mos i japin shtetit asgjë – në fakt, përpiqen t’i marrin atij sa më shumë që të jetë e mundur! Në kontekst, ka plotë rregulla dhe ligje mbi funksionimin e administratës lokale dhe qendrore të cilat, janë derivat i ushqimit dhe i trashjes së burokracisë dhe korrupsionit! Kuptohet, precedanet e këtilla ligjore janë përvojë dhe trashëgimi e administrimit ndërkombëtar, por dhe miratim ekzaltues – foshnjorë i administratorëve vendorë! Ja një shembull: ende janë funksionale tarifat e shpërblimit – honorareve që i vendosi UNMIK-u, lidhur me vizitat, udhëtimet, trajnimet jashtë vendit.
A ka kush që mund të hulumtojë dhe të nxjerrë raporte të sakta, lidhur me daljet – udhëtimet vjetore të administratës sonë jashtë vendit…?
E di: këto postulate megallomane dhe antifunksionale, nuk thuhen e nuk theksohen me emër e mbiemër por, ka ardhur koha që as të mos tolerohen më tutje. Kjo “dramë” e heshtur dhe në riciklim e sipër, ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë heronjë të rremë të demokracisë dhe të shtetit, dhe sot, e kemi goxha të vështirë që t’i dallojmë heronjtë e vërtetë të demokracisë dhe të shtetit! Por është vetë shteti, ai që vendos një traktat me shtetasit, dhe e kundërta. E kjo i bie që, në sistemet demokratike ndryshe nga sistemet diktatoriale dhe autarkike, janë institucionet shtetërore ato që realishtë janë në shërbim të shtetasve, dhe ekzistojnë si nevojë direkte e tyre. Në kontekst, duhet të kujtojmë që ka një shpirt (spirit), që e mban gjithmonë të gjallë dhe të fortë “traktatin” mes shtetit dhe shtetasve, e ky është, askush tjetër veçse ligji!
Epo, si gjithkund, dhe për mirë e mbarë, ka ardhur koha që në Republikën e Kosovës përpara cdo aktiviteti dhe projekti institucional, të forcohet hierarkia institucionale qeverisëse, pra të forcohet sundimi i ligjit, pa përjashtim. Vetëm fuqizimi i ligjit, ndërton institucione të sigurta dhe funksionale dhe padyshim, prodhon edhe vetëdije shtetërore të fuqishme. Vetëm fuqizimi i ligjit, krijon vetëdije shtetërore lidhur me atë se si, shtetas pa përjashtim, duhet ta duan dhe respektojnë shtetin e tyre.
Pra, duhet të kemi një zinxhirë ligjorë që riciklohet në të mirë të qytetarit dhe për qytetarin, e për të prodhuar përgjegjësi, siguri, si funksionalitet dhe, kësisoj duhet të kemi edhe një zinxhir përgjegjësie në mes të qytetarit dhe pushtetit për ta balancuar demokracinë dhe ligjin në favor dypalësh…!
Ligji funksional dhe zbatimi i tij, na bënë të gjithëve koshient por edhe etikë, të ndërgjegjshëm, parimorë në ndërtimin e relacioneve përgjegjëse, e kjo nënkupton që të kemi edhe një shtet të fuqishëm – ligjor: që prodhon mirëqenie dhe siguri. S’ka dyshim që, brenda institucioneve tona ka plotë e përplot administrator ( zyrtar, sekretar, drejtorë, shefa etj.) që, ndryshe nga q’i thinjen njeriut flokët nga puna dhe përgjegjësia, atyre u janë thinjur nga sekëlldia institucionale, mospërgjegjësia, injoranca, keqpërdorimet etj.
Të gjithë këta, edhe pse kanë vite e vite që janë të instaluar nëpër institucione tona dhe tashmë janë ndoshta në prag të pensionimit, nuk kanë mundur që t’u shmangen tundimeve injorante dhe indiferente për t’i mbajtur institucionet në ankth, në përgjim, në linçim dhe në goditje të vazhdueshme: qoftë për t’i plakur ato sa më shumë, dhe qoftë për t’i keqpërdorur e degjeneruar sa më shumë! Të këtillët, janë nëpër institucione që prej filleve të para të Administrimit Ndërkombëtar të Kosovës dhe disa prej tyre madje, edhe para këtij filli.
Një pjesë tjetër, s’kanë pasur aspak vetëdije dhe performancë personale për ta kuptuar dhe trajtuar pronën publike – institucionale si pjesë të jetës së tyre edukative-profesionale, si pjesë e ekzistencës së tyre dhe të fëmijëve të tyre, si pjesë e ekzistencës së shtetit të tyre. Mbase, edhe një pjesë tjetër, duket që e ka trajtuar shtetin tonë me institucionet si diçka të pa rëndësishme, si diçka të huaj e madje, edhe si diçka të panevojshme…! Në kontekst, një pjesë tjetër ( sado e vogël) e të këtillëve, e kanë konsideruar ( me gjasë, këtë vazhdojnë ta bëjnë edhe sot) shtetin bashkë me institucionet e tij si pronë private: duke mos u ngopur asnjëherë në shfrytëzim të shtetit, dhe duke u pasuruar prej tij pa ndonjë frikë sanksionimi.
Ky zullum i trashur prej të gjithëve ngapak ndaj institucioneve dhe shtetit, madje qysh prej ditëve të para të verës së vitit 1999 kur edhe filloi administrimi ndërkombëtar i Kosovës, duhet të marrë fund përnjëmend. Koalicioni aktual qeverisës, e ka një shans ideal – historik që në mënyrë shumë serioze ta hapë frontin e sfidave në dy drejtime: në drejtim të respektimit dhe të trajtimit ligjor – me përgjegjësi ligjore të pronës publike, të institucioneve dhe të të gjithë infrastrukturës shtetërore, si dhe në drejtim të ngritjes së vetëdijes dhe të përgjegjësisë ligjore të shoqërorë dhe administratës shtetërorë gjithandej në mënyrë që, secili të jetë funksional dhe i ndërgjegjshëm përballë pronës private dhe publike, si dhe përballë shtetit si organizëm i përbashkët ekzistencial yni!
Padyshim, secili qytetari i ka obligimet dhe detyrimet e tij ndaj shtetit dhe për të cilat, ai duhet të jetë përditë koshient, si dhe i gatshëm në detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Pa këto prioritete dhe zbatimin e tyre, një qeveri sado operacionale – efikase qoftë, nuk mund të ecën përpara dhe, t’ia dalë mbanë! Asnjë prioritet politik, ekonomik, kulturorë, industrial etj., nuk mund të ketë sukses dhe prurje pozitive qeverisëse, pa ndërtimin e infrastrukturës së fuqishme institucionale, si dhe pa forcimin e dimensionit dhe të kuadrit ligjor.
Ambienti publik dhe institucional në Republikën e Kosovës, duhet t’i nënshtrohet një reforme të vetëdijesimit dhe të përgjegjësisë ligjore, kuptimi i së cilës reformë do të duhej të shtrihej në disiplinimin horizontal dhe vertikal të administratës dhe, në zbatimin e rreptë e funksional të spektrit ligjor: që nga individi apo zyrtari më i thjeshtë, e deri nga ai më i larti.
Republika e Kosovës, i ka mbi 8000 policë ndërkohë që delikuenca dhe krimet e ndryshme penale kundruall hapësirës gjeografike dhe demografike, janë absolutisht të larta dhe për mua, të pa justifikueshme.
Republika e Kosovës, i ka mbi 80 000 administratorë një pjesë e madhe prej e të cilëve s’do të dinin t’i ruanin as delet, dhe një pjesë tjetër është një lloj ushujze kundruall shtetit! Sot, ata janë “deux machine” që, duke mos ditur apo saktësuar planifikime të arsyeshme buxhetore, për të mos e pritur fundin e vitit me suficit, lodhen duke imagjinuar se ku t’i shpenzojnë paratë (Kthimi i parave mbrapsht nga buxheti vjetor, konsiderohet si dobësi profesionale: një kurth ky i mënyrës për t’u korruptuar administrata).
Dhe, paramendoni: në një kohë kur s’kemi shumë prodhim, kur papunësia rritet etj., sedera e tyre vazhdon të reflektohet si ajo e babaxhanëve apo si e atyre që kur kanë fatin të bëhen nëpunës shtetëror, fillojnë ta mohojnë edhe origjinën e tyre amësore!
Administrata e Republikës së Kosovës, urgjentisht duhet të disiplinohet, të jetë sa më profesionale, më e përgjegjshme dhe më shumë patriotike – shtetërore: qoftë për nga qasja konceptuale – politike, dhe qoftë për nga përgjegjësia dhe zbatimi i ligjit. Ajo, duhet të futet brenda qeverisjes demokratike, t’i nënshtrohet përgjegjësisë, t’i zbatoj ato norma dhe akte ligjore mbi të cilat është e sanksionuar përgjegjësia e tyre profesionale – ligjore.
Demokracia dhe qeverisja e disiplinuar demokratike, nuk guxon të trajtohet ose të mendohet si formë e diktaturës, nëse ajo zbatohet dhe bëhet funksionale kur i nënshtrohet në mënyrë strikte ligjit. Demokracia dhe qeverisja demokratike, është formë e diktaturës dhe e anarkisë kur nuk i nënshtrohet ligjit, dhe si e këtillë është kërcënuese dhe e rrezikshme për të gjithë: në fakt për shtetasit dhe shtetin./rajonipress/


