Hidromorava

Disa nga aspektet institucionale, kulturore dhe shoqërore për figurën e Idriz Seferit

/ 13 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Sefedin Rahimi – Historiografia shqiptare ka ndriçuar jetën dhe veprat e shumë personaliteteve të rëndësishme të popullit shqiptar, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar për historinë, kulturën dhe shkencën shqiptare.

Për figurën e Idriz Seferit është shkruar fare pak dhe atë, vetëm për kontributin e tij në aspektin ushtarak e kombëtar, ku vlen të përmenden veprat e autorëve Shaban Braha “Idriz Seferi”, ajo e Institutit të Historisë – Prishtinë “Jeta dhe Vepra e Idriz Seferit”, “Jeta dhe Lufta çlirimtare e Idriz Seferit në LKSH” nga Sabit Demir-Quna,j po ashtu edhe Gani Demir Ratkocerit “Idriz Seferi dhe Lëvizja Kombëtare në Kosovën Juglindore”, si dhe vepra e fundit e autorit Ibrahim Kadriut që bëri një roman historik me emrin “Kalorësi i Karadakut”.

Në këtë punim është hulumtuar në teren në histori gojore-gjegjësisht në të dhëna nga kujtesa popullore të bëra në rajonin e Gjilanit me rrethinë si dhe në institucione të ndryshme në Kosovë. Të cilat kanë rezultuar të jenë burime të rëndësishme të përmbledhura në këtë punim, gjithashtu vlen të përmendët trajtimi i emrit dhe figurës së Idriz Seferit në institucionet publike në Kosovë, si shkolla, rrugë, sheshe dhe shoqëri kulturore- artistike… Mbi bazën e trajtimit të këtij problemi kam hasur në disa aktivitete institucionale që janë bërë për hir të këti përsonaliteti si figur historike që dha kontribut në çështjen kombëtare, si akademi përkujtimore, sesione shkencore, skulptura e bustet e punuara në bronz, po ashtu kam gjetur kujtime e përshkrime për këtë personalitet në shumë këngë popullore të botuara dhe të ruajtura brez pas brezi ne kujtesën e popullit dhe rapsodëve të Gjilanit me rrethinë.

Emri i Idriz Seferit në institucionet publike në Kosovë:Shkolla, rrugë, sheshe
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës dhe e Drejtorive Komunale të Arsimit në Kosovë ekzistojnë vetëm dy shkolla me emrin e Heroit Idriz Seferi.

Njëra gjendet në fshatin Strezoc të komunës së Kamenicës dhe tjetra në fshatin Qëndresë (ish Randobrav) në komunën e Prizrenit. Shkolla fillore “Idriz Seferi” në Strezovc të Kamenicës, pas ndarjes nga ajo serbe, më 15 Maj 1992, nga Këshilli i arsimtarëve të kësaj shkolle, u vendos që kjo shkollë të mbajë emrin e Kreshnikut të Karadakut “Idriz Seferi”. Edhe shkolla e dytë që e mbanë emrin e “Idriz Seferit” që nga viti 1997 që gjendet në fshatin Qëndresë (ish Randobravë) të Prizrenit e mbanë dhe krenohet me veprën dhe heroizmin e njërit nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare të fund shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.

Emërtimi i rrugëve me emrin Idriz Seferi në Kosovë

Në bazë të të dhënave nga tereni dhe informatave që kam marr nga Kuvendet Komunale kam hasur në këto rrugë që e mbajnë emrin e heroit “Idriz Seferi”:
-Gjilan, nga Stacioni i autobusëve deri te rruga Qarkure-Tranziti, “Ramiz Cernica” në drejtim të Ferizajit të cilën e kemi të ilustruar me koordinatë;
-Fushë Kosovë, Prishtinë, Pejë, Klinë,Viti, Ferizaj,Kaçanik, Mitrovicë, Ndërsa komunat që nuk e mbajnë nëpër rrugët e tyre emrin e heroit Kombëtar Idriz Seferi janë: Prizreni, Rahoveci, Malisheva, Dragashi, Podujeva, Obiliqi, Lipjani, Kamenica, Vushtrria, Shtime, kurse për komunat: e Skenderajt, Therandën dhe Drenasit, nuk kemi shënime se a kanë rrugë me emrin e Idriz Seferit. Sa i përket shesheve sipas hulumtimeve ekzistojnë një shesh dhe dy parqe përkujtimore të heroit Idriz Seferi.

Sheshi me emër të Idriz Seferit gjendet në kryeqendrën e Kosovës, te rrethi në hyrje të Prishtinës nga ana e Ferizajit, por nuk ka ndonjë bust të tij dhe pllakë që na tregon se është sheshi me emrin e tij. Ndërsa parqet përkujtimor me emrin dhe bustin e tij i kemi në Kaçanik dhe Zhegër të Gjilanit.

Emri i Idriz Seferit në shoqëritë kulturo-artistike, pikturë dhe skulpturë

Personalitetet e rëndësishme historike lënë gjurmë të mëdha në shumë veprimtari të jetës, përveç heroizmit dhe sakrificës që kanë bërë për çlirimin nga robëria e ndër këta trima dhe heronj ishte edhe Idriz Seferi, ku emri i tij ruhet edhe sot e kësaj dite në institucione të ndryshme kulturore dhe veprimtarit kulturo-artistike. Për ta kujtuar dhe ruajtur emrin e tij sot ekziston Shoqëria kulturo-artistike me emrin “Idriz Seferi” në Zhegër të Gjilanit.
Shoqëria me këtë emër ka filluar punën nga viti 1968, me nismëtarin e saj Nasuf Isufi që ishte themelues i saj.

Për shkak të aktiviteteve që zhvillonte kjo SHKA ajo përfitoi edhe në renovimin e shtëpisë së Kulturës pas Luftës së fundit në Kosovë e cila edhe zyrtarisht mori emrin e heroit të Karadakut “Idriz Seferi” që edhe tani e tutje e mban këtë emër. Ndërsa sa i përket figurës së Idriz Seferit në pikturë dhe skulpturë, pa dyshim artistët nuk e lënë anash pa portrete dhe buste.

Bustet-skulpturat për Idriz Seferin i bëri skulptori shumë i mirënjohur Odise Paskali që në vitin 1980, ku punoi për herë të parë bustin origjinal që gjendet në Galerinë e Arteve të Kosovës, kurse kopja e tij gjendet në Parkun Përkujtimor në Zhegër. Po ashtu edhe skulptori nga Presheva Ismet Jonuzi bëri një përmendore-bust për figurën e Idriz Seferit të cilën e përuruan dhe vendosën në Kaçanik më 30 prill 2010, me rastin e 100 vjetorit të Betejës së Kaçanikut. Pra, si përfundim deri më tani në Kosovë kemi tre buste të heroit Idriz Seferi, në Galerinë e Arteve në Prishtinë, Zhegër të Gjilanit dhe Kaçanik.

Akademitë përkujtimore për figurën e Idriz Seferit

Botimet për jetën dhe veprën e Idriz Seferit nuk mungojnë edhe në vitet e më vonshme. Në kushte okupimi, kur vështirë ishte të qëndroje vertikalisht, e ishte edhe më vështirë të organizoje diçka. Atëherë, kur nuk organizohej asgjë, por me entuziazmin e dashurisë për lirin, më 1997, Instituti i Historisë në Prishtinë, për nder të 150 vjetorit të lindjes dhe, 70 vjetorit të vdekjes, organizoi sesionin e parë shkencor të titulluar “Jeta dhe vepra e Idriz Seferit”, ku merrnin pjesë shkencëtarë-historianë të periudhave të ndryshme. Në aspekte gjithëpërfshirëse u trajtua jeta dhe vepra e atdhetarit.

Fundamenti

Por, për hir të situatës së rënd që mbretëronte në vend dhe luftës që pasoi më vonë, punimet e këtij simpoziumi nuk e panë dritën deri në vitin 2003, në të cilën u përfshin 12 kumtesa shkencore.

Një akademi përkujtimore për figurën e Idrizit, u organizua në Gjilan me rastin e 160 vjetorit të lindjes dhe 80 vjetorit të vdekjes së Heroit të Kombit Idriz Seferi. Më 15 qershor, 2007 me aktivitete të ndryshme kulturore u shënua në Gjilan përvjetori i lindjes dhe vdekjes së Heroit të Kombit Idriz Seferi.

Përveç kësaj akademie më 15 tetor 2007, në Prishtinë u mbajt sesioni shkencor tjetër kushtuar figurës së Idriz Seferit, në organizim të Institutit të Historisë të Kosovës, me temë “Idriz Seferi në Lëvizjen Kombëtare shqiptare”. Gjatë këtij sesioni shkencor u paraqiten 16 kumtesa kushtuar këtij personaliteti të historisë shqiptare, ku deri më sot nuk e panë dritën e botimit si monografi e radhës për këtë figurë të historisë së lavdishme kombëtare.

Në këtë akademi u vë në spikamë nga studiues të shumtë figura shumë dimensionale e patriotit Idriz Seferi siç e quante populli „Kreshniku i maleve“.
Një organizim dhe manifestim për figurën më të shquar të Lëvizjes Kombëtare të Anamoravës është mbajtur më 30 prill 2010 në Kaçanik, me rastin e 100 vjetorit të Kryengritjes Shqiptare të vitit 1910 në Kosovë dhe të „Betejës epike të Kaçanikut“.

Akademi e përkujtimore për figurën e këtij kolosi u mbajtën edhe me rastin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar, konkretisht me 15 Tetor Kuvendi Komunal i Gjilanit organizoi një akademi përkujtimore për këtë personalitet historik të Gjilanit si dhe Lidhja e Historianëve dega në Gjilan organizoi një Simpozium shkencor më 31 Tetor, ku u trajtua kjo figurë shumdimenzionale, rolin dhe kontributin e tij për çështjen kombëtare shqiptare.

Emri dhe figura e Idriz Seferit në kujtesën e popullit të Gjilanit me rrethinë
Gjatë hulumtimeve dhe vizitave në terren për të marrë të dhëna dhe kujtime për heroin e Karadakut kam hasur në shumë gjëra interesante për Idriz Seferin, në tregime e thënie të fuqishme që edhe sot e kësaj dite kanë domethënie dhe filozofi të madhe.

Sipas kujtimeve të Molla Rifat Jasharit, Idrizi ishte i durueshëm , por ku e kërkonte atdheu ishte i ngutshëm, kur ju tregonte shokëve ju thoshte: “Fjalën kur ta marrësh thuaj se prej kujt e ke marr dhe atë mbaje prej tij…se kjo fjalë është e Idriz Seferit, ku e kam thënë fjalën e kam thënë të drejtën dhe të guximshmen dhe asaj përmbaju, se kjo të bënë të guximshëm dhe mik me dikën, por që ke ndijë prej dikujt diçka, ti merri ato fjalë dhe ruaj…

Idriz Seferi ishte edhe si pajtimtar dhe udhëheqës i Istihatit (Mexhlisit), në Anamoravë në një rast kur ishte në pajtim ai u thotë në një ngatërresë: “A mundesh ti me vra këtë a ke guxim, po mos muajsh ti me vra a ki me paguar… qu fale se me u kanë unë si ti pa e fal nuk e la. Se ndryshe na ta lajmë fjalën e ti merrja hakun, po nëse jo atëherë Istihati ta merr gjakun dhe ja falë…”pra, nuk vonoi dhe u ngrit dhe e fali gjakun. Për shkak të cilësive dhe trimërisë që kishte populli i adhuronte duke ju thurur poezi e këngë, por edhe duke ju lënë fëmijëve emrat e tyre që të ruhen brez pas brezi duke ju thënë: “ U bëfsh trim si Idriz Seferi”. .

Figurën e Idriz Seferit e cilësojnë me emra të shumtë e ndër ato nofka që has në literaturë dhe këngët popullore janë si:”Ushtari i përhershëm i lirisë, gjenerali i kryengritjeve, strategu i betejave, Baca i popullit, Kreshniku i Karadakut, komandant”, ndërsa ai cilësohet edhe si”Strateg i Termopileve shqiptare”, si “Gjeneral i ushtrisë Popullore”, “Kalorësi i Karadakut”. Të gjitha këto nofka dhe cilësime si duket e kanë bazën tek ideja dhe nofka që Sadulla Brestovci, për herë të parë e quajti “Kreshniku i Karadakut”.

Populli ynë figurave dhe personaliteteve të rëndësishme të historisë sonë i kushtoi një kujdes të veçantë duke i kujtuar me këngë e duke i kushtuar vargje të shumta për luftën dhe veprimtarinë që kaluan shumë udhëheqës e prijës të kombit tonë. Prej shumë burrave e udhëheqësve që i kënduan ishte edhe nxë një vend meritor figura dhe personaliteti i Idriz Seferit që do të jetë theksi im në këtë punim që të prezantoj disa këngë që përmes tyre mësojmë shumë për këtë figurë të trevës së Anamoravës.

Kemi shumë këngë që e i ka kënduar populli, ku nuk i dihet as autori e as melodia të cilën e kanë kënduar shumë rapsod popullor gjithandej trojeve etnike shqiptare janë këto këngë:
“Zo kah erdhi ky nam asqeri”;“Po lufton Idriz Seferi,.;“Tan Kosova a mlue me tym”,
“Idriz Seferi –Kreshniku i Karadakut”;“Karadaku asht çu n’kom”;“N’Gryk të Kaçanikut po kërsasin topat”;“Ushton Gryka e Kaçanikut”;“Na u nis pushka n’Kaçanik”;“Idriz Seferi n’kam u çue”;“Shpatë as top nuk e përkuli”,
“Idriz Seferi në koporan”;“Kaçanik e Boletin”;“Sot në Moravë kem me hy”
Pra, nga gjitha këto këngë që vetëm i përmendëm do e përfundoj më këngën të cilën na këndoi nipi i Idriz Seferit që e ruan shumë me gjelozi kujtim dhe mallëngjimin për Bacën Idriz:
“Bjeshka, bjeshkës ja jep haberin,
Prite, prite Idriz Seferin.”

Nga hulumtimet në teren konstatojmë se emrin e tij e kemi me dhjetëra rrugë, sheshe e shkolla të cilat e mbajnë dhe kujtimin e tij . Po ashtu konstatojmë se figurës së këtij heroi të lavdishëm nuk ju kishte dhënë një hapësirë më e gjerë para luftës së fundit në Kosovë 1999. Pra pas çlirimit të Kosovës këtij tribuni popullor të Gjilanit ju ngritën shumë Buste e ju organizuan sesione e simpoziume shkencore që i kishin munguar më marë.

Prandaj, edhe puna ynë në këtë punim është që sado pak të qesim në pah një segment tejet të rëndësishëm të veprimtarive organizative të institucioneve të ndryshme që ndriçuan dhe ngritën veprimtarin e njërin nga njerëzit më të dalluar të Anamoravës në fillim të shek. XX sepse ai nuk ishte vetëm një strateg ushtarak e luftëtarë i dalluar por ishte edhe një organizator dhe pleqnar i dalluar i kësaj treve, ku pleqëroi dhe pajtoji me qindra raste të ngatërresave dhe zënkave të popullit tonë anekënd Kosovës.
Populli i kësaj treve krenohet me veprën dhe veprimtarinë e këtij kolosi të radhë që kishte kjo anë në këtë periudhë kohore. Emri dhe figura e tij gjithnjë do të rroj siç do të rrojnë edhe shumë Idriza të tjerë. Prandaj Gjilani identifikohet dhe mburret që pati një personalitet të tillë për çlirimin e Shqipërisë dhe bërjen e Shtetit Shqiptar.

Autori është asistent në Fakultetin e Edukimit në Gjilan

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.