RCCOLA

Dino Asanajn e mbysin me thikë

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Dino Asanajn e vranë me thikë në zyrën e tij mesditën e së enjtes. Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit u dërgua i gjallë në QKU, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në gjoks dhe fyt. Policia nuk ka arrestuar askënd, e as nuk ka të dyshuar. Në hetime është përfshirë edhe EULEX’i.

Dino Asanajn e vranë me thikë mesditën e së enjtes.

Dyshohet se Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit u ekzekutua derisa ishte në zyrën e tij, që ndodhet pranë shtëpisë ku jetonte në Fshatin Ndërkombëtar në Veternik, në afërsi të Prishtinës.

Mjekët nga Qendra Klinike Universitare u munduan t’i shpëtojnë jetën, por disa orë më vonë, në konferencë të shkurtër për media, ata shprehën keqardhje pasi nuk mundën ta bënin këtë.

Sipas tyre, Asanaj kishte plagë të rënda në fyt dhe gjoks.

Dino Asanaj, i cili ishte kryetar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, iu ka nënshtruar edhe ndërhyrjes kirurgjikale, por pa sukses.

Humbja e madhe dhe e shpejtë e gjakut, sipas mjekëve, kishte bërë që ata të mos mund të bënin asgjë më shumë.

Deri në orët e vona të së enjtes, sipas policisë, të dyshuar apo të arrestuar në lidhje me këtë akt të rëndë nuk ka pasur.

Motivet që fshihen pas vrasjes, sipas policisë, ende nuk dihen.

Gati gjatë tërë ditës së enjte, ata kanë qëndruar në vendin e ngjarjes.

Në të njëjtën kohë, ata kanë bllokuar në perimetër prej dhjetëra metrash zyrën ku Asanaj është plagosur me mjet të fortë, që, sipas policisë, ishte thikë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 12 e ditës së enjte, kur Dino Asanaj ishte duke punuar në zyrën private afër shtëpisë.

Dyshohet se në momentin tragjik, Asanaj ishte i vetëm në zyrë.

Disa orë më vonë edhe policia konfirmoi rastin.

Sipas tyre, personi i lënduar është transportuar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

“Ndërkohë nga Qendra Klinike Universitare në Prishtinë policia ka pranuar informacionin se rreth orës 14 e 30 minuta viktima e këtij rasti ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve nga ky incident”, thotë policia.

Por, sipas mjekëve, në gjendjen në të cilën Asanaj ishte dërguar në QKUK, ishte e vështirë të bëhej diçka më shumë për t’ia shpëtuar jetën.

“Gjendja në të cilën është sjellë në QKU ka qenë shumë e rëndë për shkak të plagëve të marra dhe humbjes së një sasie të madhe të gjakut”, ka thënë një mjek në QKU.

Pritja e trishtueshme

Përderisa Dino Asanaj luftonte për jetën në njërën nga sallat e operacioneve, bashkëshortja e tij, të afërm të shumtë, kolegë të AKP’së e zyrtarë të tjetër pritnin të trishtuar ndonjë informacion nga ekipi i mjekëve.

Madje të afërmit u kërkonin mjekëve që nëse është nevoja për ta dërguar jashtë vendit, vetëm të tregojnë.

“Ne bashkë me ekipin kryem punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai është ende në sallë duke u reanimaur. Po presim reagimet e para pas operimit”, iu drejtua një kirurg familjarëve dhe miqve të shumtë të tashmë të ndjerit Dino Asanaj.

Derisa Asanaj kishte rreth dy orë që luftonte për jetë, në QKU mbërritën edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç tyre, aty erdhën edhe një numër i madh policësh, të cilët tentonin të merrnin ndonjë informacion ose dëshmi nga ndonjë dëshmitar i mundshëm.

Por, rreth dy orë më vonë, në orën 14 e 30 minuta, ekipi i mjekëve në krye me drejtorin e Kirurgjisë, Mehmet Maxhuni, ia kumtuan familjarëve lajmin e kobshëm.

Eco Higjiena

Me keqardhje thanë se Asanaj kishte vdekur, pavarësisht përpjekjeve maksimale të mjekëve për t`ia shpëtuar jetën.

“Rreth orës 13 e 15 minuta, një pacient është sjellë në Emergjencë në gjendje të rëndë shëndetësore, ku besohet se ai është goditur me thikë”, tha drejtori Maxhuni i cili më pas mbajti një konferencë të shkurtër për media.

“Pas pranimit në emergjencë, ekipi i kirurgëve, të ndihmuar edhe nga ai vaskular e torakal, e kemi futur në sallën e operacionit pacientin duke bërë çdo përpjekje që ai të shpëtojë”, vazhdoi më tej Maxhuni.

“Pacienti kishte dy plagë, njërën në fyt dhe tjetrën në gjoks. Derisa është sjellë në QKU, ka humbur shumë gjak. Ai nuk ka mundur t`u rezistojë plagëve të rënda të marra dhe ka vdekur”, tha kirurgu Mehmet Maxhuni.

Ndërkohë, deri në orët e vonat të së enjtes, Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjë të dyshuar e as të arrestuar.

Sipas tyre, Njësiti i Forensikës është duke kryer procedurat në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur vrasja.

“Ekipet e hetuesve që janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes, janë në proces të grumbullimit të informacioneve që janë të nevojshme për procesin hetimor dhe zbardhjen e rrethanave rreth këtij rasti të vrasjes”, thanë forcat e rendit nëpërmjet një njoftimi zyrtar.

Rastin e heton edhe EULEX’i

Shefi i EULEX’it, Xavier de Marnac, ka deklaruar se prokurorët e EULEX’it kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me institucionet e Kosovës janë duke hetuar se çfarë ka ndodhur, transmeton InfoGlobi. Sipas tij, hetimet për rastin që nga fillimi e deri në fund të procesimit të tij do t’i zhvillojnë bashkërisht përfaqësuesit e EULEX’it dhe ata të institucioneve të Kosovës.

Qeveria dënon vrasjen e Asanajt

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.

“Ky veprim qyqar është një veprim i rëndë kundër individit dhe shoqërisë kosovare, kundër institucioneve demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha është një veprim kundër funksionimit të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë e cila kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë.

Akt i shëmtuar dhe kriminal

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka dënuar vrasjen e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj. “Vrasja makabre e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, është një akt i shëmtuar dhe kriminal. Ky akt ka ngjallur pezëm te të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe institucionet e vendit. Kërkojmë nga organet e rendit që të zbulojnë autorët e vrasjes dhe t’u japin dënimin e merituar”, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.

Zhbogar i tronditur

Përfaqësuesi special i BE-së dhe shef i Zyrës së BE-së, Samuel Zhogar, e ka dënuar vrasjen e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanajt.

“Unë jam tronditur shumë kur kam dëgjuar lajmin për vrasjen e zotit Dino Asanaj, kryetar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Vetëm disa javë më parë ne u takuam dhe diskutuam planet e privatizimit të Kosovës. Unë e dënoj këtë akt brutal, që është një sulm mbi sigurinë e përgjithshme dhe mbi sundimin e ligjit në Kosovë. Unë u bëj thirrje gjyqësorit dhe autoriteteve të sigurisë që të japin maksimumin dhe të sjellin autorët para drejtësisë”, ka thënë në një deklaratë për media Zhbogar.

Feith ngushëllon

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, dënoi vrasjen e Dino Asanajt, drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. “Dino Asanaj ka punuar pa pushim për të ardhmen e vendit të tij si një demokraci e lirë dhe moderne evropiane, e bazuar në ekonominë e tregut. Jam i pikëlluar thellë nga lajmi për vrasjen e tij dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij”, ka deklaruar Feith. Sipas tij, shumë miq dhe kolegë të tij në Zyrën Civile Ndërkombëtare do ta mbajnë mend Dino Asanajn për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij për ta çuar Kosovën drejt një të ardhmeje ekonomike me më shumë prosperitet.

Profil – Dino Asanaj

Vrasja e Dino Asanajt, kryetar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), është padyshim një ndër aktet më të rënda që kanë ndodhur viteve të fundit në vend. Për më tepër, dyshimet për mënyrën dhe vendin se si u ekzekutua e bëjnë këtë vrasje të cilësohet si e tmerrshme. Derisa policia vazhdon të mbledhë gjurmët dhe provat për të arrestuar personin që kreu aktin dhe për të zbuluar motivin, lidhur me profilin publik të Dino Asanajt ka mendime të ndryshme.

Por, kush ishte Dino Asanaj?

Një biografi e plotë e tij është e vështirë të gjendet. As në institucionin që ai e ka drejtuar nuk mund të gjesh jetëshkrim të tij. Përveç emrit dhe mbiemrit të tij dhe pozitës si kryetar dhe drejtor i AKP’së, i emëruar në vitin 2008, aty nuk gjendet asgjë tjetër. Sidoqoftë, në deklarimet dhe intervistat e tij të dhëna herë pas here, Asanaj ka treguar diçka nga e kaluara e tij dhe përgatitja profesionale. Muaj më parë ai kishte deklaruar se do të jepte dorëheqje nga ky post, por më vonë ishte shprehur se pas lutjeve të kolegëve të tij, kishte vendosur të vazhdonte punën. Dino Asanaj ishte 55 vjeç nga Peja, i cili për dy dekada kishte jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Atje Asanaj kishte emigruar në vitin 1985. Fillimisht ishte angazhuar si punëtor i thjeshtë në disa kompani ndërtimi. Kështu kishte vazhduar deri në vitin 1990, kur në vendin e mundësive dhe realizimit të ëndrrave ai e ka hapur kompaninë me emrin “DD Interiors” në New York.

Puna e kësaj kompanie ishte transformimet e brendshme të ndërtesave, për t’u bërë shumë shpejt firmë me qarkullim prej 15 milionë dollarësh amerikan. Krahas punës si biznesmen, gjatë asaj kohe, Asanaj kishte mbajtur edhe kontaktet me vendlindjen, më saktësisht me drejtues të Qeverisë së Përkohshme në Kosovë, përkatësisht me Kryeministrin e tanishëm, Hashim Thaçi apo me ish-kryeministrin Agim Çeku. Së paku kështu ishte shprehur vetë Asanaj gjatë deklarimeve të tij publike. Sa i përket shkollimit, Dino Asanaj ishte shprehur se në vitin 1983 kishte përfunduar Fakultetin e Mbrojtjes në Beograd. Por, Asanaj nuk ishte vetëm në krye të AKP’së. Biznesin e tij ai e vazhdoi duke investuar miliona për ndërtimin e Fshatit Ndërkombëtar në Prishtinë, vend ky që njihet edhe si “fshati amerikan”.

Shumë prej këtyre shtëpive i kanë blerë zyrtarë të lartë institucionalë, biznesmenë të ndryshëm apo artistë të njohur. Vetë Asanaj ishte shprehur se ky projekt kishte një kosto të përgjithshme prej 25 milionë eurosh.(Express)