Dinamo Zagrebi e vendos në shitje Arbër Hoxhën
Arbër Hoxha mund të jetë një nga emrat e njohur që do të largohet nga Dinamo Zagrebi para mbylljes së afatit kalimtar.
Klubi kroat ka bërë disa lëvizje të rëndësishme në ditët e fundit, duke transferuar portierin Dominik Kotarski, si dhe Luka Ivanusec e Iker Almena. Përforcimet e reja kanë rritur ndjeshëm konkurrencën në skuadër, ndërsa trajneri Mario Kovaçeviq aktualisht ka në dispozicion 27 futbollistë, shkruan Indeksonline
Sipas raportimeve nga Kroacia, situata është veçanërisht e ngjeshur në krahët e sulmit, ku Hoxha dhe Fran Topiq janë sërish pranë largimit nga “Maksimir”.
Hoxha e ka edhe më të vështirë të sigurojë minuta të rregullta pas rikthimit të Mislav Orshiqit, ndërsa konkurrenca në krahë është shtuar edhe me ardhjen e Almenës dhe Nsokit. Në të majtë mund të aktivizohet gjithashtu Ivanusec.
Megjithatë, Dinamo nuk po mendon vetëm për aspektin sportiv. Klubit kroat i nevojiten rreth 15 milionë euro për të mbyllur buxhetin vjetor, ndaj shitjet e futbollistëve pritet të jenë një nga mënyrat për të siguruar këto të ardhura.
Në këtë situatë, Hoxha është një prej lojtarëve që mund t’i sjellë Dinamos një shumë të konsiderueshme nga transferimi. Megjithatë, fakti që nuk posedon shtetësi të një vendi të Bashkimit Evropian mund ta ngushtojë numrin e klubeve që mund të bëjnë një ofertë për të./Indeksonline/


