Dimri po vjen
Nga Vlora Çitaku – Në serialin e jashtëzakonshëm të HBO që ka pushtuar botën, ‘Game of Thrones’ ndër frazat që përmendet shpesh është: “dimri po vjen”. Për personazhet e ndryshme të serialit kjo frazë ka kuptim të ndryshëm.
Për dikë do të thotë se kohërat e vështira do të vijnë shumë shpejt dhe duhet të përgatiten për më të keqen. Për dikë do të thotë se duhet të fshihen, të bëhen të padukshëm deri sa të kalojë stuhia, ndërsa për të tjerët “dimri po vjen” do të thotë oportunitet, do të thotë mundësi. Mundësi për të treguar se sa të fortë janë, se si do ta përballojnë stuhinë dhe se si kjo stuhi vetëm do t’ua mundësojë të bëhen më të fortë dhe më të mirë.
Njerëzit reagojnë ndryshe në situata të ndryshme. Dikush e sheh gotën gjysmë të plotë e dikush gjysmë të mbushur. Dikush i treti mund ta quajë veten zgjidhës të problemeve dhe me cinizëm ta pijë atë çfarë ka në gotë dhe të mos merret fare me konundurumin që paraqet gota gjysmë e plotë apo gjysmë e zbrazët.
Cila do qoftë mënyra e reagimit ndaj “dimri po vjen” është me rëndësi të jetë e ndershme. Çdo shoqëri ballafaqohet me problemet e saj. Shoqëri perfekte nuk ka. Edhe demokracia, si sistemi shoqëror më i përsosur i ka telashet e veta. Krizat ndodhin gjithandej. Shikojeni BE-në. Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe një rritje spektakolare. Ka kaluar nëpër periudhën e saj më të ndritshme dhe më paqësore në histori. Megjithatë edhe Evropa përballet me sfidat e saj. SHBA-të po ashtu. Dhe është krejt e natyrshme që njerëzit të shqetësohen dhe të brengosen për të ardhmet e tyre.
Tash, gjithnjë ka tendenca të minimizohen gjërat dhe thjesht të thuhet se gjithçka është në rregull, gjithçka është rozë dhe bukur, dhe gjithçka do të tejkalohet vetvetiu. Është shumë e thjeshtë të thuhet se njerëzit e kanë gabim, njerëzit janë të keqinformuar. Por e vërteta duhet të thuhet. Po, kemi arritur progres. Po kemi bërë këtë, këtë dhe atë, por PO kemi ende sfida dhe shumë punë për të bërë. E si do t’i qasemi kësaj pune më pastaj do ta diktojë dhe determinojë strukturën shoqërore se ku jemi dhe ku po shkojmë. A do të mundemi t’i mbajmë vlerat për të cilat kemi punuar dhe punojmë? A do të formësojmë të ardhmen tonë si shoqëri demokratike me vlera njerëzore fundamentale apo do të kontribuojmë për të kundërtën?
E kuptoj qartë që ka shumë punë për t’u bërë. Por nuk duhet harruar se ku kemi qenë si shoqëri vetëm 15 vite më parë. Nuk ka arsyetime, por ndershmëria dikton që të thuhet se të gjitha problemet nuk mund të zgjidhen si me shkop magjik. Përgjigjet në të gjitha pyetjet nuk i ka askush. As Evropa, as SHBA-të. Kriza ekonomike dhe sociale ka në mbarë botën por qasja ndaj krizave dhe reaksioni ndaj aksionit janë ata faktorë që determinojnë se kush dhe si i përballon ato.
Nuk duhet të jemi të dobët për faktin se “dimri po vjen”. Në fakt ne dukemi të dobët vetëm nëse dimrin proverbial e interpretojmë si diçka të tmerrshme dhe të papërballueshme. Por nëse i qasemi me punë dhe me ndershmëri, nëse i kuptojmë, shpjegojmë dhe analizojmë kompleksitetet e realitetit aktual, atëherë nuk kemi pse të frikësohemi. Duhet t’i kuptojmë problemet dhe duhet t’i gjejmë solucionet. Të gjithë kemi qejf të gjejmë zgjidhje të shpejtë për gjithçka. Qoftë ai një ekuacion i thjeshtë apo teoremë komplekse. Por zgjidhjet nganjëherë vijnë shpejt e nganjëherë më ngadalë.
Megjithatë, gjithmonë duhet punuar drejt zgjidhjes sepse vetëm kështu do të mund të krijojmë një shoqëri më të mirë me një të ardhme të ndritshme duke përqafuar vlerat që po mëtojmë t’i përfaqësojmë.
(Autorja është ministre në detyrë e Integrimeve Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)


