Diaspora ndihmon familjet skamnore në brezin kufitar, Lenjani ka një mesazh falënderimi

Kamenicë – Selver Lenjani në emër të Bashkësisë Lokale Karaçevë e Poshtme dhe në emër të banorëve të brezit kufitar, ka falënderuar dhe u ka shprehur mirënjohje të gjithë mërgimtarëve shqiptarë që punojnë e veprojnë në shtetet e perëndimit – Evropës, për kontributin e tyre dhe solidaritetin e treguar në prag të festës së Bajramit duke shpërndarë ndihma për familjet skamnore të brezit kufitar.
“Kjo mërgatë asnjëherë nuk është kursyer për të ndihmuar familjet skamnore në brezin kufitar sepse kjo kategori ndodhet në një varfëri ekstreme. I kemi të evidentuar katër familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe me kontributin e diasporës ato janë ndihmuar në prag të festës së Bajramit me gjëra ushqimore. Vërtet një falënderim të madh për këtë solidaritet sepse me ndihmën e juaj këto familje do ta kenë të pasur sofrën sikur të gjithë familjet tjera. Zoti ju shpërbleftë” ka thënë Lenjani.
Lenjani thotë se ndihmat u janë dhënë drejtpërdrejtë familjeve ndërsa ka shprehur mirënjohje edhe për stafin e Kryqit të Kuq në Kamenicë, të cilët janë kontribuues të mëdhenj të shpërndarjes së ndihmave në brezin kufitarë në Karaçevë.
“Në emër të Bashkësisë Lokale e falënderojmë shumë mërgatën shqiptare që ka dhënë dhe po jep ndihmën e saj në të gjitha sferat për familjet skamnore.Vlera e mërgatës është humanizmi dhe solidariteti me familjet e varfra dhe kjo dëshmon se si popull jemi human e të dashur për njëri tjetrin dhe e ndihmojmë njëri tjetrin kur kemi nevojë” ka thënë Lenjani./rajonipress/