Uji Dea

Dialogu si interes nacional

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Nga Petrit Selimi- Kosova nuk ka arsye ta refuzojë dialogun, sidomos me Serbinë, për të bërë progres në rrugën e integrimeve euroatlantike. Refuzimi i dialogut është politikë e mbrapshtë dhe krejtësisht e pabazuar në argumentim racional.

Janë tri pika të cilat medoemos do të duhej t’i kemi parasysh nëse konsiderojmë arsyeshmërinë e angazhimit të Kosovës në dialogun me Serbinë. Që të gjitha janë të ndërlidhura me historinë tonë moderne dhe me aspiratat tona si shoqëri – këtu mendoj integrimet euroatlantike si përpjesëtuesi më i madh i përbashkët i forcave dhe strateve të ndryshme shoqërore në Kosovë.

Dialog derivativ dhe platformë e marrëdhënieve me OKB’në

Fillimisht, do të duhej të kemi parasysh se vetë origjina e dialogut që po zhvillohet pas shpalljes së pavarësisë, e cila ishte koordinuar me shtetet perëndimore, por krejtësisht e sabotuar nga Rusia në Këshill të Sigurimit të OKB’së, është rezultat i zhvillimeve progresive në vetë OKB’në. Më 1999, autorët e Rezolutës 1244 kishin arritur të përthekonin të gjitha konceptet konfliktueze që kërkoheshin nga anëtarë të ndryshëm të bashkësisë ndërkombëtare për të përfunduar bombardimin e RFJ’së, në mënyrë që do të sillte paqe principiele – kështu në 1244 kishim fjalitë antagoniste se Kosova ishte pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë, por po ashtu ishte edhe fjalia se zgjidhja e statusit, e propozuar nga një ndërmjetësues i OKB’së, do të bazohej në principet e Rambuillet, ndër të cilat vetëvendosja e popullit të Kosovës ishte futur si garanci. Një gabim dramatik që përkrahësit e Kosovës e kishin bërë me 1244, ishte se rezoluta nuk ka afat kohor. Nuk ripërtërihet çdo 6 apo 12 muaj, siç është zakoni. Është teorikisht valide, derisa KS i OKB’së të vendosë për një rezolutë tjetër. E zhveshur nga ndikimi dhe krejtësisht e konsumuar për nga intenca origjinale, Rezoluta 1244 mbeti si relikt i një periudhe të shkuar të fundit të shekullit XX. Për të siguruar një lloj transferi të përgjegjësisë për monitorimin e Kosovës dhe mbarëvajtjen e proceseve demokratike dhe atyre të drejtësisë nga UNMIK’u, i padëshiruar në strukturat e propozuara nga vetë përfaqësuesi i tij, Ahtisaari, Sekretari Gjeneral i OKB’së, Ki Moon fillimisht aprovoi raportin me rekomandime (6 pikat e famshme). Këto pika u refuzuan nga shumica e politikës kosovare, megjithatë Sekretari Gjeneral e përshkruan Kosovën si një zonë ligjore, si një zonë doganore, duke konfirmuar kështu kufijtë ekstern. Kështu u krijua mundësia e instalimit fillestar të EULEX’it, si pasardhës të angazhimit të UNMIK’ut.

Megjithatë, 6-Pikëshi nuk ishte bazë e mjaftueshme për lëvizje përpara të proceseve fondamentalisht të rëndësishme për Kosovën. Një shtytje enorme erdhi pas mendimit të GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë, e cila e shkatërroi krejtësisht tentativën serbe për të mbjellë farën e dyshimit për veprimet ligjore të Kosovës, por edhe hapat pasues që ishin paramenduar të ndërmerren – që Asambleja e Përgjithshme të rihapë bisedat për statusin e Kosovës. Kjo tentativë është refuzuar kategorikisht nga shtetet e BE’së, të cilat e bllokuan tentativën e Jeremicit, më 2010, për të ndryshuar kahun e GJND’së, duke aprovuar një rezolutë në AP-OKB, e cila e njeh mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, por edhe definon dialogun për çështje jostatusore, të fokusuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy shteteve në rrugëtimin e tyre drejt BE’së si platformë të ardhshme të interaksionit në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Kjo rezolutë, edhe pse nuk ka fuqinë e atyre të KS të OKB’së, megjithatë u aprovua si një standard i ri matës për rrugëtimin e Kosovës drejt OKB’së. E lejoi UNMIK’un që përkundër 1244, të zhvishet komplet nga të drejtat ekzekutive dhe e autorizoi BE’në të jetë interlokutori i vetëm tash e tutje në mes të dy palëve. Ligjërisht, kjo rezolutë që inicioi dialogun, është argumenti më i përafërt në ligjin ndërkombëtar që dëshmon se statusi i Kosovës është çështje krejtësisht e mbyllur.

Dialogu, element fondamental i integrimeve europiane

Rezoluta e Asamblesë që inicion dialogun ka arritur edhe një synim tjetër. Në mungesë të njohjes së plotë të të gjithë shteteve të BE’së, rrugëtimit të Kosovës dhe miqve të Kosovës në BE u duhej një bazë ligjore, ndërkombëtarisht konsensuale, për të lëvizur përpara procesin integrues. Derisa EULEX’i është forcë operacionale me një mandat jopermanent dhe e fokusuar në reformat e brendshme në Kosovë, prej momentit kur të gjithë anëtarët e BE’së e përkrahën Rezolutën për dialog, bisedat në mes dy qeverive ballkanike u bënë si lakmus test i aftësisë së dy shteteve për t’i dëshmuar kredencialet europiane dhe demokratike. Kështu dialogu u bë instrumenti kryesor i BE’së në proceset integruese në Ballkan. Çdo Raport i Progresit, studim i fizibilitetit dhe hapat e mëtutjeshme formalë, do të kenë dialogun si standard matës të aftësisë së Kosovës për t’i tejkaluar sfidat e së kaluarës për të gjetur modele të reja kompatibile me konsensusin evropian si kusht rrënjësor të lëvizjeve përpara në integrimet euroatlantike. Thënë “shul shqip”, Kosova ka vetëm dy opsione para vetës: angazhimin e sinqertë në dialog, sado mundimshëm të jetë ballafaqimi me ish-okupatorin, i cili ende nuk ka kërkuar falje për tentim gjenocidin, apo daljen krejtësisht nga hekurudha e integrimeve europiane.

Fundamenti

Për më shumë, rezoluta e Asamblesë së OKB’së është krejtësisht e përputhshme me dominancën që në vitet e fundit ka arritur njëri nga kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në BE, atij për “marrëdhënie të mira fqinjësore”. Duke u nisur nga situata e krijuar pas hyrjes së Qipros në BE, pa u zgjidhur kontesti territorial me gjysmën e ishullit të ndarë, shtetet e BE’së janë decidive se nuk do të lejojnë hyrje apo progres në integrime për shtetet që nuk angazhohen në “fqinjësi të mirë’. Dialogu me Serbinë kështu u bë testi i Kosovës për aftësinë që të arrihet ky kriter i Kopenhagës.

Mos të ketë dyshim në mendjen e askujt se për Kosovën këto janë dy opsione të vetme: angazhim i sinqertë në dialog me fqinjët, duke respektuar kufijtë ekzistues (gjë që krejtësisht e eliminon “Shqipërinë etnike” si mundësi për këdo që është i sinqertë në rrugën europiane të Kosovës).

Dialogu si mjet lobimi për njohje

Fare në fund, dhe ndërlidhur me dy pikat e mësipërme, dialogu krijoi një mundësi të mirë lobimi për Kosovën. Disa opozitarë dhe analistë pohojnë se dialogu ka ngadalësuar njohjet. Ky qëndrim është absurd dhe krejtësisht i pabazuar në letra. Është teori e kafehaneve dhe çajtoreve. Pak muaj pas rezolutës së OKB’së për dialog, Kosova fitoi një njohje shumë të rëndësishme. Principata e vogël e Andorrës, e cila në politikë të jashtme konsultohet gjithmonë me lëvizjet spanjolle, njohu Kosovën duke u thirrur mu në këtë rezolutë të Asamblesë që inicion dialogun si bazë të njohjes bilaterale, si dëshmi se angazhimi në dialog i dy palëve e mënjanon interpretimin se ekzistenca e Kosovës është akt unilateral – argument ky kryesor i Serbisë në lobimin kundër Kosovës.

Në një libër serioz të botuar bashkërisht nga Klubi për Politikë të Jashtme, Fondacioni Soros, British Council dhe MPJ e Kosovës, i pari i këtij lloji (pasi që ish-ministri me hesap ishte alergjik ndaj botimeve dhe analizave, sepse nuk ka bërë asnjë të vetme gjatë 3 viteve të para të MPJ’së duke grumbulluar suficite vjetore prej mbi 60%) autorë grekë, spanjollë, rumunë, qipriotë dhe sllovakë kanë një opinion gati konsensual se shtetet e BE’së që nuk e kanë njohur Kosovën, e argumentojnë mosnjohjen me unilateralitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Çfarëdo lëvizje përpara në dialog, qoftë edhe “sa për sy e faqe”, ndihmon Kosovën për njohje. Ekspertë eminentë nga shtetet që nuk kanë njohur pohojnë se Kosovës i ndihmon edhe nëse Serbia bojkoton dialogun e iniciuar nga BE’ja, sepse topi i fajësie për mungesën e progresit do të hidhej në oborrin beogradas. Kjo është arsyeja kryesore pse politika e jashtme kosovare, duke përfshirë shtyllat si Ministria e Integrimeve dhe lobimet e Presidentes dhe Zëvendëskryeministrit, duhet gjithmonë dhe gjithkund të promovojnë kontributin esencial dhe angazhimin e sinqertë të Kosovës në dialog.

Autori është Zëvendësministër i Punëve të Jashtme