Dialogu, nën “tension të lartë”
Hyrja e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, në Kosovë pa lejen e autoriteteve kosovare dhe arrestimi i tij nga Policia e Kosovës ka ngritur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vlerësohet se dialogu i Brukselit do të përcillet me tensione të tilla, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Dialogu Kosovë-Serbi pritet të përcillet me tensione, prandaj vlerësohet se faza e re e bisedimeve nuk do të jetë aspak e lehtë. Analistë politikë dhe deputetë thonë se Kosova duhet të tregohet e përmbajtur në veprimet e saj, ndërsa theksojnë nevojën e përgatitjes së një platforme kombëtare për dialogun. Sipas tyre, duhet të ketë konsensus ndërmjet partive politike në vend, pasi thonë se dialogu me Serbinë i tejkalon interesat partiake. Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që të dyja palët të përmbahen dhe ta vazhdojnë dialogun.
Qeveria e Kosovës ka thënë për gazetën “Zëri” se është ende herët për të dhënë konkluzione për zhvillimet e fundit. Megjithatë, ekzekutivi i vendit shprehet i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Serbinë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se është ende herët për të dhënë konkluzione për situatën. Besojmë që në ditët dhe në javët e ardhshme do të ketë qartësime dhe opinioni do të njoftohet me kohë. Sa i përket dialogut, agjenda caktohet nga Brukseli dhe pala kosovare është e gatshme kurdo”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Kocijançiq: Të dyja palët janë zotuar për vazhdim të dialogut
Kurse zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se të dyja palët janë zotuar për ta vazhduar dialogun
“Të dyja palët janë zotuar për dialog dhe ne besojmë se dialogu është rruga përpara edhe në dritën e strategjisë së Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kocijançiq.


