Detyrime, por gjithashtu edhe të drejta …

Nga Bashkim Iseni- E drejta për barazi si dhe qasja në resurset e vendit pritës e favorizojnë integrimin.
Debati aktual për fitimin e shtetësisë zvicerane është pjesë e një debati të gjerë në lidhje me emigracionin dhe integrimin. Nëse përkufizimi i saj ndryshon në gjithë Evropën, ka një konsensus të përgjithshëm për mënyrën e vlerësimit të shkallës së integrimit të emigrantëve, duke u mbështetur në tregues kulturorë dhe strukturorë të ndryshëm, duke përfshirë mësimin e gjuhës, integrimin socio-profesional, integrimin në jetën shoqërore dhe politike të vendit pritës.
Edhe pse qasja për emigracionin ndryshon nga një shtet në tjetrin, një trend i përgjithshëm vërehet në Evropë. Kjo është e dukshme në dy aspekte:
Nga njëra anë, ka një tendencë për të braktisur politikat multikulturore të praktikuara në disa vende (Britania dhe Holanda në veçanti), të cilët kritikohen si të dështuara ose të paktën për një bilanc të një integrimi të zbehtë të emigrantëve. Në shënjestër të kritikave janë trazirat e rendit publik, por edhe strukjet “komunitare” që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit. Shtetet e prekura tani janë të orientuara më shumë drejt modeleve të një integrimi individual.
Nga ana tjetër, vërehet një ndryshim i sistemit, i cili shkon drejt një sistemi për integrim të fokusuar më shumë në detyrimet e emigrantëve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se debati për emigracionin nuk duhet të fshehë një çështje qendrore, pra qasjen e emigrantëve me resurset ekonomike dhe sociale dhe barazinë e tyre me qytetarët e vendit pritës, i cili pa dyshim promovon një proces të një integrimi harmonioz.
Ata theksojnë nevojën për të zgjeruar konceptin e integrimit të të drejtave të emigrantëve, veçanërisht në lidhje me statusin e tyre ligjor dhe politik (leja e qëndrimit, natyralizimi, përdorimi i shtetësisë). Kështu që integrimi i emigrantëve bëhet në lidhje me shtetin, i cili imponon detyrime, por edhe i jep të drejtat në një frymë përfshirëse.
Suedia, një vend i emigracionit, përcjell një udhë origjinale për të drejtat dhe detyrimet e emigrantëve në krahasim me politikat publike në Evropë, por edhe me vendet e tjera nordike.
Edhe në qoftë se autoritetet suedeze përdorin levën e motivimit ekonomik në procesin e përfshirjes së emigrantëve, tani për tani ato duket se i rezistojnë qasjes së migracionit, e cila bën që pranimi, statusi për qëndrim ose natyralizimi t’i nënshtrohet vlerësimit të integrimit kulturor dhe strukturor.
Në vend të kësaj, sipas këtyre autoriteteve, këto kushte mund të pengojnë integrimin, ndërsa të drejtat e favorizojnë atë. Vlerësimi i kërkesave dhe kushteve të ngritura (duke përfshirë edhe gjuhën) për dhënien e shtetësisë ndikon, sipas kësaj perspektive, në mënyrë kundërproduktive, sepse ajo mund të përjashtojë disa dhe kështu të dëmtojë kohezionin e gjithë vendit.
(Përkthyer nga “24Heures”, E shtunë-diel, 16-17 mars 2013)
Bashkim Iseni, drejtor i agjencisë albinfo.ch dhe hulumtues shkencor në Universitetin e Neuchâtel-it