Fundamenti

Dështon seanca, nuk gjendet banesa e Nexhmije Hoxhës!

/ 3 minuta lexim

Hetuesit e gjykatës së Tiranës nuk kanë arritur të gjejnë adresën e Nexhmije Hoxhës, duke u bërë shkak që seanca e parë përgatitore e gjyqit civil mes ish-bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit Ismail Kadare të dështojë.

Hetuesi ka njoftuar gjyqtarin Bledar Abdullai se: “Adresën tek ish-ndërmarrja e pularisë, në Laprakë, e verifikova por nuk e gjeta dot”.

Nexhmije Hoxha është paditur nga shkrimtari Kadare për dorëshkrimin orgjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, ndërkohë që në dalje të proçesit, avokatja Flonja Tashko dha detaje të mëtejshme për Top Channel se përse Kadare iu drejtua gjykatës.

“Zoti Kadare kërkoi kthimin e dorëshkrimit orgjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, që ndodhet në posedim të zonjës Hoxha. Ne, në emër të zotit Kadare, i jemi drejtuar zonjës Hoaxha për të siguruar kthimin, por zonja Hoxha nuk e kthen. Edhe Arkiva e Shtetit dhe Muzeu Kombëtar i janë drejtuar për të kërkuar kthimin e dorëshkrimit orgjinal, por nuk ia kanë arritur dot”, deklaroi Tashko.

Në kërkesë-padinë drejtuar gjykatës thuhet se: “E paditura gjatë një vizite në shtëpinë e shkrimtarit konstatoi se shkrimtari kishte një shtëpi të vogël dhe nuk kishte kushtet e duhura për të ruajtur dorëshkrimin. Për këtë arsye ajo i kërkoi shkrimtarit që të vendoste përkohësisht dorëshkrimin në arkivën e partisë, për ta ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm”.

Fidanishtja

“Shkrimtari”, vijohet më tej, “nuk e kundërshtoi këtë kërkesë dhe pranoi, pasi si mund të kishte kundërshtuar shkrimtari kërkesën e gruas së diktatorit Enver Hoxha dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri, një fjalë e të cilës mjaftonte për të shkatërruar përfundimisht jetën e shkrimtarit dhe familjës së tij”.

Sipas kërkesë-padisë, më 23 nëntor 2010 paditësi i është drejtuar të paditurës me anë të një letre duke i kërkuar kthimin e dorëshkrimit të veprës, por e paditura ka kundërshtuar të kthejë dorëshkrimin, të cilin vazhdon ta mbajë në posedim në mënyrë të paligjshme.

“Si përfundim”, huhet në kërkesë-padi, “duke marrë parasysh kërkesat e ngutshme, i kërkojmë gjykatës të urdhërojë inventarizimin e dorëshkrimit orgjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, sekuestrimin e tij, si dhe lënien përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur deri në përfundim të gjykimit”.

Në konkluzion kërkohet gjithashtu detyrimi i Nexhmije Hoxhës për t’ia kthyer dorëshkrimin orgjinal në posedim të autorit Ismail Kadare, në mënyrë që të rifitojë të gjitha të drejtat e autorit që i takojnë në veprën artistike. /Telegrafi/